Zanafilla 1
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
2 Tani, toka qe asgjësi e zbrazësi, dhe errësirë qe mbi sipërfaqe të thellësisë; dhe Fryma e Perëndisë po flatronte mbi sipërfaqen e ujërave.
3 Dhe Perëndia tha: "Të jetë dritë!". Dhe qe dritë.
4 Dhe Perëndia pa dritën se ishte e mirë, dhe Perëndia bëri ndarje ndërmjet dritës dhe errësirës.
5 Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë", ndërsa errësirën e quajti "natë". Dhe qe mbrëmje, dhe qe mëngjes: dita një.
6 Dhe Perëndia tha: "Të jetë një kupë në mes të ujërave, dhe të bëjë ndarje ndërmjet ujërave nga ujërat".
7 Dhe Perëndia bëri kupën dhe ndau ndërmjet ujërave që ishin përposhtë kupës, dhe ujërave që ishin përsipër kupës. Dhe kështu qe.
8 Dhe Perëndia e quajti kupën "qiej". Dhe qe mbrëmje, dhe qe mëngjes: dita e dytë.
9 Dhe Perëndia tha: "Të mblidhen ujërat përposhtë qiejve te një vend dhe të shfaqet tera". Dhe kështu qe.
10 Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe të mbledhurit e ujërave e quajti "dete". Dhe Perëndia pa se ishte e mirë.
11 Dhe Perëndia tha: "Të mugullojë toka barishte, bimësi që farëzon farë dhe pemë frutore që bën frutë sipas llojit të vet, që ka farën e vet në të, mbi tokë". Dhe kështu qe.
12 Dhe toka nxori barishte, bimësi që farëzon farë sipas llojit të vet dhe pemë që bën frutë, që ka farën e vet në të sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte e mirë.
13 Dhe qe mbrëmje, dhe qe mëngjes: dita e tretë.
14 Dhe Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën e qiejve për të ndarë ndërmjet ditës e natës dhe të jenë për shenja, dhe për kohë të caktuara, dhe për ditë e vite;
15 dhe të jenë si ndriçues në kupën e qiejve për të ndriçuar mbi tokë". Dhe kështu qe.
16 Dhe Perëndia bëri dy ndriçuesit e mëdhenj: ndriçuesin e madh për sundimin e ditës dhe ndriçuesin e vogël për sundimin e natës; si dhe yjet.
17 Dhe Perëndia i vuri ata në kupën e qiejve për të ndriçuar mbi tokën,
18 dhe për të sunduar mbi ditën dhe mbi natën, dhe për të ndarë ndërmjet dritës dhe errësirës. Dhe Perëndia pa se ishte e mirë.
19 Dhe qe mbrëmje, dhe qe mëngjes: dita e katërt.
20 Dhe Perëndia tha: "Të gëlojnë ujërat gëlim qeniesh të gjalla dhe shpendët të fluturojnë mbi tokë, nëpër sipërfaqen e kupës së qiejve".
21 Dhe Perëndia krijoi përbindëshat e mëdhenj të detit dhe çdo qenie të gjallë që rrëshqet, të cilat gëlojnë ujërat sipas llojit të vet, dhe çdo shpend me flatra sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte e mirë.
22 Dhe Perëndia i bekoi ata, duke thënë: "Jini të frytshëm dhe shumohuni, dhe mbushni ujërat në dete; dhe shpendët të shumohen mbi tokën".
23 Dhe qe mbrëmje, dhe qe mëngjes: dita e pestë.
24 Dhe Perëndia tha: "Të nxjerrë toka qenie të gjalla sipas llojit të vet, bagëti dhe zvarranikë, dhe bisha të tokës sipas llojit të vet". Dhe kështu qe.
25 Dhe Perëndia bëri bishat e tokës sipas llojit të vet dhe bagëtinë sipas llojit të vet, dhe çdo zvarranik të dheut sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte e mirë.
26 Atëherë Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë, sipas ngjasimit tonë, dhe ata të sundojnë mbi peshqit e detit dhe mbi shpendët e qiejve, dhe mbi bagëtinë, dhe mbi gjithë tokën, dhe mbi çdo zvarranik që zvarritet mbi tokën".
27 Dhe Perëndia e krijoi njeriun në shëmbëllimin e tij, në shëmbëllimin e Perëndisë e krijoi atë; mashkull dhe femër i krijoi ata.
28 Dhe Perëndia i bekoi ata; dhe Perëndia u tha atyre: "Jini të frytshëm dhe shumohuni, dhe mbushni tokën e nënshtrojeni, dhe sundoni mbi peshqit e detit dhe mbi shpendët e qiejve, dhe mbi çdo gjallesë që zvarritet mbi tokën".
29 Atëherë Perëndia tha: "Ja, ju jap juve çdo bimësi që farëzon farë, e cila është mbi faqen e gjithë tokës, dhe çdo pemë që ka në të frutë të pemës që farëzon farë; këto do të jenë për ju si ushqim.
30 Dhe çdo bishe të tokës dhe çdo shpendi të qiejve, dhe çdo gjëje që zvarritet mbi tokën, që ka në të frymim jete, i jap çdo bimësi të gjelbër si ushqim". Dhe kështu qe.
31 Dhe Perëndia pa gjithçka që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë e mirë. Dhe qe mbrëmje, dhe qe mëngjes: dita e gjashtë.
Të gjithë librat
