Zanafilla 22
1 Dhe ndodhi që, mbas këtyre gjërave, Perëndia e sprovoi Abrahamin dhe i tha: "Abraham!". Dhe ai tha: "Ja ku jam".
2 Dhe ai tha: "Merre, tani, birin tënd, një të vetmin tënd, të cilin e do, Isakun, dhe shko në tokën e Moriahut. Atëherë ofroje atë atje, si fli shkrumbimi mbi një nga malet që unë do të të them".
3 Kështu, Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shaloi gomarin e tij, dhe mori dy nga djaloshat e tij me vete, dhe Isakun, birin e tij. Pastaj çau dru për flinë e shkrumbimit dhe u çua, dhe shkoi drejt vendit që i kishte thënë Perëndia.
4 Në ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa vendin nga larg.
5 Dhe Abrahami u tha djaloshave të tij: "Ju rrini këtu me gomarin, ndërsa unë dhe djaloshi do të shkojmë deri atje tej dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi te ju".
6 Atëherë Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit dhe i ngarkoi mbi Isakut, birin e tij, ndërsa në dorën e tij mori zjarrin dhe thikën. Dhe të dy ata ecën bashkë.
7 Dhe Isaku i foli Abrahamit, atit të tij, dhe tha: "O ati im!". Dhe ai tha: "Ja ku jam, biri im". Dhe ai tha: "Ja zjarri dhe drutë, po ku është qengji për flinë e shkrumbimit?".
8 Dhe Abrahami tha: "Perëndia do të sigurojë për vete qengjin për flinë e shkrumbimit, o biri im". Dhe të dy ata ecën bashkë.
9 Dhe arritën te vendi që i kishte thënë atij Perëndia, dhe aty Abrahami ndërtoi altarin dhe rregulloi drutë. Pastaj lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vuri mbi altarin, përsipër druve.
10 Dhe Abrahami zgjati dorën e tij dhe mori thikën për të therur birin e tij.
11 Por i thirri atij engjëlli i Jahveh-ut nga qiejt dhe tha: "Abraham, Abraham!". Dhe ai tha: "Ja ku jam".
12 Dhe ai tha: "Mos e zgjat dorën tënde kundër djaloshit dhe mos i bëj atij asgjë, sepse tani e di se ti i frikësohesh Perëndisë, ngaqë nuk e kurseve birin tënd, një të vetmin tënd, për mua".
13 Dhe Abrahami ngriti sytë dhe pa; dhe ja, një dash mbrapa tij, që ishte kapur në shkurre nga brirët. Atëherë Abrahami shkoi dhe mori dashin, dhe e ofroi si fli shkrumbimi në vend të birit të tij.
14 Dhe Abrahami ia vuri emrin atij vendi "Jahveh-u do të sigurojë", siç thuhet sot: "Në malin e Jahveh-ut do të sigurohet".
15 Dhe engjëlli i Jahveh-ut i thirri Abrahamit për herë të dytë nga qiejt
16 dhe tha: "Në veten time jam betuar, shpall Jahveh-u, se ngaqë e bërë këtë gjë dhe nuk e kurseve birin tënd, një të vetmin tënd,
17 vërtet unë do të të bekoj fort dhe do ta shumoj shumë pasardhjen tënde si yjet e qiejve dhe si rëra që është mbi bregun e detit; dhe pasardhja jote do të marrë në zotërim portën e armiqve të vet.
18 Dhe do të bekohen në pasardhjen tënde të gjitha kombet e tokës, për arsye se e dëgjove zërin tim".
19 Pastaj Abrahami u kthye te djaloshat e tij; dhe ata u çuan dhe shkuan bashkë për në Beer Shebë. Dhe Abrahami banoi në Beer Shebë.
20 Dhe ndodhi që, mbas këtyre gjërave, Abrahamit iu njoftua duke thënë: "Ja, Milka i ka lindur edhe ajo bij Nahorit, vëllait tënd:
21 Uzin, të parëlindurin e tij, dhe Buzin, vëllain e tij, dhe Kemuelin, atin e Aramit,
22 dhe Kesedin, dhe Hazoin, dhe Pildashin, dhe Jidlafin, dhe Betuelin".
23 (Tani, Betuelit i lindi Rebeka.) Këta të tetë ia lindi Milka Nahorit, vëllait të Abrahamit.
24 Dhe konkubina e tij, emri i të cilës ishte Reuma, edhe ajo lindi Tebahun dhe Gahamin, dhe Tahashin, dhe Maakahun.
Të gjithë librat
