Zanafilla 15
1 Mbas këtyre gjërave, fjala e Jahveh-ut i erdhi Abramit në vegim, duke thënë: "Mos u frikëso, Abram! Unë jam mburojë për ty. Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".
2 Dhe Abrami tha: "O Zot Jahveh, çfarë do të më japësh mua, se unë po shkoj i pafëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është ai Eliezeri i Damaskut?".
3 Dhe Abrami tha: "Ja, ti nuk më ke dhënë mua pasardhës; atëherë ja, një i lindur në shtëpinë time është trashëgimtari im".
4 Dhe ja, fjala e Jahveh-ut i erdhi atij, duke thënë: "Nuk do të jetë ky trashëgimtari yt, porse ai që do të dalë nga brendësia jote; ai do të jetë trashëgimtari yt".
5 Dhe e nxori Abramin jashtë, dhe tha: "Këqyr tani drejt qiejve dhe numëro yjet, nëse mundesh që t'i numërosh ata". Dhe i tha atij: "Kështu do të jetë pasardhja jote".
6 Dhe ai besoi në Jahveh-un dhe ky ia llogariti këtë për drejtësi.
7 Dhe i tha atij: "Unë jam Jahveh-u i cili të nxora ty nga Uri i kaldeasve për të ta dhënë ty këtë tokë, që ta marrësh në trashëgimi".
8 Dhe ai tha: "O Zot Jahveh, nga se do ta di që do ta marr në trashëgimi?".
9 Dhe ai i tha atij: "Më sill një mëshqerrë trivjeçare dhe një dhi trivjeçare, dhe një dash trevjeçar, dhe një turtull, dhe një pëllumb të ri".
10 Dhe ai ia solli atij të gjitha këto, dhe i ndau ato në mes, dhe e vuri njërën copë përkundër tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.
11 Dhe zogjtë grabitqarë zbritën mbi kufomat, por Abrami i përzuri.
12 Dhe ndodhi që, kur dielli po perëndonte, një gjumë i thellë ra mbi Abramin; dhe ja, tmerr dhe errësirë e madhe po binte mbi të.
13 Atëherë Perëndia i tha Abramit: "Ta dish mirë që pasardhësit e tu do të jenë ardhës në një tokë jo të tyren, dhe do të jenë skllevër e do t'i keqtrajtojnë ata për katërqind vjet.
14 Por edhe unë, kombin të cilit do t'i jenë skllevër, do ta gjykoj; dhe më pas ata do të dalin prej tij me kamje të madhe.
15 Ndërsa ti do të shkosh tek etërit e tu në paqe; do të varrosesh kur të jesh në pleqëri të mirë.
16 Dhe në brezin e katërt, ata do të kthehen këtu, sepse paudhësia e amoritëve nuk është e përmbushur ende".
17 Dhe ndodhi që dielli perëndoi dhe u bë terrim; dhe ja, një mangall që nxirrte tym dhe një pishtar i zjarrtë, i cili kaloi midis atyre dy pjesëve të kafshëve.
18 Në atë ditë Jahveh-u lidhi me Abramin një besëlidhje duke thënë: "Pasardhjes sate do t'ia jap këtë tokë, nga lumi i Egjiptit deri te lumi i madh, lumi i Eufratit:
19 tokën e kenitëve dhe të kenizitëve, dhe të kadmonitëve,
20 dhe të hititëve, dhe të perizitëve, dhe të refaimëve,
21 dhe të amoritëve, dhe të kanaanitëve, dhe të girgashitëve, dhe të jebusitëve".
Të gjithë librat
