Zanafilla 27
1 Dhe ndodhi që, kur Isaku u plak, sytë e tij u dobësuan aq sa të mos shikonte. Dhe ai thirri Esaun, birin e tij të madh, dhe i tha atij: "Biri im!". Dhe ai i tha atij; "Ja ku jam!".
2 Dhe Isaku tha: "Ja, unë tani jam plakur dhe nuk e di ditën e vdekjes sime.
3 Dhe tani, merr, të lutem, mjetet e tua, kukurën tënde dhe harkun tënd, dhe dil në fushë e gjuaj një gjah për mua,
4 dhe më bëj ca ushqim të shijshëm, ashtu siç e dua unë, dhe sillma që ta ha, me qëllim që të të bekojë shpirti im para se të vdes".
5 Tani, Rebeka po dëgjonte ndërsa Isaku i fliste Esaut, birit të tij. Pastaj Esau shkoi në fushë për të gjuajtur gjah dhe për ta sjellë.
6 Por Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, duke thënë: "Ja, dëgjova atin tënd duke i folur Esaut, vëllait tënd, dhe duke i thënë:
7 'Sillmë gjah dhe më bëj ca ushqim të shijshëm që të ha dhe që të të bekoj përpara Jahveh-ut, përpara vdekjes sime.'
8 Dhe tani, biri im, dëgjoje zërin tim në lidhje me çfarë unë po të urdhëroj.
9 Shko, pra, te kopeja dhe më merr prej aty dy keca të mirë, që të bëj me ta ca ushqim të shijshëm për atin tënd, ashtu siç do ai.
10 Pastaj do ta çosh tek ati yt që ta hajë, me qëllim që të të bekojë përpara vdekjes së tij".
11 Dhe Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, Esau, vëllai im, është burrë leshtor, ndërsa unë jam burrë me lëkurë të lëmuar.
12 Ndoshta ati im do të më prekë dhe atëherë do të dal si tallës në sytë e tij dhe do të sjell mbi vete mallkim e jo bekim".
13 Por nëna e tij i tha: "Rëntë mbi mua mallkimi yt, o biri im! Ti vetëm dëgjoje zërin tim dhe shko më merr kecat".
14 Atëherë ai shkoi dhe mori kecat, dhe ia solli nënës së tij; dhe nëna e tij bëri ca ushqim të shijshëm, ashtu siç donte i ati.
15 Pastaj Rebeka mori rrobat e Esaut, birit të saj të madh, më të çmuarat që ajo kishte në shtëpi, dhe veshi me to Jakobin, birin e saj të vogël.
16 Mori edhe lëkurat e kecave dhe ia vuri mbi duart e tij dhe mbi pjesën e lëmuar të qafës së tij.
17 Pastaj ushqimin e shijshëm dhe bukën që kishte bërë, i vuri në dorën e Jakobit, birit të saj.
18 Atëherë Jakobi erdhi tek ati i tij dhe i tha: "Ati im!". Dhe ai tha: "Ja ku jam! Kush je ti, o biri im?".
19 Dhe Jakobi i tha atit të tij: "Unë jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra ashtu siç më the mua. Çohu tani, ulu dhe ha nga gjahu im, me qëllim që të më bekojë shpirti yt".
20 Dhe Isaku i tha birit të tij: "Si ndodhi kjo që e gjete kaq shpejt, biri im?!". Dhe ai tha: "Sepse Jahveh-u, Perëndia yt, e bëri të dalë para meje".
21 Dhe Isaku i tha Jakobit: "Afrohu, të lutem, që të të ndiej, o biri im, dhe ta di a ti je biri im Esau apo jo".
22 Dhe Jakobi u afrua drejt Isakut, atit të tij, dhe ai e preku e tha: "Zëri është zëri i Jakobit, por duart janë duart e Esaut".
23 Kështu, Isaku nuk e dalloi atë, sepse duart e tij qenë leshtore, si duart e Esaut, vëllait të tij, dhe e bekoi.
24 Atëherë tha: "Ti je biri im Esau?". Dhe ai tha: "Unë jam".
25 Dhe Isaku tha: Ma afro ushqimin, që të ha nga gjahu i birit tim, me qëllim që të të bekojë shpirti im". Dhe ai ia afroi, dhe Isaku hëngri; i solli atij edhe verë dhe ai piu.
26 Atëherë Isaku, ati i tij, i tha atij: Afrohu, të lutem, dhe më puth, o biri im!".
27 Kështu, ai u afrua dhe e puthi atë, dhe Isaku nuhati aromën e rrobave të tij dhe e bekoi, dhe tha: "Shih, aroma e birit tim është si aroma e një fushe që e ka bekuar Jahveh-u.
28 Atëherë, të dhëntë Perëndia nga vesa e qiejve dhe nga pjelloria e tokës, dhe mbushulli gruri e vere të re!
29 Të shërbefshin popuj dhe rënçin përmbys para teje popullsi! Ji zotëria i vëllezërve të tu dhe rënçin përmbys para teje bijtë e nënës sate! Ata që të mallkojnë, qofshin të mallkur, dhe ata që të bekojnë, qofshin të bekuar!".
30 Dhe ndodhi që, sapo mbaroi Isaku së bekuari Jakobin dhe kishte vetëm pak që Jakobi kishte dalë nga prania e Isakut, atit të tij, Esau, vëllai i tij, erdhi nga gjuetia.
31 Dhe bëri edhe ai ca ushqim të shijshëm dhe ia solli atit të tij, dhe i tha atit të tij: "Le të çohet ati im dhe le të hajë nga gjahu i birit të tij, me qëllim që të më bekojë shpirti yt!".
32 Dhe Isaku, ati i tij, i tha: "Kush je ti?". Dhe ai tha: "Unë jam biri yt, i parëlinduri yt, Esau".
33 Atëherë Isakun e përfshiu një dridhje jashtëzakonisht e fortë dhe tha: "Kush ishte, atëherë, ai që gjuajti gjah dhe ma solli, dhe kështu unë hëngra nga gjithë ajo përpara se të vije ti dhe e bekova? Njëmend, ai do të jetë i bekuar!".
34 Si dëgjoi Esau fjalët e atit të tij, këlthiti me një këlthitje jashtëzakonisht të fortë dhe të hidhur, dhe i tha atit të tij: "Më beko edhe mua, o ati im!".
35 Por ai tha: "Vëllai yt erdhi me hile dhe mori bekimin tënd".
36 Dhe Esau tha: "A nuk është për këtë që iu vu emri Jakob?! Se ma hodhi këto dy herë. Ma mori parëbirninë dhe, ja, tani ma mori edhe bekimin!". Pastaj tha: "A nuk ke vënë mënjanë për mua ndonjë bekim?".
37 Por Isaku u përgjigj dhe i tha Esaut: "Ja, e bëra atë zotërinë tënd dhe gjithë vëllezërit e tij ia dhashë atij si shërbëtorë; edhe me grurë dhe me verë të re e mbështeta. Po për ty, atëherë, çfarë mund të bëj, o biri im?".
38 Dhe Esau i tha atit të tij: "A vetëm një bekim të gjendet, o ati im? Më beko edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin e tij dhe qau.
39 Atëherë Isaku, ati i tij, u përgjigj dhe i tha atij: "Ja, larg nga pjelloria e tokës do të jetë vendbanimi yt, dhe larg nga vesa e qiejve përsipër.
40 Dhe prej shpatës sate do të jetosh, dhe vëllait tënd do t'i shërbesh. Dhe do të ndodhë që, kur të mos kesh rehati, do të copëtosh zgjedhën e tij nga qafa jote".
41 Kështu, Esau i mbajti mëri Jakobit për shkak të bekimit me të cilin e bekoi atë ati i tij; dhe Esau tha në zemrën e tij: "Po afrohen ditët e zisë për atin tim; atëherë do ta vras Jakobin, vëllain tim".
42 Por Rebekës iu treguan fjalët e Esaut, birit të saj të madh, dhe ajo dërgoi e thirri Jakobin, birin e saj të vogël, dhe i tha atij: "Ja, Esau, vëllai yt po ngushëllon veten lidhur me ty me idenë se do të të vrasë.
43 Prandaj tani, o biri im, dëgjoje zërin tim dhe çohu e ik te Labani, vëllai im, në Haran,
44 dhe rri me të disa ditë derisa të kalojë mllefi i vëllait tënd,
45 derisa të kalojë zemërimi i vëllait tënd kundër teje dhe të harrojë çfarë i bëre atij. Atëherë unë do të dërgoj njerëz dhe do të të marr prej atje. Përse duhet të mbetem pa fëmijë, pa ju të dy, brenda një dite?!"
46 Pastaj Rebeka i tha Isakut: "Më është neveritur jeta për shkak të bijave të Hetit. Nëse Jakobi merr një grua nga bijat e Hetit, si këto, nga bijat e këtij vendi, ç'vlerë ka jeta për mua?!".
Të gjithë librat
