Zanafilla 11
1 Tani, gjithë toka kishte një gjuhë të vetme dhe të njëjtat fjalë.
2 Dhe ndodhi që, kur njerëzit udhëtuan nga lindja, ata gjetën një luginë në tokën e Shinarit dhe banuan atje.
3 Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Ejani, le të bëjmë tulla dhe t'i pjekim mirë!". Kështu, ata kishin tullë në vend të gurit dhe kishin bitum në vend të llaçit.
4 Atëherë thanë: "Ejani, le të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë, dhe maja e saj të arrijë në qiej; dhe le të bëjmë për vete një emër, që të mos shpërndahemi mbi faqen e gjithë tokës".
5 Dhe Jahveh-u zbriti për të parë qytetin dhe kullën që kishin ndërtuar bijtë e njeriut.
6 Dhe Jahveh-u tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe të gjithë ata kanë një gjuhë të vetme, dhe kjo është çfarë ata filluan të bëjnë. Dhe tani, për ta nuk do të jetë e pamundur asgjë që e kanë vënë qëllim për ta bërë.
7 Ejani, le të zbresim dhe të përziejmë atje gjuhën e tyre, që ata të mos kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit!".
8 Kështu, Jahveh-u i shpërndau ata prej atje mbi faqen e gjithë tokës dhe ata ndaluan së ndërtuari qytetin.
9 Prandaj iu vu emri Babel, sepse atje Jahveh-u përzieu gjuhën e gjithë tokës dhe prej atje Jahveh-u i shpërndau mbi faqen e gjithë tokës.
10 Këto janë breznitë e Semit: Semi ishte njëqind vjeç dhe i lindi Arpakshadi, dy vjet mbas përmbytjes.
11 Dhe Semi, mbasi i lindi Arpakshadi, jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.
12 Dhe Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu.
13 Dhe Arpakshadi, mbasi i lindi Shelahu, jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.
14 Dhe Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi.
15 Dhe Shelahu, mbasi i lindi Eberi, jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.
16 Dhe Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe i lindi Pelegu.
17 Dhe Eberi, mbasi i lindi Pelegu, jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
18 Dhe Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.
19 Dhe Pelegu, mbasi i lindi Reu, jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
20 Dhe Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu.
21 Dhe Reu, mbasi i lindi Serugu, jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
22 Dhe Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori.
23 Dhe Serugu, mbasi i lindi Nahori, jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.
24 Dhe Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu.
25 Dhe Nahori, mbasi i lindi Terahu, jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
26 Dhe Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.
27 Dhe këto janë breznitë e Terahut: Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti.
28 Dhe Harani vdiq në praninë e Terahut, atit të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të kaldeasve.
29 Dhe Abrami e Nahori morën gra për veten e tyre. Emri i gruas së Abramit ishte Sarajë dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milka, bija e Haranit, që ishte ati i Milkasë dhe ati i Iskasë.
30 Por Saraja ishte shterpë; ajo nuk kishte fëmijë.
31 Dhe Terahu mori Abramin, birin e tij, dhe Lotin, birin e Haranit, birin e birit të tij, dhe Sarajën, renë e tij, gruan e Abramit, birit të tij, dhe dolën së bashku nga Uri i kaldeasve për të shkuar në tokën e Kanaanit; dhe arritën deri në Haran, dhe banuan atje.
32 Dhe ditët e Terahut ishin dyqind e pesë vjet; pastaj Terahu vdiq në Haran.
Të gjithë librat
