Zanafilla 16
1 Tani, Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte lindur atij fëmijë, dhe ajo kishte një shërbëtore egjiptase, dhe emri i saj ishte Hagar.
2 Dhe Saraja i tha Abramit: "Shiko tani, Jahveh-u ma ka mbyllur barkun nga të lindurit fëmijë. Hyr, të lutem, te shërbëtorja ime, ndoshta do të bëhem me fëmijë prej saj". Dhe Abrami e dëgjoi zërin e Sarajës.
3 Dhe Saraja, gruaja e Abramit, mori Hagarën, egjiptasen, shërbëtoren e vet, në fund të dhjetë vjetëve qëkur Abrami po banonte në tokën e Kanaanit, dhe ia dha atë Abramit, burrit të saj, si grua për të.
4 Dhe ai hyri te Hagara dhe ajo u ngjiz. Atëherë ajo pa që u ngjiz dhe kështu zonja e saj u nënçmua në sytë e saj.
5 Dhe Saraja i tha Abramit: "Dhuna ndaj meje rëntë mbi ty! Unë vetë e vura shërbëtoren time në gjirin tënd, por ajo pa që u ngjiz dhe unë u nënçmova në sytë e saj. Jahveh-u gjykoftë ndërmjet meje dhe teje!".
6 Dhe Abrami i tha Sarajës: "Ja, shërbëtorja jote është në dorën tënde. Bëji asaj çfarë të duket e mirë në sytë e tu". Dhe Saraja e keqtrajtoi atë, dhe Hagara iku nga prania e saj.
7 Dhe engjëlli i Jahveh-ut e gjeti atë pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit që është në rrugën drejt Shurit,
8 dhe i tha: "Hagarë, shërbëtorja e Sarajës, prej nga ke ardhur dhe ku po shkon?". Dhe ajo tha: "Unë po iki nga prania e Sarajës, zonjës sime".
9 Atëherë engjëlli i Jahveh-ut i tha: "Kthehu te zonja jote dhe përvujtërohu nën duart e saj".
10 Dhe engjëlli i Jahveh-ut i tha: "Unë do ta shumoj shumë pasardhjen tënde saqë nuk do të mund të numërohet për shkak të morisë së saj".
11 Dhe engjëlli i Jahveh-ut i tha: "Ja, ti je shtatzënë dhe po lind një bir, dhe do t'ia vësh emrin Ishmael, sepse Jahveh-u e dëgjoi pikëllimin tënd.
12 Dhe ai do të jetë një njeri si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër çdokujt dhe dora e çdokujt, kundër tij, dhe ai do të banojë përkundrejt gjithë vëllezërve të tij".
13 Dhe ajo thirri emrin e Jahveh-ut që i kishte folur asaj: "Ti je Perëndia që më shikon". Sepse ajo tha: "A njëmend jam këtu, mbasi pashë atë që më shikon?".
14 Prandaj pusi u quajt "Beer Lahaj Roi" (ja, ai ndodhet midis Kadeshit dhe Beredit).
15 Dhe Hagara i lindi Abramit një bir, dhe Abrami ia vuri emrin të birit që lindi Hagara, Ishmael.
16 Tani, Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kur Hagara i lindi Abramit Ishmaelin.
Të gjithë librat
