Zanafilla 25
1 Tani, Abrahami mori përsëri një grua, dhe emri i saj ishte Ketura.
2 Dhe ajo i lindi atij Zimranin dhe Jokshanin, dhe Medanin, dhe Midianin, dhe Ishbakun, dhe Shuahun.
3 Tani, Jokshanit i lindën Shebai dhe Dedani. Dhe bijtë e Dedanin qenë Ashurimi dhe Letushimi, dhe Leumimi.
4 Dhe bijtë e Midianit qenë Efahu dhe Eferi, dhe Hanoku dhe Abidai, dhe Eldaahu. Të gjithë këta qenë bijtë e Keturës.
5 Dhe Abrahami ia dha Isakut gjithçka që i përkiste.
6 Ndërsa bijve të konkubinave që pati Abrahami, Abrahami u dha dhurata dhe, ndërsa ai ishte ende gjallë, i dërgoi larg nga Isaku, biri i tij, drejt lindjes, te një tokë e lindjes.
7 Tani, këto janë ditët e viteve të jetës së Abrahamit, që ai jetoi: njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet.
8 Dhe Abrahami dha grahmën dhe vdiq në pleqëri të mirë, plak dhe i ngopur me ditë, dhe iu bashkua popullit të tij.
9 Pastaj atë e varrosën Isaku dhe Ishmaeli, bijtë e tij, te shpella e Makpelahut, te fusha e Efronit, birit të Coharit, hititit, që ishte përkundrejt Mamreut,
10 fusha të cilën e kishte blerë Abrahami nga bijtë e Hetit. Aty u varros Abrahami dhe Sara, gruaja e tij.
11 Dhe ndodhi që, mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia e bekoi Isakun, birin e tij; dhe Isaku banoi pranë Beer Lahai Roit.
12 Tani, këto janë breznitë e Ishmaelit, birit të Abrahamit, të cilin ia lindi Hagara, egjiptasja, shërbëtorja e Sarës, Abrahamit.
13 Dhe këta janë emrat e bijve të Ishmaelit, me emrave të tyre, sipas breznive të tyre: Nebajoti, i parëlinduri i Ishmaelit, dhe Kedari, dhe Adbeeli, dhe Mibsami,
14 dhe Mishmai, dhe Dumahu, dhe Masai,
15 Hadadi dhe Tejmai, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu.
16 Këta janë bijtë e Ishmaelit dhe këta janë emrat e tyre, sipas fshatrave të tyre dhe sipas fushimeve të tyre; dymbëdhjetë princa sipas klaneve të tyre.
17 (Tani, këto janë vitet e jetës së Ishmaelit: njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj dha grahmën dhe vdiq, dhe iu bashkua popullit të tij.)
18 Dhe ata banuan nga Halivahu deri në Shur, që është përkundrejt Egjiptit, që merr për të shkuar drejt Ashurit. Ai zuri vend përkundrejt gjithë vëllezërve të tij.
19 Tani, këto janë breznitë e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku.
20 Dhe Isaku qe dyzet vjeç kur mori Rebekën, bijën e Betuelit, aramitit, nga Padan Arami, motrën e Labanit, aramitit, si grua për vete.
21 Dhe Isaku e përgjëroi Jahveh-un lidhur me gruan e tij, sepse ajo ishte shterpë. Dhe Jahveh-u ia pranoi përgjërimin dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz.
22 Por djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda saj dhe ajo tha: "Nëse është kështu, përse unë jam në këtë gjendje?". Kështu, shkoi për t'u këshilluar me Jahveh-un.
23 Dhe Jahveh-u i tha asaj: "Dy kombe janë në barkun tënd dhe dy popuj do të ndahen nga të përbrendshmet e tua. Dhe një popull do të jetë më i fortë se populli tjetër, dhe i madhi do t'i shërbejë të voglit".
24 Dhe ditët e saj për të lindur u mbushën; dhe ja, kishte binjakë në barkun e saj.
25 Dhe i pari doli kuqalan, i tëri si i mbuluar me gunë leshi; dhe ia vunë emrin Esau.
26 Dhe më pas doli vëllai i tij, dhe dora e tij po kapte thembrën e Esaut. Atëherë iu vu emri Jakob. Tani, Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën ata.
27 Dhe djemtë u rritën, dhe Esau u bë gjahtar i zoti, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte njeri i shtruar, që banonte në çadra.
28 Dhe Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente mishi i gjahut, por Rebeka donte Jakobin.
29 Dhe Jakobi zjeu një gjellë. Dhe erdhi Esau nga fusha, dhe ai ishte i këputur.
30 Atëherë Esau i tha Jakobit: "Më jep të përlaj, të lutem, nga kjo gjëja e kuqe, sepse unë jam i këputur" (për këtë iu vu emri Edom.)
31 Dhe Jakobi tha: "Ma shit fillimisht parëbirninë tënde mua".
32 Dhe Esau tha: "Ja, unë jam gati duke vdekur! E çfarë vlere ka për mua kjo parëbirni?!".
33 Dhe Jakobi tha: "M'u beto fillimisht!". Dhe ai iu betua dhe ia shiti parëbirninë e tij Jakobit.
34 Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë dhe gjellë thjerrëzash; dhe ai hëngri e piu, dhe u çua, dhe shkoi. Kështu, Esau e përbuzi parabirninë.
Të gjithë librat
