Zanafilla 20
1 Dhe Abrahami udhëtoi prej aty drejt tokës së Negevit dhe banoi midis Kadeshit dhe Shurit; dhe ndenji si ardhës në Gerar.
2 Dhe Abrahami tha për Sarën, gruan e tij: "Ajo është motra ime". Kështu, Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz dhe e mori Sarën.
3 Por Perëndia i erdhi Abimelekut në ëndërr, natën, dhe i tha: "Ja, ti po vdes për shkak të gruas që ke marrë, ngaqë ajo i përket një burri".
4 Tani, Abimeleku nuk i ishte afruar asaj, kështu ai tha: "O Zot, a do ta vrasësh një komb, megjithëse është i drejtë?
5 A nuk më ka thënë ai vetë: 'Ajo është motra ime'?! Edhe ajo, gjithashtu, vetë ka thënë: 'Ai është vëllai im'. Në ndershmërinë e zemrës sime dhe në pafajësinë e duarve të mia e kam bërë këtë".
6 Atëherë Perëndia i tha atij në ëndërr: "Edhe unë e di se në ndershmërinë e zemrës sate e ke bërë këtë, dhe unë, gjithashtu, të kurseva nga të mëkatuarit kundër meje. Prandaj nuk të lashë që ta prekje atë.
7 Dhe tani, ktheja burrit gruan e vet, sepse ai është profet dhe do të lutet për ty që të jetosh. Por nëse ti nuk e kthen, dije se do të vdesësh patjetër ti dhe gjithçka që është e jotja".
8 Kështu, Abimeleku u ngrit herët në mëngjes dhe thirri të gjithë shërbëtorët e tij, dhe tha të gjitha këto fjalë në veshët e tyre; dhe burrat u frikësuan shumë.
9 Atëherë Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: "Çfarë na bëre?! Po çfarë mëkati bëra kundër teje, që solle mbi mua dhe mbi mbretërinë time një mëkat kaq të madh? Ke bërë ndaj meje veprime që nuk duhen bërë".
10 Pastaj Abimeleku i tha Abrahamit: "Çfarë ke parë, që e bërë këtë gjë?".
11 Dhe Abrahami tha: "Se thashë me vete: sigurisht që nuk ka frikë Perëndie në këtë vend dhe këta do të më vrasin për punë të gruas sime.
12 Gjithsesi, ajo është me të vërtetë motra ime, bijë e atit tim, porse jo bijë e nënës sime, dhe u bë gruaja ime.
13 Dhe ndodhi që, si më bëri Perëndia të endem prej shtëpisë së atit tim, i thashë asaj: 'Kjo do të jetë besëmirësia jote, që do të tregosh ndaj meje në çfarëdo vendi ku aty do të hyjmë: thuaj për mua 'Ai është vëllai im''".
14 Atëherë Abimeleku mori të imëta dhe të trasha, dhe skllevër e skllave, dhe ia dha Abrahamit; dhe i ktheu atij Sarën, gruan e tij.
15 Dhe Abimeleku tha: "Ja, toka ime është përpara teje. Bano në atë që është më e mira në sytë e tu".
16 Ndërsa Sarës i tha: "Ja, i dhashë vëllait tënd njëmijë monedha argjendi. Ja, ato do të jenë për ty provë pafajësie ndaj kujtdo që është me ty; dhe me këdo tjetër kështu ti je e përligjur".
17 Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun dhe gruan e tij, dhe skllavet e tij, dhe ato lindën fëmijë,
18 sepse Jahveh-u kishte mbyllur plotësisht çdo an të shtëpisë së Abimelekut, për shkak të çështjes së Sarës, gruas së Abrahamit.
Të gjithë librat
