Zanafilla 17
1 Dhe ndodhi që, kur Abrami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Jahveh-u iu shfaq Abramit dhe i tha: "Unë jam Perëndia i plotfuqishëm. Ec përpara meje dhe ji i ndershëm,
2 që unë ta vë besëlidhjen time ndërmjet meje dhe teje, dhe që të të shumoj jashtë mase tepër".
3 Atëherë Abrami ra me fytyrë përdhe dhe Perëndia i foli atij, duke thënë:
4 "Sa për mua, ja besëlidhja ime me ty: dhe ti do të bëhesh atë i një shumice kombesh.
5 Dhe nuk do të thirret më emri yt Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse të kam vënë si atë të një shumice kombesh.
6 Dhe do të të bëj të frytshëm jashtë mase tepër, dhe do të bëj prej teje kombe, dhe mbretër do të dalin prej teje.
7 Dhe do ta caktoj besëlidhjen time ndërmjet meje dhe teje, dhe pasardhjes sate mbas teje, përgjatë brezave të tyre, si një besëlidhje të përjetshme, që të bëhem Perëndia yt dhe i pasardhjes sate mbas teje.
8 Dhe do të të jap ty dhe pasardhjes sate mbas teje tokën ku ti qëndron si i huaj, të gjithë tokën e Kanaanit, si pronësi të përjetshme. Dhe unë do të bëhem Perëndia i tyre".
9 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Dhe sa për ty, ti do të mbash besëlidhjen time, ti dhe pasardhja jote mbas teje përgjatë brezave të tyre.
10 Kjo është besëlidhja ime, që ju do ta mbani ndërmjet meje dhe jush, dhe pasardhjes sate mbas teje: duhet që të rrethpritet çdo mashkull që është ndër ju.
11 Dhe do të rrethpriteni në mishin e lafshës suaj, dhe kjo do të bëhet si shenjë e besëlidhjes ndërmjet meje dhe jush.
12 Dhe kur të mbushë tetë ditë, do të rrethpritet çdo mashkull që është ndër ju përgjatë brezave tuaj, qoftë një i lindur në shtëpi e qoftë një që është blerë me para nga çdo i huaj i cili vetë nuk është prej pasardhjes sate.
13 Do të rrethpritet patjetër qoftë ai që ka lindur në shtëpinë tënde e qoftë ai që ke blerë me paratë e tua; dhe besëlidhja ime do të bëhet në mishin tuaj si besëlidhje e përjetshme.
14 Por një mashkull i parrethprerë, që nuk rrethpritet në mishin e lafshës së tij, ai njeri do të zhbihet prej popullit të tij; ai ka thyer besëlidhjen time".
15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Sa për Sarajën, gruan tënde, nuk do ta thërrasësh emrin e saj Sarajë, porse Sara do të jetë emri i saj.
16 Dhe unë do ta bekoj atë, dhe madje kam për të të dhënë ty një bir prej saj. Dhe unë do ta bekoj, dhe ajo do të bëhet nënë kombesh; mbretër popujsh do të vijnë prej saj".
17 Atëherë Abrahami ra me fytyrën përdhe dhe qeshi, dhe tha në zemrën e tij: "A mund t'i lindet fëmijë një njëqindvjeçari? Dhe a mundet vallë Sara që është nëntëdhjetë vjeçe të lindë fëmijë?".
18 Dhe Abrahami i tha Perëndisë: "Ah, veç të jetojë Ishmaeli përpara teje!".
19 Dhe Perëndia tha: "Përkundrazi, Sara, gruaja jote, do të të lindë ty një bir dhe do t'ia vësh emrin Isak. Dhe unë do ta caktoj besëlidhjen time me të si një besëlidhje të përjetshme për pasardhjen e tij mbas tij.
20 Dhe sa për Ishmaelin, unë të dëgjova; ja, unë e kam bekuar atë dhe do ta bëj të frytshëm, dhe do ta shumoj jashtë mase tepër. Prej tij do të lindin dymbëdhjetë princa dhe unë do ta bëj një komb të madh.
21 Por besëlidhjen time do ta caktoj me Isakun të cilin do të ta lindë ty Sara në këtë kohë të caktuar, në vitin tjetër".
22 Kështu, mbaroi së foluri me të dhe Perëndia u ngjit lart nga Abrahami.
23 Atëherë Abrahami mori Ishmaelin, birin e tij, dhe gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij, dhe gjithë ata që kishte blerë me paratë e tij, çdo mashkull nga burrat e shtëpisë së Abrahamit, dhe rrethpreu mishin e lafshës së tyre në po atë ditë, ashtu si kishte folur me të Perëndia.
24 Tani, Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur ai u rrethpre në mishin e lafshës së tij,
25 ndërsa Ishmaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç kur ai u rrethpre në mishin e lafshës së tij.
26 Në po atë ditë u rrethpre Abrahami dhe Ishmaeli, biri i tij.
27 Edhe gjithë burrat e shtëpisë së tij, qoftë ai që kishte lindur në shtëpi e qoftë ai që kishte blerë me para nga i huaji, u rrethprenë bashkë me të.
Të gjithë librat
