Zanafilla 18
1 Dhe Jahveh-u iu shfaq atij në lisat e Mamreut, ndërsa Abrahami po rrinte ulur në hyrjen e çadrës, në zhegun e ditës.
2 Dhe ai ngriti sytë dhe pa; dhe ja, tre burra po qëndronin kundrejt tij. Dhe i pa, dhe vrapoi nga hyrja e çadrës për t'i takuar, dhe ra përmbys përtokë,
3 dhe tha: "O Zot, nëse, tani, kam gjetur hir në sytë e tu, të lutem, mos shko më tej pa u ndalur te shërbëtori yt.
4 Të lutem, le të sillet pak ujë, që të lani këmbët, dhe çlodhuni nën pemë,
5 dhe le të sjell një copë bukë, që ta merrni veten. Pastaj mund të shkoni, se për këtë keni kaluar nga shërbëtori juaj". Dhe ata thanë: "Bëj kështu siç the".
6 Dhe Abrahami nxitoi drejt çadrës, te Sara, dhe i tha: "Nxito! Merr tri seah miell të imët, mbruje dhe bëj kuleçë!".
7 Abrahami vrapoi edhe te gjedhët dhe mori një viç njomëzak dhe të mirë, dhe ia dha një djaloshi; dhe ky nxitoi që ta përgatiste.
8 Pastaj mori gjizë dhe qumësht, si dhe viçin që kishte përgatitur, dhe i vuri përpara tyre, ndërsa vetë po qëndronte në këmbë kundrejt tyre nën pemë; dhe ata hëngrën.
9 Atëherë ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Dhe ai tha: "Ja, është në çadër".
10 Dhe njëri tha: "Do të kthehem patjetër te ti mot në këtë kohë dhe ja, Sara, gruaja jote, do të ketë një bir". Dhe Sara po dëgjonte në hyrjen e çadrës që ndodhej mbas tij.
11 (Tani, Abrahami dhe Sara ishin pleq, të shkuar në moshë; Sarës i kishin ndaluar së ardhuri të përmuajshmet).
12 Dhe Sara qeshi me vete, duke thënë: "Mbasi jam vjetruar, a ka për mua kënaqësi, kur edhe zotëria im është plak?!".
13 Dhe Jahveh-u i tha Abrahamit: "Çfarë është kjo, që Sara qeshi duke thënë: 'Vallë, me të vërtetë do të lind, kur unë vetë jam plakë?!'?".
14 A është e pamundur ndonjë gjë për Jahveh-un?! Në kohën e caktuar unë do të kthehem te ti, mot në këtë kohë, dhe Sara do të ketë një bir".
15 Por Sara e mohoi, duke thënë: "Nuk qesha", sepse pati frikë. Dhe ai tha: "Jo, përkundrazi, qeshe!".
16 Atëherë burrat u çuan prej aty dhe shikuan poshtë në drejtim të Sodomës. Edhe Abrahami po ecte bashkë me ta për t'i përcjellë.
17 Tani, Jahveh-u tha: "A do ta mbaj unë të fshehtë nga Abrahami atë që unë po bëj,
18 meqenëse Abrahami do të bëhet patjetër një komb i madh dhe i fuqishëm, dhe do të bekohen në të, të gjitha kombet e tokës?
19 Sepse e kam njohur atë, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij mbas tij që të mbajnë rrugën e Jahveh-ut për të bërë çfarë është drejtësi dhe e drejtë, që kështu Jahveh-u të sjellë mbi Abrahamin atë që ka thënë në lidhje me të".
20 Atëherë Jahveh-u tha: "Ngaqë klithma e Sodomës dhe Gomorrës është e madhe, dhe ngaqë mëkati i tyre është tepër i rëndë,
21 unë do të zbres tani dhe do të shoh nëse ata kanë vepruar tërësisht sipas këlthitjes së tyre që ka ardhur drejt meje; dhe nëse jo, do ta marr vesh".
22 Atëherë burrat u kthyen prej aty dhe shkuan drejt Sodomës, ndërsa Abrahami po qëndronte ende përpara Jahveh-ut.
23 Dhe Abrahami u afrua dhe tha: "A me të vërtetë do ta zhdukësh të drejtin bashkë me të ligun?
24 Ndoshta ka pesëdhjetë të drejtë brenda qytetit. A me të vërtetë do ta zhdukësh dhe nuk do ta kursesh vendin për hir të pesëdhjetë të drejtëve që janë brenda tij?
25 Qoftë larg teje të bërët e kësaj gjëje: që të bësh të vdesë i drejti bashkë me të ligun dhe, kështu, të jetë njëlloj si i drejti e si i ligu! Qoftë larg teje! Ai që gjykon gjithë tokën, a nuk do të bëjë çfarë është e drejtë?!".
26 Dhe Jahveh-u tha: "Nëse gjej në Sodomë pesëdhjetë të drejtë brenda qytetit, atëherë do ta kursej gjithë vendin për hir të tyre".
27 Atëherë Abrahami u përgjigj dhe tha: "Ja, të lutem, marr guximin që t'i flas Zotit, megjithëse unë jam pluhur dhe hi.
28 Ndoshta atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë. A do ta shkatërrosh gjithë qytetin për pesë veta?" Dhe ai tha: "Nuk do ta shkatërroj, nëse gjej atje dyzet e pesë".
29 Dhe Abrahami vazhdoi përsëri t'i flasë atij dhe tha: "Ndoshta gjenden atje dyzet". Dhe ai tha: "Nuk do ta bëj për hir të të dyzetëve".
30 Atëherë Abrahami tha: "Të lutem, të mos nxehet Zoti, që unë të flas. Ndoshta gjenden atje tridhjetë". Dhe ai tha: "Nuk do ta bëj, nëse gjej atje tridhjetë".
31 Dhe Abrahami tha: "Ja, të lutem, marr guximin t'i flas Zotit. Ndoshta gjenden atje njëzet". Dhe ai tha: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".
32 Atëherë Abrahami tha: "Të lutem, të mos nxehet Zoti, që unë të flas edhe vetëm këtë herë. Ndoshta gjenden atje dhjetë". Dhe ai tha: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve".
33 Atëherë Jahveh-u u largua, sapo mbaroi së foluri me Abrahamin, dhe Abrahami u kthye në vendin e vet.
Të gjithë librat
