Zanafilla 30
1 Dhe Rakela pa se nuk i lindte fëmijë Jakobit. Kështu Rakela u bë ziliqare për motrën e saj, dhe i tha Jakobit: "Më jep bij, përndryshe unë do të vdes!".
2 Atëherë u ndez zemërimi i Jakobit kundër Rakelës dhe ai tha: "A jam unë në vend të Perëndisë i cili ta ka mohuar frytin e barkut?".
3 Dhe ajo tha: "Ja shërbëtorja ime, Bilha! Hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi dhe që edhe unë të bëhem me fëmijë prej saj".
4 Kështu, ajo i dha atij Bilhën, shërbëtoren e saj, për grua, dhe Jakobi hyri tek ajo.
5 Dhe Bilha u ngjiz dhe i lindi Jakobit një bir.
6 Atëherë Rakela tha: "Perëndia më ka dhënë të drejtë dhe, gjithashtu, e ka dëgjuar zërin tim, dhe më ka dhënë një bir". Prandaj ia vuri emrin Dan.
7 Dhe Bilha, shërbëtorja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit.
8 Atëherë Rakela tha: "Jam përleshur me përleshje të forta me motrën time; madje e kam mundur". Kështu, ia vuri emrin Neftali.
9 Dhe Lea pa se kishte ndaluar së linduri fëmijë. Kështu, ajo mori Zilpën, shërbëtoren e saj, dhe ia dha atë Jakobit për grua.
10 Dhe Zilpa, shërbëtorja e Leas, i lindi Jakobit një bir.
11 Atëherë Lea tha: "Jam me fat!". Kështu, ia vuri emrin Gad.
12 Dhe Zilpa, shërbëtorja e Leas, i lindi një bir të dytë Jakobit.
13 Atëherë Lea tha: "Lumja unë, se bijat do të më shpallin të lume". Kështu, ia vuri emrin Asher.
14 Dhe në ditët e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti madërgona në fushë, dhe ia solli ato Leas, nënës së tij. Dhe Rakela i tha Leas: "Më jep, të lutem, disa nga madërgonat e birit tënd".
15 Por ajo i tha asaj: "A të duket pak që ti më marrësh burrin, dhe dashke të marrësh edhe madërgonat e birit tim?". Dhe Rakela tha: "Atëherë, pra, ai do të shtrihet me ty sonte në këmbim të madërgonave të birit tënd".
16 Dhe Jakobi erdhi nga fusha në mbrëmje, dhe Lea doli për ta takuar, dhe tha: "Do të hysh tek unë, sepse të kam marrë me pagesë të plotë me madërgonat e birit tim". Dhe ai u shtri me të atë natë.
17 Dhe Perëndia e dëgjoi Lean; dhe ajo u ngjiz dhe i lindi Jakobit një bir të pestë.
18 Atëherë Lea tha: "Perëndia më dha shpërblimin tim, ngaqë i dhashë shërbëtoren time burrit tim". Kështu, ia vuri emrin Isakar.
19 Dhe Lea u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të gjashtë Jakobit.
20 Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka bërë peshqesh një peshqesh të mirë. Këtë herë burri im do të më nderojë, sepse i linda atij gjashtë bij". Kështu, ia vuri emrin Zabulon.
21 Dhe pastaj lindi një bijë, dhe ia vuri emrin Dina.
22 Atëherë Perëndia e kujtoi Rakelën, dhe Perëndia e dëgjoi atë dhe ia hapi anin.
23 Dhe ajo u ngjiz dhe lindi një bir. Atëherë tha: "Perëndia ma hoqi poshtërimin".
24 Kështu, ia vuri emrin Jozef, duke thënë: "Jahveh-u më shtoftë një bir tjetër!".
25 Dhe ndodhi që, kur Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha Labanit: "Më përcill që të shkoj te vendi im dhe te toka ime.
26 Më jep gratë e mia dhe fëmijët e mi, për të cilët të kam shërbyer, dhe le të shkoj. Se ti vetë e di shërbimin tim me të cilin të kam shërbyer".
27 Dhe Labani i tha: "Të lutem, nëse kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro; unë kam marrë vesh me ogur se Jahveh-u më ka bekuar për shkakun tënd".
28 Pastaj tha: "Ma përcakto pagën tënde dhe do të ta jap".
29 Dhe Jakobi i tha: "Ti e di se sa të kam shërbyer dhe sa është bërë bagëtia jote me mua.
30 Se ajo pak që ke pasur përpara ardhjes sime, tani është shtuar e bërë mori, dhe Jahveh-u të ka bekuar në çdo hap timin. Po tani, kur do të punoj unë edhe për shtëpinë time?".
31 Atëherë ai tha: "Çfarë të të jap?". Dhe Jakobi tha: "Nuk do të më japësh asgjë. Nëse do ta bësh këtë gjë për mua, unë do t'i baritoj përsëri grigjën tënde dhe do t'i mbikëqyr:
32 le të kaloj sot nëpër gjithë grigjën tënde për të hequr prej tyre çdo dele pikaloshe dhe laramane, dhe çdo qengj të zi ndër qengjat, si dhe ato që janë laramane dhe pikaloshe ndër dhitë; dhe këto do të jenë pagesa ime.
33 Pastaj drejtësia ime do të përgjigjet për mua në ditët e ardhshme, kur të vish për pagesën time para teje. Çdonjëra që nuk është pikaloshe ose laramane ndër dhitë dhe çdo qengj jo i zi ndër qengjat, nëse gjenden me mua, ai do të konsiderohet i vjedhur".
34 Atëherë Labani tha: "Ja, hajt le të bëhet sipas fjalës sate".
35 Dhe në atë ditë Labani hoqi cjeptë që ishin vija-vija dhe laramanë, dhe të gjitha dhitë pikaloshe dhe laramane, çdo kafshë që kishte të bardhë në të, dhe çdo qengj të zi ndër qengjat, dhe i dha në dorë të bijve të tij.
36 Dhe vendosi një largësi tre ditë rrugë ndërmjet tij dhe Jakobit; dhe Jakobi baritonte pjesën e mbetur të grigjës së Labanit.
37 Atëherë Jakobi mori për vete disa purteka të njoma plepi dhe bajameje, dhe rrapi, dhe qëroi prej tyre lëvozhgat e bardha, duke zbuluar të bardhën që ishte te purtekat.
38 Pastaj, purtekat që kishte qëruar, i vendosi në lugje para grigjave, pra në koritat e ujit ku vinin grigjat për të pirë; dhe ato ishin në afsh kur vinin për të pirë.
39 Kështu, grigjat erdhën në afsh pranë purtekave dhe pollën keca vija-vija, pikaloshë dhe laramanë.
40 Atëherë Jakobi i ndau qengjat dhe i ktheu fytyrat e dhenve drejt atyre vija-vija dhe çdo të ziu ndër dhentë e Labanit; dhe i vuri kopetë e veta veçmas, dhe nuk i vuri pranë grigjës së Labanit.
41 Dhe ndodhi që, sa herë që qenë në afsh të shëndetshmet e grigjës, Jakobi i vuri purtekat përpara syve të grigjës në lugje, që ato të vinin në afsh pranë purtekave,
42 por kur grigja ishte e ligështuar, nuk i vinte. Dhe ndodhi që, të ligshtat ishin të Labanit, ndërsa të shëndetshmet, të Jakobit.
43 Dhe ky burrë e shtoi pasurinë jashtëzakonisht shumë dhe pati grigja të mëdha, dhe shërbëtore, dhe shërbëtorë, dhe deve, dhe gomarë.
Të gjithë librat
