Zanafilla 21
1 Dhe Jahveh-u vizitoi Sarën, ashtu siç kishte thënë. Dhe Jahveh-u bëri për Sarën ashtu siç kishte folur.
2 Kështu, Sara u ngjiz dhe i lindi një bir Abrahamit në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar, për të cilën kishte folur me Abrahamin Perëndia.
3 Dhe Abrahami ia vuri emrin birit të tij, që i lindi atij, të cilin ia lindi atij Sara, Isak.
4 Dhe Abrahami e rrethpreu Isakun, birin e tij, kur ai mbushi tetë ditë, ashtu siç e kishte urdhëruar atë Perëndia.
5 Tani, Abrahami ishte njëqind vjeç, kur atij i lindi Isaku, biri i tij.
6 Dhe Sara tha: "Perëndia më bëri të qesh. Kushdo që do ta dëgjojë, do të qeshë me mua".
7 Pastaj tha: "Kush do të mund t'i kumtonte Abrahamit se Sara do të mëndte bij?! Megjithatë unë i linda një bir në pleqërinë e tij".
8 Dhe fëmija u rrit dhe u zvordh, dhe Abrahami bëri një gosti të madhe në ditën që u zvordh Isaku.
9 Dhe Sara pa birin e Hagarës, egjiptases, të cilin ia kishte lindur Abrahamit, duke qeshur.
10 Atëherë i tha Abrahamit: "Dëboje këtë shërbëtore dhe birin e saj, sepse nuk do të jetë trashëgimtar biri i kësaj shërbëtoreje bashkë me birin tim, me Isakun".
11 Dhe kjo gjë qe tepër e keqe në sytë e Abrahamit, për shkak të birit të tij.
12 Por Perëndia i tha Abrahamit: "Të mos jetë e keqe në sytë e tu në lidhje me djaloshin dhe në lidhje me shërbëtoren tënde. Në çdo gjë që të thotë Sara, dëgjoje zërin e saj, sepse në Isakun do të marrë emër pasardhja jote.
13 Edhe birin e shërbëtores do ta bëj, gjithashtu, një komb, sepse ai është pasardhja jote".
14 Dhe Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe mori bukë, dhe një calik ujë, dhe ia dha Hagarës duke ia vënë mbi sup; i dha edhe fëmijën dhe e nisi. Dhe ajo shkoi, dhe u end nëpër shkretëtirën e Beer Shebës.
15 Atëherë mbaroi uji nga caliku dhe ajo e lëshoi fëmijën poshtë njërës nga shkurret,
16 ndërsa vetë shkoi dhe u ul përballë, në largësi sa një gjuajtje me hark, sepse tha: "Nuk dua ta shoh vdekjen e fëmijës!". Kështu, u ul përballë dhe ngriti zërin e saj, dhe qau.
17 Dhe Perëndia e dëgjoi zërin e djaloshit. Dhe engjëlli i Perëndisë i thirri Hagarës nga qiejt, dhe i tha: "Çfarë ke, Hagarë? Mos ki frikë, sepse Perëndia e ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ai ndodhet.
18 Çohu, ngrije djaloshin dhe kape atë me dorën tënde, sepse do ta bëj një komb të madh".
19 Atëherë Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus me ujë. Kështu, ajo shkoi dhe mbushi calikun me ujë, dhe i dha të pijë djaloshit.
20 Dhe Perëndia qe me djaloshin, dhe ai u rrit. Dhe ai banoi në shkretëtirë, dhe qe harkëtar i mbaruar.
21 Dhe ai banoi në shkretëtirën e Paranit, dhe nëna e tij mori për të një grua nga toka e Egjiptit.
22 Dhe ndodhi që, në atë kohë, Abimeleku dhe Pikoli, kreu i ushtrisë së tij, i folën Abrahamit, duke thënë: "Perëndia është me ty në gjithçka që ti bën.
23 Prandaj, tani m'u beto këtu në Perëndinë se nuk do të veprosh rrejshëm me mua, as me pinjollin tim, as me pasardhësin tim, por sipas besëmirësisë që kam treguar ndaj teje, edhe ti do të tregosh besëmirësi ndaj meje dhe ndaj tokës në të cilën ke banuar si ardhës".
24 Dhe Abrahami tha: "Unë betohem".
25 Por Abrahami e qortoi Abimelekun, për shkak të pusit të ujit, të cilin e kishin zaptuar shërbëtorët e Abimelekut.
26 Dhe Abimeleku tha: "Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë. Por as ti nuk ma ke treguar dhe as unë nuk kam dëgjuar gjë deri më sot".
27 Atëherë Abrahami mori dhen dhe gjedhë dhe ia dha Abimelekut, dhe ata të dy lidhën një besëlidhje.
28 Pastaj Abrahami vuri mënjanë shtatë qengje nga grigja.
29 Dhe Abimeleku i tha Abrahamit: "Çfarë janë këto shtatë qengje që i ke vënë mënjanë?".
30 Dhe ai tha: "Se shtatë qengje do të marrësh nga dora ime, me qëllim që të jenë si dëshmi për mua se unë e kam gërmuar këtë pus".
31 Prandaj e quajti atë vend Beer Sheba, sepse atje u betuan ata të dy.
32 Kështu, ata lidhën një besëlidhje në Beer Sheba. Pastaj Abimeleku u çua, edhe Pikoli, kreu i ushtrisë së tij, dhe u kthyen në tokën e filistinëve.
33 Dhe Abrahami mbolli një brukë në Beer Sheba dhe atje thirri emrin e Jahveh-ut, Perëndisë të përjetshëm.
34 Dhe Abrahami banoi si ardhës në tokën e filistinëve për shumë ditë.
Të gjithë librat
