Zanafilla 3
1 Tani, gjarpri ishte më dinak sesa çdo bishë e fushës që Jahveh-u Perëndi kishte bërë, dhe i tha gruas: "A vërtet ka thënë Perëndia: 'Nuk do të hani nga asnjë pemë e kopshtit'?".
2 Dhe gruaja i tha gjarprit: "Nga frutat e pemëve të kopshtit mund të hamë,
3 por nga fruta e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: 'Nuk do të hani nga ajo dhe nuk do të prekni në të, përndryshe do të vdisni'".
4 Dhe gjarpri i tha gruas: "Nuk do të vdisni kurrsesi;
5 përkundrazi, Perëndia e di se në ditën që hani nga ajo, do të hapen sytë tuaj dhe do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën dhe të keqen".
6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për ushqim, dhe që ajo ishte pëlqim për sytë, dhe pema ishte e dëshirueshme për të të bërë të zgjuar. Atëherë ajo mori nga fruta e saj dhe hëngri, dhe ia dha edhe burrit të vet që ishte me të, dhe ai hëngri.
7 Dhe sytë e atyre të dyve u hapën, dhe e kuptuan që ata ishin lakuriq; dhe ata qepën gjethe fiku dhe bënë përparëse për vete.
8 Atëherë dëgjuan zhurmën e Jahveh-ut Perëndi duke ecur në kopsht në flladin e ditës, dhe njeriu e gruaja e tij u fshehën nga fytyra e Jahveh-ut Perëndi mes pemëve të kopshtit.
9 Dhe Jahveh-u Perëndi i thirri njeriut dhe i tha atij: "Ku je?".
10 Dhe njeriu tha: "Zhurmën tënde dëgjova në kopsht dhe u frikësova, sepse unë isha lakuriq, dhe u fsheha".
11 Dhe ai tha: "Kush të tregoi që ti ishe lakuriq? A hëngre nga pema që të urdhërova që të mos haje nga ajo?".
12 Dhe njeriu tha: "Gruaja që ti e dhe për të qenë me mua, ajo më dha nga pema dhe unë hëngra".
13 Dhe Jahveh-u Perëndi i tha gruas: "Çfarë është kjo që bëre?". Dhe gruaja tha: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra".
14 Atëherë Jahveh-u Perëndi i tha gjarprit: "Ngaqë e bëre këtë, i mallkuar je ti ndër gjithë bagëtinë dhe ndër çdo bishë të fushës. Mbi barkun tënd do të ecësh dhe pluhur do të hash të gjitha ditët e jetës sate.
15 Dhe armiqësi do të vë ndërmjet teje dhe gruas, dhe ndërmjet farës sate dhe farës së saj; ajo farë do të të lëndojë kokën dhe ti do t'i lëndosh thembrën".
16 Gruas i tha: "Do ta shtoj së tepërmi mundimin tënd dhe barrën tënde; në dhembje do të lindësh fëmijë. Dhe ndaj burrit tënd do të jetë dëshirimi yt, dhe ai do të sundojë mbi ty".
17 Dhe Adamit i tha: "Ngaqë dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema që të urdhërova duke thënë: 'Nuk do të hash nga ajo!', i mallkuar është dheu për shkakun tënd; në mundim do të hash prej tij të gjitha ditët e jetës sate
18 dhe ferra e gjembaçë do të nxjerrë ai për ty, dhe ti do të hash bimësinë e fushës.
19 Me djersën e ballit do të hash bukë, derisa t'i kthehesh dheut, sepse nga ai u more; sepse ti je pluhur dhe pluhurit do t'i kthehesh".
20 Dhe njeriu ia vuri gruas së tij emrin Eva, sepse ajo qe nëna e çdo të gjalli.
21 Dhe Jahveh-u Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika lëkure dhe i veshi.
22 Atëherë Jahveh-u Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një nga ne, duke njohur të mirën dhe të keqen. Dhe tani, se mos shtrin dorën e tij dhe merr edhe nga pema e jetës dhe ha e jeton përjetë".
23 Dhe Jahveh-u Perëndi e përzuri nga kopshti i Edenit, që të punonte dheun nga i cili u mor.
24 Kështu, ai e dëboi njeriun dhe vendosi nga lindja e kopshtit të Edenit kerubinët dhe flakën e shpatës që vërtitej gjithandej për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.
Të gjithë librat
