Zanafilla 19
1 Dhe dy engjëjt erdhën në Sodomë në mbrëmje, ndërsa Loti po rrinte ulur te porta e Sodomës. Dhe Loti i pa, dhe u çua për t'i takuar. Atëherë ra përmbys me fytyrë drejt tokës
2 dhe tha: "Ja, tani, o zotërinjtë e mi, ktheni, ju lutem, nga shtëpia e shërbëtorit tuaj dhe kaloni natën, dhe lani këmbët tuaja. Pastaj mund të ngriheni herët dhe të shkoni në rrugën tuaj". Por ata thanë: "Jo, përkundrazi, në shesh do ta kalojmë natën".
3 Por ai i shtyu ata shumë dhe ata kthyen nga ai, dhe hynë te shtëpia e tij. Atëherë ai bëri për ta një gosti dhe poqi bukë të ndorme; dhe ata hëngrën.
4 Përpara se të shtriheshin për të fjetur, burrat e qytetit, burrat e Sodomës, nga i riu deri te plaku, gjithë populli nga çdo skaj, rrethuan shtëpinë
5 dhe i thirrën Lotit, dhe i thanë: "Ku janë burrat që hynë te ti sonte? Na i nxirr që t'i njohim!".
6 Atëherë Loti doli drejt tyre te hyrja dhe mbylli derën mbrapa tij,
7 dhe tha: "Ju lutem, vëllezërit e mi, mos bëni keq.
8 Ja, tani, unë kam dy bija të cilat nuk kanë njohur burrë. Do t'jua nxjerr tani ato dhe bëjuni atyre si t'ju duket e mirë në sytë tuaj, vetëm këtyre burrave mos u bëni gjë, duke qenë se kanë hyrë nën strehën e çatisë sime".
9 Por ata thanë: "Bëj tutje!". Pastaj thanë: "Ky erdhi për të banuar si ardhës dhe tani merr përsipër të gjykojë! Ndaj teje do të sillemi më keq sesa ndaj atyre!". Dhe e shtynë burrin Lot me forcë dhe u afruan për të thyer derën.
10 Por burrat zgjatën duart e tyre dhe e tërhoqën Lotin drejt tyre në shtëpi, dhe mbyllën derën.
11 Dhe burrat që ishin te hyrja e shtëpisë, i goditën me verbim, nga i vogli e deri tek i madhi. Kështu, ata u lodhën në përpjekje që të gjenin hyrjen.
12 Pastaj burrat i thanë Lotit: "Kush është tjetër yti këtu? Dhëndurë dhe bijtë e tu, dhe bijat e tua, dhe këdo që është yti në qytet, nxirri nga vendi.
13 Se ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse këlthitja e tyre është e madhe përpara Jahveh-ut dhe Jahveh-u na dërgoi për ta shkatërruar atë".
14 Atëherë Loti doli dhe u foli dhëndurëve të tij, që do të martoheshin me bijat e tij, dhe tha: "Çohuni, dilni nga ky vend, sepse Jahveh-u do ta shkatërrojë qytetin!". Por në sytë e dhëndurëve të tij ai u duk si dikush që bën shaka.
15 Dhe kur çeli agimi, engjëjt e nxituan Lotin, duke thënë: "Çohu, merr gruan tënde dhe dy bijat e tua që gjenden këtu, përndryshe do të zhdukesh në ndëshkimin e qytetit".
16 Por ai ngurroi. Atëherë burrat mbërthyen dorën e tij dhe dorën e gruas së tij, dhe duart e dy bijave të tij, nga dhembshuria e Jahveh-ut për të. Dhe ata e nxorën, dhe e lanë jashtë qytetit.
17 Dhe ndodhi që, si i nxorën ata përjashta, njëri tha: "Ik për të shpëtuar jetën tënde! Mos këqyr mbrapa teje dhe mos qëndro askund në rrafshinë. Ik drejt malit, përndryshe do të zhdukesh!".
18 Por Loti u tha atyre: "Jo, ju lutem, o zotërinjtë e mi!
19 Shiko tani, shërbëtori yt gjeti hir në sytë e tu dhe ti e ke madhëruar besëmirësinë tënde, që shfaqe me mua duke e mbajtur gjallë shpirtin tim, por unë nuk do të mund të iki në mal, se mbase më zë e keqja dhe vdes.
20 Shiko tani, ky qytet është afër për t'ia mbathur aty dhe ai është i vogël. Le të iki, të lutem, aty (a nuk është i vogël ai?), që të mbetet gjallë shpirti im!".
21 Dhe ai i tha atij: "Ja, po të pranoj edhe lidhur me këtë çështje, që të mos e përmbys qytetin për të cilin fole.
22 Shpejt, ik aty, sepse nuk do të mund të bëj gjë, derisa ti të kesh hyrë aty". (Prandaj u vendos emri i qytetit Coar.)
23 Dielli kishte dalë mbi tokë kur Loti hyri në Coar.
24 Atëherë Jahveh-u bëri të bjerë mbi Sodomën dhe mbi Gomorrën shi squfuri dhe zjarri nga ana e Jahveh-ut, prej qiejve,
25 dhe i përmbysi këto qytete dhe gjithë rrafshinën, dhe gjithë banorët e qyteteve, si dhe bimët e dheut.
26 Por gruaja e Lotit këqyri pas, nga mbrapa tij, dhe u bë shtyllë kripe.
27 Dhe Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi drejt vendit ku atje kishte qëndruar përpara Jahveh-ut.
28 Atëherë shikoi poshtë në drejtim të Sodomës dhe Gomorrës, dhe në drejtim të gjithë tokës së rrafshinës, dhe pa; dhe ja, tymi i dendur prej tokës ishte ngjitur lart, si tymi i dendur i një furre.
29 Kështu ndodhi që, kur shkatërroi Perëndia qytetet e rrafshinës, Perëndia kujtoi Abrahamin dhe e largoi Lotin nga mesi i përmbysjes, kur përmbysi qytetet në të cilat kishte banuar Loti.
30 Dhe Loti u ngjit nga Coari dhe banoi në mal, si dhe dy bijat e tij bashkë me të, sepse pati frikë të banonte në Coar. Kështu, ai banoi në shpellë; edhe dy bijat e tij.
31 Atëherë e parëlindura i tha së voglës: "Ati ynë është plak dhe nuk ka burrë në këtë tokë që të hyjë te ne sipas mënyrës së gjithë tokës.
32 Eja, le ta bëjmë atin tonë të pijë verë dhe le të shtrihemi me të, që të mbajmë gjallë pasardhjen prej atit tonë".
33 Atëherë e bënë atin e tyre të pijë verë në atë natë dhe e parëlindura hyri dhe u shtri me të atin. Dhe ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri dhe as kur ajo u çua.
34 Dhe ndodhi që, të nesërmen, e parëlindura i tha së voglës: "Ja, mbrëmë u shtriva me atin tim. Le ta bëjmë të pijë verë edhe sonte dhe ti hyr dhe shtrihu me të, që të mbajmë gjallë pasardhjen prej atit tonë".
35 Atëherë e bënë edhe në atë natë atin e tyre të pijë verë dhe e vogla u çua dhe u shtri me të. Dhe ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri dhe as kur ajo u çua.
36 Dhe të dyja bijat e Lotit u ngjizën nga ati i tyre.
37 Dhe e parëlindura lindi një bir dhe ia vuri emrin Moab. Ai është ati i moabitëve që rrojnë deri sot.
38 Gjithashtu edhe e vogla; ajo lindi një bir dhe ia vuri emrin Ben-ami. Ai është ati i bijve të Amonit që rrojnë deri sot.
Të gjithë librat
