Zanafilla 26
1 Atëherë pati një zi buke në atë vend, përveç zisë së parë të bukës që qe gjatë ditëve të Abrahamit, dhe Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i filistinëve, në Gerar.
2 Dhe Jahveh-u iu shfaq atij dhe i tha: "Mos zbrit në Egjipt, por bano në tokën që do të të them.
3 Bano si ardhës në këtë vend dhe unë do të jem me ty, dhe do të të bekoj, sepse ty dhe pasardhjes sate do t'ia jap të gjitha këto toka, dhe do ta çoj në vend betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd.
4 Dhe unë do ta shumoj pasardhjen tënde si yjet e qiejve, dhe pasardhjes sate do t'ia jap të gjitha këto toka. Dhe do të bekohen në pasardhjen tënde të gjitha kombet e tokës,
5 për arsye se Abrahami e dëgjoi zërin tim dhe mbajti porosinë time, urdhërimet e mia, statutet e mia dhe ligjet e mia".
6 Kështu, Isaku ndenji në Gerar.
7 Dhe burrat e vendit pyetën për gruan e tij, dhe ai tha: "Ajo është motra ime", sepse pati frikë të thoshte: "Është gruaja ime", ngaqë mendonte: "Se mos burrat e vendi do të më vrasin për shkak të Rebekës, sepse ajo është e bukur nga pamja".
8 Dhe ndodhi që, kur ai kishte qëndruar për një kohë të gjatë atje, Abimeleku, mbreti i filistinëve, shikoi poshtë përmes dritares dhe pa; dhe ja, Isaku po luante me Rebekën, gruan e tij.
9 Atëherë Abimeleku e thirri Isakun dhe i tha: "Ja, sigurisht ajo është gruaja jote! Atëherë si the: 'Ajo është motra ime'?". Dhe Isaku i tha atij: "Sepse thashë: 'Se mos vdes për shkak të saj'".
10 Dhe Abimeleku tha: "Çfarë është kjo që na bëre? Për pak mund të ishte shtirë ndonjëri nga populli me gruan tënde dhe kështu do të kishe sjellë mbi ne një faj."
11 Kështu, Abimeleku urdhëroi gjithë popullin duke thënë: "Ai që prek këtë burrë dhe gruan e tij do të vdesë patjetër!".
12 Atëherë Isaku mbolli në atë tokë dhe në po atë vit mori njëqindfish; dhe Jahveh-u e bekoi.
13 Dhe ai burrë u bë i madh, dhe sa vinte e bëhej më i madh, derisa u bë tepër i madh.
14 Dhe ai pati bagëti të imët dhe bagëti të trashë, si dhe shërbëtorë të shumtë. Dhe filistinët u bënë ziliqarë për të.
15 Kështu, të gjitha puset që kishin gërmuar shërbëtorët e atit të tij në ditët e Abrahamit, atit të tij, filistinët i mbyllën dhe i mbushën me dhe.
16 Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu prej nesh, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne".
17 Dhe Isaku u largua prej atje dhe fushoi në luginën e Gerarit, dhe ndenji atje.
18 Dhe Isaku gërmoi sërish puset e ujit që ishin gërmuar në ditët e Abrahamit, atit të tij, dhe të cilat filistinët i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri atyre emra si emrat që ua kishte vënë atyre ati i tij.
19 Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në atë luginë dhe gjetën atje një pus me ujë të rrjedhshëm.
20 Dhe barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut, duke thënë: "Uji është yni!". Kështu, ai ia vuri emrin pusit Esek, sepse ata bënë sherr me të.
21 Dhe ata gërmuan një pus tjetër, por u grindën edhe për atë. Kështu, ai ia vuri emrin Sitna.
22 Atëherë Isaku lëvizi prej atje dhe gërmoi një pus tjetër, por ata nuk u grindën për këtë. Kështu, ai ia vuri emrin Rehobot dhe tha: "Sepse tani Jahveh-u na ka dhënë zgjerim dhe do të jemi të frytshëm në këtë vend".
23 Dhe Isaku u ngjit prej atje për në Beer Sheba.
24 Dhe Jahveh-u iu shfaq atij po atë natë dhe i tha: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd. Mos u frikëso, sepse unë jam me ty dhe do të të bekoj, dhe do ta shumoj pasardhjen tënde për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim".
25 Atëherë Isaku ndërtoi aty një altar dhe thirri emrin e Jahveh-ut, dhe ngriti aty çadrën e tij. Dhe shërbëtorët e Isakut gërmuan aty një pus.
26 Tani, Abimeleku erdhi tek ai nga Gerari, dhe bashkë me të Ahuzati, miku i tij i ngushtë, dhe Pikoli, kreu i ushtrisë së tij.
27 Dhe Isaku u tha atyre: "Përse keni ardhur tek unë, përderisa ju më urreni dhe më nisët larg nga ju?".
28 Dhe ata thanë: "E kemi parë qartë se Jahveh-u ka qenë me ty. Kështu thamë: 'Le të ketë, tani, një bërje be ndërmjet nesh, ndërmjet nesh dhe teje, dhe të lidhim një besëlidhje me ty,
29 që ti nuk do të bësh asnjë të keqe ndaj nesh, ashtu si ne nuk të kemi prekur, por kemi bërë ndaj teje vetëm të mirë, dhe të kemi nisur në paqe. Ti je tani i bekuari i Jahveh-ut'".
30 Atëherë ai bëri për ta një gosti, dhe ata hëngrën e pinë.
31 Dhe ata u ngritën herët në mëngjes, dhe iu betuan njëri-tjetrit. Pastaj Isaku i nisi dhe ata u larguan nga ai në paqe.
32 Dhe ndodhi që, në po atë ditë, erdhën shërbëtorët e Isakut dhe i treguan në lidhje me pusin që kishin gërmuar, dhe i thanë: "Kemi gjetur ujë!".
33 Kështu, ai e quajti atë Shibah; prandaj emri i qytetit është Beer Sheba deri në këtë ditë.
34 Dhe Esau u bë dyzet vjeç dhe mori për gruan Juditën, bijën e Beerit, hititit, si dhe Basematën, bijën e Elonit, hititit.
35 Dhe ato u bënë shkak hidhërimi për Isakun dhe Rebekën.
Të gjithë librat
