Zanafilla 2
1 Kështu u përfunduan qiejt dhe toka, dhe gjithë ushtria e tyre.
2 Dhe Perëndia e përfundoi në ditën e shtatë veprën e tij që kishte bërë. Dhe ai reshti në ditën e shtatë nga gjithë vepra e tij që kishte bërë.
3 Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi atë, sepse në të reshti nga gjithë vepra e tij që Perëndia krijoi duke bërë.
4 Këto janë breznitë e qiejve dhe të tokës kur u krijuan, në ditën që Jahveh-u Perëndi bëri tokën dhe qiejt.
5 Tani, nuk kishte ende asnjë shkurre të fushës mbi tokë dhe asnjë bimësi e fushës ende nuk kishte mbirë, sepse Jahveh-u Perëndi nuk kishte bërë të binte shi mbi tokë dhe nuk kishte njeri për ta punuar dheun,
6 por njomështi ngrihej nga toka dhe ujiste gjithë faqen e dheut.
7 Atëherë Jahveh-u Perëndi formoi njeriun me pluhur nga dheu dhe i fryu në flegrat e hundës hukamë jete, dhe njeriu u bë shpirt i gjallë.
8 Dhe Jahveh-u Perëndi mbolli një kopsht në Eden, nga lindja, dhe e vendosi aty njeriun që kishte formuar.
9 Dhe Jahveh-u Perëndi bëri të mbijë nga dheu çdo pemë që ishte e dëshirueshme për shikim dhe e mirë për ushqim; ndodheshin edhe pema e jetës në mes të kopshtit dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.
10 Tani, një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin, dhe prej andej ndahej dhe bëhej në katër krerë lumenjsh.
11 Emri i të parit është Pishon; ky është ai që rrethon gjithë tokën e Havilahut, atje ku ka ar
12 dhe ari i asaj toke është i mirë; atje gjenden bdeli dhe guri i shohamit;
13 dhe emri i lumit të dytë është Gihon; ky është ai që rrethon gjithë tokën e Kushit;
14 dhe emri i lumit të tretë është Tigër; ky është ai që shkon në lindje të Ashurit; dhe lumi i katërt është Eufrati.
15 Dhe Jahveh-u Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit për ta punuar dhe për ta mbikëqyrur.
16 Dhe Jahveh-u Perëndi e urdhëroi njeriun, duke thënë: "Nga çdo pemë e kopshtit mund të hash lirisht,
17 por nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes nuk do të hash nga ajo, sepse në ditën që të hash nga ajo, do të vdesësh patjetër".
18 Dhe Jahveh-u Perëndi tha: "Nuk është e mirë që njeriu të jetë vetëm; do t'i bëj atij një ndihmës që i përputhet".
19 Dhe Jahveh-u Perëndi formoi nga dheu çdo bishë të fushës dhe çdo shpend të qiejve dhe e solli te njeriu për të parë si do ta quante atë, dhe sido që do ta quante njeriu atë qenie të gjallë, ky do të ishte emri i vet.
20 Dhe njeriu u vuri emra gjithë bagëtisë dhe shpendëve të qiejve, dhe çdo bishe të fushës, po për njeriun nuk u gjend një ndihmës që i përputhej atij.
21 Dhe Jahveh-u Perëndi bëri të bjerë një gjumë i thellë mbi njeriun dhe ai fjeti. Pastaj mori një nga anët e tij dhe vuri mish në vend të saj.
22 Dhe Jahveh-u Perëndi e bëri anën që mori prej njeriut në një grua dhe e solli te njeriu.
23 Dhe njeriu tha: "Kjo, më në fund, është kockë nga kockat e mia dhe mish nga mishi im; kjo do të quhet grua, sepse kjo u mor nga burri".
24 Për këtë arsye burri e lë atin e tij dhe nënën e tij dhe ngjitet me gruan e tij, dhe bëhen një mish i vetëm.
25 Dhe të dy ata ishin lakuriq, njeriu dhe gruaja e tij, dhe nuk kishin turp.
Të gjithë librat
