Zanafilla 14
1 Dhe ndodhi që, në ditët e Amrafelit, mbretit të Shinarit, Ariokut, mbretit të Elasarit, Kedorlaomerit, mbretit të Ejlamit, dhe Tidalit mbretit të Gojimit,
2 ata bënë luftë me Berain, mbretin e Sodomës, dhe me Birshain, mbretin e Gomorrës, dhe me Shinabin, mbretin e Admahut, dhe me Shemeberin, mbretin e Cebojimit, dhe me mbretin e Belaut (domethënë Coarit).
3 Të gjithë këta u bashkuan në luginën e Sidimit (domethënë Detit të Kripur).
4 Për dymbëdhjetë vjet ata i kishin shërbyer Kedorlaomerit, por në vitin e trembëdhjetë ngritën krye.
5 Dhe në vitin e katërmbëdhjetë erdhi Kedorlaomeri dhe mbretërit që ishin me të dhe goditën refaimët në Ashterot-Karnajim, dhe zuzimët në Ham, dhe ejmimët në Shaveh-Kirjataim,
6 dhe horitët në malin e tyre Seir, deri në El-Paran që ndodhet pranë shkretëtirës.
7 Pastaj u kthyen dhe erdhën drejt Ejn-Mishpatit (domethënë Kadeshit), dhe goditën gjithë fushën e amalekitëve, dhe gjithashtu amoritët që banonin në Hacecon-Tamar.
8 Atëherë doli mbreti i Sodomës dhe mbreti i Gomorrës, dhe mbreti i Admahut, dhe mbreti i Cebojimit, dhe mbreti i Belaut (domethënë Coarit), dhe u rreshtuan bashkë me ta për luftë në luginën e Sidimit,
9 kundër Kedorlaomerit, mbretit të Ejlamit, dhe Tidalit, mbretit të Gojimit, dhe Amrafelit, mbretit të Shinarit, dhe Arjokut, mbretit të Elasarit; katër mbretër kundër atyre të pesëve.
10 (Tani, lugina e Sidimit ishte plot me puse bitumi.) Dhe mbretërit e Sodomës dhe Gomorrës ia mbathën, dhe ranë brenda tyre, ndërsa ata që mbetën pas, ia mbathën drejt malit.
11 Atëherë fituesit morën gjithë kamjen e Sodomës dhe Gomorrës, si dhe gjithë ushqimin e tyre, dhe u larguan.
12 Morën edhe Lotin, birin e vëllait të Abramit, dhe kamjen e tij, dhe u larguan. (Tani, Loti ishte duke banuar në Sodomë).
13 Dhe një i ikur erdhi dhe ia tregoi Abramit, hebreut. Tani, ky ishte duke banuar te lisat e Mamreut, amoritit, vëllait të Eshkolit dhe të Anerit; dhe këta ishin besëlidhës me Abramin.
14 Dhe Abrami dëgjoi që vëllai i tij ishte zënë rob. Atëherë ai nxori njerëzit e tij të stërvitur, të lindur në shtëpinë e tij, treqind e tetëmbëdhjetë veta, dhe u vu në ndjekje deri në Dan.
15 Dhe ai i përndau natën njerëzit e tij kundër tyre, ai dhe shërbëtorët e tij, dhe i goditi e i ndoqi ata deri në Hobah, që ndodhet në veri të Damaskut.
16 Dhe ai rimori gjithë kamjen; gjithashtu edhe Lotin, vëllain e tij, dhe kamjen e tij. Rimori gjithashtu edhe gratë dhe popullin.
17 Atëherë mbreti i Sodomës, mbasi Abrami po kthehej nga mposhtja e Kedorlaomerit dhe e mbretërve që ishin bashkë me të, doli për ta takuar te lugina e Shavehut (domethënë Lugina e Mbretit).
18 Dhe Melkisedeku, mbreti i Salemit, nxori bukë dhe verë. (Tani, ai ishte prift i Perëndisë Shumë të Lartë.)
19 Dhe ai e bekoi Abramin, dhe tha: "Bekuar qoftë Abrami nga Perëndia Shumë i Lartë, zotërues i qiejve dhe tokës!
20 Dhe bekuar qoftë Perëndia Shumë i Lartë, i cili i ka dorëzuar kundërshtarët e tu në duart e tua!". Atëherë Abrami i dha atij të dhjetën nga gjithçka.
21 Dhe mbreti i Sodomës i tha Abramit: "Më jep mua njerëzit, ndërsa kamjen mbaje për vete".
22 Por Abrami i tha mbretit të Sodomës: "Kam ngritur lart dorën time në be drejt Jahveh-ut, Perëndisë Shumë të Lartë, zotërues i qiejve dhe tokës,
23 se nuk do të marr asgjë, që nga një fije peri e deri te një rrip sandaleje, nga gjithçka që është e jotja, që të mos thuash: 'Unë e bëra të pasur Abramin.'
24 Duke përjashtuar veten time, do të marr vetëm ato që kanë ngrënë të rinjtë, si dhe pjesën e burrave që kanë ardhur me mua: Aneri, Eshkoli dhe Mamreu; ata le të marrin pjesën e tyre".
Të gjithë librat
