Zanafilla 28
1 Atëherë Isaku thirri Jakobin dhe e bekoi atë. Pastaj e urdhëroi dhe i tha atij: "Nuk do të marrësh grua nga bijat e Kanaanit.
2 Çohu, shko në Padan Aram te shtëpia e Betuelit, atit të nënës sate, dhe merr për vete prej atje një grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës sate.
3 Dhe Perëndia i Plotfuqishëm të bekoftë ty dhe të bëftë të frytshëm, dhe të shumoftë, që ti të bëhesh një bashkësi popujsh.
4 Dhe ai të dhëntë ty bekimin e Abrahamit, ty dhe pasardhjes sate bashkë me ty, që ti të marrësh në trashëgimi tokën ku ti qëndron si i huaj, të cilën ia dha Perëndia Abrahamit".
5 Kështu, Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel, aramiti, vëllai i Rebekës, nënës së Jakobit dhe Esaut.
6 Dhe Esau pa se Isaku e kishte bekuar Jakobin dhe se e kishte dërguar atë në Padan Aram që të merrte për vete prej atje një grua, dhe se ndërsa ai e kishte bekuar atë, edhe e kishte urdhëruar atë duke thënë: "Nuk do të marrësh grua nga bijat e Kanaanit",
7 dhe se Jakobi e kishte dëgjuar atin e tij dhe nënën e tij dhe kishte shkuar në Padan Aram.
8 Dhe Esau pa se bijat e Kanaanit ishin të këqija në sytë e Isakut, atit të tij.
9 Atëherë Esau shkoi tek Ishmaeli dhe mori Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit, si grua për vete, përveç grave që kishte.
10 Dhe Jakobi doli nga Beer Sheba dhe shkoi drejt Haranit.
11 Dhe rastisi në një vend, dhe e kaloi natën atje, sepse dielli kishte perënduar. Atëherë mori një nga gurët e atij vendi dhe e vuri te vendi i kresë, dhe u shtri në atë vend.
12 Dhe ai pa një ëndërr; dhe ja, një shkallë qëndronte në tokë dhe maja e saj prekte qiejt. Dhe ja, engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur në të.
13 Dhe ja, Jahveh-u qëndronte mbi të dhe tha: "Unë jam Jahveh-u, Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isakut. Tokën mbi të cilën ti je shtrirë, do të ta jap ty dhe pasardhjes sate.
14 Dhe pasardhja jote do të jetë si pluhuri i tokës, dhe ti do të çash drejt perëndimit dhe drejt lindjes, dhe drejt veriut, dhe drejt jugut; dhe në ty do të bekohen të gjitha familjet e dheut, si dhe në pasardhjen tënde.
15 Dhe ja, unë jam me ty, dhe do të të mbroj kudo që do të shkosh. Dhe do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të të lë, derisa të kem bërë atë që të kam thënë ty".
16 Atëherë Jakobi u zgjua nga gjumi dhe tha: "Me siguri Jahveh-u është në këtë vend dhe unë nuk e dija!".
17 Dhe ai u frikësua e tha: "Sa i frikshëm ky vend! Ky nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe kjo është porta e qiejve!".
18 Pastaj Jakobi u ngrit herët në mëngjes dhe mori gurin që e kishte vënë te vendi i kresë, dhe e vuri atë si një shtyllë, dhe derdhi vaj mbi majën e tij.
19 Atëherë ia vuri emrin atij vendi Bet-El; megjithatë emri i qytetit më përpara kishte qenë Luz.
20 Dhe Jakobi lidhi një kusht duke thënë: "Nëse Perëndia do të jetë me mua dhe do të më mbrojë në këtë rrugë që unë po shkoj, dhe do të më japë bukë për të ngrënë dhe rrobë për t’u veshur,
21 dhe nëse do të kthehem në paqe te shtëpia e atit tim, atëherë Jahveh-u do të bëhet Perëndia im.
22 Dhe ky gur që kam vënë si shtyllë do të jetë shtëpia e Perëndisë; dhe nga gjithçka që do të më japësh, unë do të të jap ty patjetër një të dhjetën".
Të gjithë librat
