Zanafilla 31
1 Dhe Jakobi dëgjoi fjalët e bijve të Labanit, që thoshin: "Jakobi ka marrë gjithçka që është e atit tonë dhe nga ajo që është e atit tonë ka bërë gjithë këtë pasuri".
2 Dhe Jakobi pa fytyrën e Labanit dhe, ja, ajo nuk ishte me të si më parë.
3 Atëherë Jahveh-u i tha Jakobit: "Kthehu te toka e etërve të tu dhe te farefisi yt, dhe unë do të jem me ty".
4 Kështu, Jakobi dërgoi njerëz dhe thirri Rakelën dhe Lean në fushë, te grigja e tij,
5 dhe u tha atyre: "Unë e shoh fytyrën e atit tuaj, që ajo nuk është më ndaj meje si më parë; por Perëndia i atit tim ka qenë me mua.
6 Edhe ju vetë e dini se me gjithë forcën time i kam shërbyer atit tuaj,
7 por ati juaj më ka mashtruar dhe e ka ndryshuar pagesën time dhjetë herë. Megjithatë Perëndia nuk e lejoi të më bënte keq.
8 Nëse ai thoshte kështu: 'Pikaloshet do të jenë pagesa jote', atëherë e gjithë grigja pillte pikaloshe; dhe nëse ai thoshte kështu: 'Ato vija-vija do të jenë pagesa jote', atëherë e gjithë grigja pillte vija-vija.
9 Kështu Perëndia e hoqi bagëtinë atit tuaj dhe ma dha mua.
10 Dhe ndodhi që, në kohën kur grigja ishte në afsh, unë ngrita sytë dhe pashë në ëndërr; dhe ja, cjeptë që ndërzenin grigjën ishin vija-vija, pikaloshë dhe njolla-njolla.
11 Dhe engjëlli i Perëndisë më tha në ëndërr: "Jakob!". Dhe unë thashë: "Ja ku jam!"
12 Dhe ai tha: "Ngriji tani sytë dhe shiko: gjithë cjeptë që ndërzejnë grigjën janë vija-vija, pikaloshë dhe njolla-njolla, sepse kam parë gjithçka që Labani po të bën.
13 Unë jam Perëndia i Bet-Elit, atje ku ti vajose një shtyllë, atje ku lidhe një kusht me mua. Tani çohu, dil nga kjo tokë dhe kthehu te toka e farefisit tënd'".
14 Atëherë Rakela dhe Lea u përgjigjën dhe i thanë: "A kemi ende pjesë ose trashëgimi në shtëpinë e atit tonë?
15 A nuk jemi llogaritur si të huaja prej tij? Sepse na ka shitur dhe madje e ka ngrënë plotësisht paranë e paguar për ne.
16 Se gjithë pasuria që Perëndia hoqi nga ati ynë është e jona dhe e bijve tanë. Dhe tani, bëj gjithçka që Perëndia të ka thënë".
17 Atëherë Jakobi u çua dhe i hipi bijtë e tij dhe gratë e tij mbi deve,
18 dhe mori me vete gjithë bagëtinë e tij dhe gjithë kamjen e tij që kishte grumbulluar, bagëtinë që kishte fituar, të cilën e kishte grumbulluar në Padan Aram, për të shkuar tek Isaku, ati i tij, në tokën e Kanaanit.
19 Tani, Labani kishte shkuar për të qethur dhentë e tij dhe Rakela vodhi idhujt shtëpiakë që i përkisnin atit të saj.
20 Dhe Jakobi ia punoi Labanit, aramitit, ngaqë nuk i tregoi atij që ai vetë po ikte.
21 Dhe ai iku bashkë me gjithçka që i përkiste. Kështu, u çua dhe kaloi Lumin, dhe mori drejtimin nga mali i Giladit.
22 Dhe në ditën e tretë iu tregua Labanit se Jakobi kishte ikur.
23 Atëherë ai mori vëllezërit e tij me vete dhe u vu në ndjekje të tij për shtatë ditë rrugë, dhe e arriti në malin e Giladit.
24 Dhe Perëndia erdhi te Labani, aramiti, në një ëndërr nate dhe i tha: "Ruhu se flet me Jakobin për mirë ose për keq!".
25 Dhe Labani e arriti Jakobin. Tani, Jakobi e kishte ngulur çadrën e tij në mal; edhe Labani, bashkë me vëllezërit e tij, e kishte ngulur çadrën në malin e Giladit.
26 Atëherë Labani i tha Jakobit: "Çfarë bëre? Edhe ma punove, edhe i more bijat e mia si të ishin robinja shpate.
27 Përse ike fshehurazi dhe ma punove, dhe nuk më tregove, që të të përcillja me gëzim dhe me këngë, me dajre dhe me qeste?
28 Dhe përse nuk më dhe mundësi që të puthja bijtë e mi dhe bijat e mia? Tani ke vepruar marrëzisht në atë që ke bërë.
29 Është në fuqinë e dorës sime që të bëj me ju ndonjë të keqe, por Perëndia i atit tuaj më foli mbrëmë, duke thënë: 'Ruhu që të mos flasësh me Jakobin për mirë ose për keq'.
30 Dhe tani, patjetër je larguar sepse kishe shumë mall për shtëpinë e atit tënd, po përse i vodhe perënditë e mia?".
31 Dhe Jakobi u përgjigj dhe i tha Labanit: "Sepse pata frikë, se thashë se mos do t'i merrje me dhunë bijat e tua prej meje.
32 Te cilido që do t'i gjesh perënditë e tua, ai nuk do të jetojë. Para syve të vëllezërve tanë, diktoje vetë çfarë është e jotja tek unë dhe merre vetë". Por Jakobi nuk e dinte që Rakela i kishte vjedhur ato.
33 Atëherë Labani hyri në çadrën e Jakobit dhe në çadrën e Leas, dhe në çadrën e dy shërbëtoreve, por nuk gjeti gjë. Pastaj doli nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës.
34 Tani, Rakela i kishte marrë idhujt shtëpiakë dhe i kishte vënë në shalën e devesë, dhe qe ulur mbi ta. Dhe Labani preku nëpër gjithë çadrën, por nuk gjeti gjë.
35 Dhe ajo i tha të atit: "Të mos i shkaktojë zemërim zotërisë tim, që unë nuk mund të ngrihem para teje, sepse kam të përmuajshmet e grave". Kështu, ai kontrolloi, por nuk i gjeti idhujt shtëpiakë.
36 Atëherë Jakobi u zemërua dhe u grind me Labanin. Dhe Jakobi iu drejtua dhe i tha Labanit: "Cila është shkelja ime? Cili është mëkati im, që më ke ndjekur pas pa u ndalur?
37 Se preke të gjitha sendet e mia dhe çfarë gjete nga gjithë sendet e shtëpisë sate? Vëre këtu, para syve të vëllezërve të mi dhe të tu, që të vendosin ata midis ne të dyve.
38 Këta njëzet vjet unë kam qenë me ty; delet e tua dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar, dhe deshtë e dhenve të tua nuk i kam ngrënë.
39 Kafshë të shqyer nga egërsirat nuk të kam sjellë; unë vetë e kam përballuar humbjen e saj. Nga dora ime e kërkoje, qoftë kur vidhej ditën e qoftë kur vidhej natën.
40 Kështu kam qenë: ditën më përpinte vapa dhe natën acari, ndërsa gjumi më ikte nga sytë.
41 Këta njëzet vjet kam qenë në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për grigjën tënde, dhe ti e ke ndryshuar pagesën time dhjetë herë.
42 Sikur Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe tmerrimi i Isakut, të mos kishte qenë për mua, me siguri tani do të më kishe nisur duarzbrazur. Pikëllimin tim dhe mundin e duarve të mia, Perëndia i ka parë dhe mbrëmë ka vendosur".
43 Atëherë Labani u përgjigj dhe i tha Jakobit: "Bijat janë bijat e mia dhe fëmijët janë fëmijët e mi; grigja është grigja ime dhe gjithçka që ti sheh është e imja. Por çfarë mund të bëj sot për këto bijat e mia ose për fëmijët e tyre që ato kanë lindur?
44 Dhe tani, eja të lidhim një besëlidhje unë dhe ti, që të jetë si dëshmi ndërmjet meje dhe teje".
45 Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti lart si shtyllë.
46 Pastaj Jakobi u tha vëllezërve të tij: "Mblidhni gurë!". Dhe ata morën gurë dhe bënë një pirg; dhe hëngrën aty pranë pirgut.
47 Dhe Labani e quajti Jegar Sahaduta, ndërsa Jakobi e quajti Galed.
48 Atëherë Labani tha: "Ky pirg është sot dëshmitar ndërmjet meje dhe teje". Prandaj iu vu emri Galed
49 dhe Micpah, sepse tha: "Jahveh-u vëzhgoftë ndërmjet meje dhe teje kur të jemi larg syve të njëri-tjetrit.
50 Nëse i keqtrajton bijat e mia ose nëse merr gra të tjera përveç bijave të mia, edhe pse nuk do të ketë njeri me ne, shiko: Perëndia është dëshmitar ndërmjet meje dhe teje".
51 Dhe Labani i tha Jakobit: "Ja ky pirg dhe ja shtylla që kam ngritur ndërmjet meje dhe teje.
52 Dëshmitar është ky pirg dhe dëshmitare është kjo shtyllë se unë nuk do ta kaloj këtë pirg drejt teje dhe se as ti nuk do ta kalosh këtë pirg dhe këtë shtyllë drejt meje për të keq.
53 Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, perënditë e atit të tyre, gjykofshin ndërmjet nesh!". Dhe Jakobi u betua për tmerrimin e atit të tij, Isakut.
54 Dhe Jakobi bëri një flijim në atë mal dhe thirri vëllezërit e tij për të ngrënë bukë. Dhe ata hëngrën bukë dhe e kaluan natën në mal.
55 Dhe Labani u ngrit herët në mëngjes dhe puthi bijtë e tij dhe bijat e tij, dhe i bekoi. Pastaj Labani u nis dhe u kthye në vendin e tij.
Të gjithë librat
