Zanafilla 23
1 Dhe jeta e Sarës qe njëqind e njëzet e shtatë vjet; këto qenë vitet e jetës së Sarës.
2 Dhe Sara vdiq në Kirjat Arba (domethënë në Hebron), në tokën e Kanaanit; dhe Abrahami erdhi për të vajtuar për Sarën dhe për ta qarë.
3 Pastaj Abrahami u çua nga prania e së vdekurës dhe u foli bijve të Hetit duke thënë:
4 "Unë jam ardhës dhe jovendës ndër ju; më jepni pronësinë e një varri ndër ju, që të varros të vdekurën time, larg nga sytë e mi".
5 Atëherë bijtë e Hetit iu përgjigjën Abrahamit duke i thënë atij:
6 "Na dëgjo, o imzot! Ti je një princ i Perëndisë në mesin tonë; varrose në më të mirin e varreve tona të vdekurën tënde. Asnjëri prej nesh nuk do ta kursejë për ty varrin e tij, që ti ta varrosësh të vdekurën tënde".
7 Dhe Abrahami u çua dhe ra përmbys para popullit të vendit, bijve të Hetit,
8 dhe foli me ta duke thënë: "Nëse është dëshira juaj që unë të varros të vdekurën time larg nga sytë e mi, më dëgjoni dhe ndërhyni për mua tek Efroni, biri i Coharit,
9 që të më japë shpellën e Makpelahut, që i përket, e cila ndodhet në skajin e fushës së tij. Le të ma japë me çmim të plotë, në praninë tuaj, si pronësi për varr".
10 Tani, Efroni po rrinte ulur në mes të bijve të Hetit. Dhe Efroni, hititi, iu përgjigj Abrahamit në veshët e bijve të Hetit, para gjithë atyre që hynin në portën e qytetit të tij, duke thënë:
11 "Jo, imzot, më dëgjo! Fushën po ta jap ty; edhe shpellën që ndodhet në të, ty po ta jap. Në sytë e bijve të popullit tim po ta jap ty. Varrose të vdekurën tënde".
12 Atëherë Abrahami ra përmbys përpara popullit të vendit
13 dhe i foli Efronit në veshët e popullit të vendit, duke thënë: "Nëse ti do, veç të lutem më dëgjo! Unë do të jap çmimin e fushës; merre prej meje, që të mund të varros të vdekurën time atje".
14 Dhe Efroni iu përgjigj Abrahamit, duke i thënë:
15 "Imzot, më dëgjo! Një tokë për katërqind shekelë argjendi; çfarë është kjo ndërmjet meje dhe teje?! Prandaj varrose të vdekurën tënde".
16 Atëherë Abrahami e dëgjoi Efronin. Dhe Abrahami i peshoi Efronit argjendin për të cilin kishte folur në veshët e bijve të Hetit: katërqind shekelë argjendi, sipas këmbimit valutor të tregut.
17 Kështu, fusha e Efronit, e cila ndodhej në Makpelah, që është përpara Mamreut, fusha dhe shpella që ndodhej në të, si dhe çdo pemë që ishte në atë fushë dhe që ishte në gjithë kufirin e saj rretheqark, i kaloi
18 Abrahamit si blerje në sytë e bijve të Hetit, ndër gjithë ata që hynin në portën e qytetit të tij.
19 Dhe mbas kësaj, Abrahami e varrosi Sarën, gruan e tij, te shpella e fushës së Makpelahut, përkundrejt Mamreut (domethënë Hebronit), në tokën e Kanaanit.
20 Kështu, fusha dhe shpella që ndodhej në të, i kaluan Abrahamit si pronësi për varr nga bijtë e Hetit.
Të gjithë librat
