Zanafilla 29
1 Dhe Jakobi nisi udhëtimin e tij dhe shkoi në tokën e bijve të Lindjes.
2 Dhe ai pa dhe, ja, kishte një pus në fushë; dhe ja, aty pranë tij ishin shtrirë tri kope dhensh, sepse nga ai pus u jepnin të pinë kopeve. Tani, guri mbi grykën e pusit ishte i madh
3 dhe aty mblidheshin të gjitha kopetë. Atëherë, barinjtë e rrokullisnin gurin nga gryka e pusit dhe u jepnin të pinë dhenve, pastaj e vendosnin përsëri gurin në vendin e vet mbi grykën e pusit.
4 Dhe Jakobi u tha atyre: "O vëllezërit e mi, prej nga jeni ju?". Dhe ata thanë: "Ne jemi nga Harani".
5 Dhe ai u tha atyre: "A e njihni Labanin, birin e Nahorit?". Dhe ata thanë: "E njohim".
6 Dhe ai u tha atyre: "A është mirë?". Dhe ata thanë: "Mirë është, dhe ja, Rakela, bija e tij, po vjen me dhentë".
7 Atëherë ai tha: "Ja, është ende piku i ditës, nuk është koha që të mblidhet bagëtia. Jepuni të pinë dhenve dhe shkoni e kullotini".
8 Por ata thanë: "Nuk mundemi, derisa të mblidhen të gjitha kopetë dhe të rrokullisin gurin nga gryka e pusit; atëherë do t'u japim të pinë dhenve".
9 Ai ende po fliste me ta, kur erdhi Rakela me dhentë e të atit, sepse ajo ishte bareshë.
10 Dhe ndodhi që, sapo Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanit, vëllait të nënës së tij, dhe dhentë e Labanit, vëllait të nënës së tij, Jakobi u afrua dhe rrokullisi gurin nga gryka e pusit, dhe u dha të pinë dhenve të Labanit, vëllait të nënës së tij.
11 Atëherë Jakobi puthi Rakelën dhe ngriti zërin e qau.
12 Pastaj Jakobi i tregoi Rakelës se ai ishte i afërm i atit të saj dhe se ai ishte biri i Rebekës. Dhe ajo vrapoi e ia tregoi të atit.
13 Dhe ndodhi që, si dëgjoi Labani lajmin për Jakobin, birin e motrës së tij, vrapoi që ta takonte dhe e përqafoi, dhe e puthi, dhe e solli në shtëpinë e tij. Atëherë Jakobi ia njoftoi Labanit të gjitha këto gjëra.
14 Dhe Labani i tha: "Njëmend ti je kocka ime dhe mishi im". Dhe Jakobi ndenji me të një muaj.
15 Dhe Labani i tha Jakobit: "A pse je ti i afërmi im, do të më shërbesh falas? Më thuaj, sa duhet të jetë paga jote?".
16 Tani, Labani kishte dy bija: emri i së madhes ishte Lea, ndërsa emri i së voglës, Rakela.
17 Tani, sytë e Leas ishin të dobët, ndërsa Rakela ishte e bukur nga forma dhe e bukur nga pamja.
18 Dhe Jakobi e deshi Rakelën, prandaj tha: "Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël".
19 Dhe Labani tha: "Më mirë të ta jap atë ty sesa t'ia jap një burri tjetër. Rri me mua".
20 Dhe Jakobi shërbeu për Rakelën shtatë vjet, por në sytë e tij ato qenë si pak ditë, për shkak të dashurisë së tij për të.
21 Dhe Jakobi i tha Labanit: "Më jep gruan time, sepse u mbushën ditët e mia, që të hyj tek ajo".
22 Atëherë Labani mblodhi gjithë njerëzit e vendit dhe bëri një gosti.
23 Dhe ndodhi që, në mbrëmje, Labani mori Lean, bijën e tij, dhe e solli tek ai; dhe Jakobi hyri tek ajo.
24 (Dhe Labani i dha asaj, Leas, bijës së tij, si shërbëtore, Zilpën, shërbëtoren e tij.)
25 Dhe ndodhi që, në mëngjes, ja, ishte Lea! Dhe ai i tha Labanit: "Çfarë është kjo që më bëre? A nuk kam shërbyer me ty për Rakelën? E përse ma bëre me hile?".
26 Atëherë Labani tha: "Nuk bëhet kështu në vendin tonë, që të jepet e vogla përpara të parëlindurës.
27 Plotësoje javën e kësaj dhe do të të jepet edhe kjo tjetra për shërbimin që do të bësh me mua edhe për shtatë vjet të tjera".
28 Dhe Jakobi bëri ashtu dhe e plotësoi javën e asaj. Atëherë Labani i dha atij Rakelën, bijën e vet, për grua.
29 (Dhe Labani i dha Rakelës, bijës së tij, Bilhën, shërbëtoren e tij, si shërbëtore të saj.)
30 Dhe Jakobi hyri edhe te Rakela dhe madje e deshi Rakelën më shumë se Lean; dhe ai shërbeu me Labanin edhe për shtatë vjet të tjera.
31 Dhe Jahveh-u pa se Lea urrehej dhe hapi anin e saj; por Rakela ishte shterpë.
32 Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një bir; dhe ia vuri emrin Ruben, sepse tha: "Se Jahveh-u pa në pikëllimin tim; patjetër tani do të më dojë burri im".
33 Dhe ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir; dhe tha: "Ngaqë Jahveh-u dëgjoi se unë jam e urryer, më dha mua edhe këtë bir". Kështu, ia vuri emrin Simeon.
34 Dhe ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir; dhe tha: "Tani, këtë herë, burri im do të bashkohet me mua, sepse i linda atij tre bij". Prandaj ia vuri emrin Levi.
35 Dhe ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir; dhe tha: "Këtë herë do ta përlëvdoj Jahveh-un". Prandaj ia vuri emrin Judë. Pastaj ndaloi së linduri.
Të gjithë librat
