Zanafilla 13
1 Dhe Abrami u ngjit nga Egjipti drejt Negevit; ai dhe gruaja e tij, bashkë me gjithçka që i përkiste. Edhe Loti ishte me të.
2 Tani, Abrami ishte tepër i pasur në bagëti, në argjend dhe në ar.
3 Dhe ai vijoi në udhëtimet e tij nga Negevi e deri në Bet-El, deri në vendin ku atje kishte qenë çadra e tij në fillim, midis Bet-Elit dhe Ait,
4 drejt vendit të altarit që kishte bërë atje për herë të parë. Dhe atje Abrami thirri emrin e Jahveh-ut.
5 Edhe Loti, gjithashtu, që shkoi me Abramin, kishte dhen dhe gjedhë, dhe çadra.
6 Por ajo tokë nuk mund t'i mbante ata, që të banonin së bashku; sepse kamja e tyre ishte e madhe dhe ata nuk mund të banonin së bashku.
7 Atëherë ndodhi një rragatje ndërmjet barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. (Tani, kanaanitët dhe perizitët banonin atëherë në atë tokë.)
8 Dhe Abrami i tha Lotit: "Le të mos ketë, të lutem, grindje ndërmjet meje dhe teje, dhe ndërmjet barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse ne jemi vëllezër.
9 A nuk është gjithë kjo tokë përpara teje? Ndahu, të lutem, prej meje. Nëse ti shkon majtas, atëherë unë do të shkoj djathtas; dhe nëse ti shkon djathtas, atëherë unë do të shkoj majtas".
10 Dhe Loti ngriti sytë, dhe pa gjithë rrafshinën e Jordanit se ishte e gjitha e ujitur (kjo përpara se Jahveh-u të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën) si kopshti i Jahveh-ut, si toka e Egjiptit, kur ti shkon drejt Coarit.
11 Kështu, Loti zgjodhi për vete gjithë rrafshinën e Jordanit. Dhe Loti udhëtoi drejt lindjes, dhe kështu ata u ndanë nga njëri-tjetri.
12 Abrami banoi në tokën e Kanaanit, ndërsa Loti banoi në qytetet e rrafshinës dhe i lëvizi çadrat deri në Sodomë.
13 (Tani, njerëzit e Sodomës ishin tepër të këqij dhe mëkatarë kundër Jahveh-ut.)
14 Dhe Jahveh-u i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: "Ngri tani sytë e tu dhe shih nga vendi ku ti je atje, drejt veriut dhe drejt jugut, dhe drejt lindjes, dhe drejt perëndimit,
15 sepse gjithë tokën që ti po sheh, do të ta jap ty dhe pasardhjes sate në përjetësi.
16 Dhe do ta bëj pasardhjen tënde si pluhurin e tokës, saqë nëse dikush mundet që të numërojë pluhurin e tokës, edhe pasardhja jote do të mund të numërohet.
17 Çohu, shko gjithandej nëpër këtë tokë për së gjati dhe për së gjeri, sepse ty do të ta jap".
18 Dhe Abrami i lëvizi çadrat dhe erdhi e banoi te lisat e Mamreut, që ndodheshin në Hebron, dhe atje ndërtoi një altar për Jahveh-un.
Të gjithë librat
