Veprat e Apostujve 7
1 Dhe kryeprifti tha: "A janë vallë kështu këto gjëra?".
2 Dhe ai tha: "O burra, vëllezër dhe etër, dëgjoni! Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abraham kur ishte në Mesopotami, para se ai të banonte në Haran,
3 dhe i tha: 'Dil prej tokës sate dhe prej farefisit tënd, dhe eja në një tokë që do të të tregoj.'
4 Atëherë, mbasi ai doli prej tokës së kaldeasve, banoi në Haran; dhe prej aty, mbasi i vdiq i ati, Perëndia e zhvendosi në këtë tokë, në të cilën banoni ju tani.
5 Dhe nuk i dha atij trashëgimi në të, as edhe një çap, megjithatë premtoi për t'ia dhënë atë në pronësi atij dhe pasardhjes së tij mbas tij, ndonëse ai nuk kishte fëmijë.
6 Por Perëndia foli kështu: 'Pasardhja e tij do të jetë ardhëse në një tokë të huaj dhe atje do ta skllavërojnë e do ta keqtrajtojnë për katërqind vjet.
7 Dhe kombin, të cilit do t'i jenë skllevër, do ta gjykoj unë', tha Perëndia, 'dhe mbas këtyre gjërave, do të dalin dhe do të më ofrojnë shërbesë në këtë vend'.
8 Dhe Perëndia i dha një besëlidhje rrethprerjeje; dhe kështu atij i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë, dhe Isakut i lindi Jakobi, dhe Jakobit të dymbëdhjetë patriarkët.
9 Dhe patriarkët, duke u bërë xhelozë për Jozefin, e shitën në Egjipt. Por Perëndia ishte me të
10 dhe e liroi prej të gjitha mundimeve të tij; dhe i dha atij hir dhe urtësi në sytë e Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ky e caktoi epror mbi Egjiptin dhe mbi tërë shtëpinë e vet.
11 Tani, ra një zi buke mbi tërë tokën e Egjiptit dhe Kanaanin, edhe një mundim i madh; dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.
12 Por kur Jakobi dëgjoi që ka grurë në Egjipt, dërgoi herën e parë etërit tanë.
13 Dhe në herën e dytë që shkuan, Jozefi iu bë i njohur vëllezërve të vet dhe Faraonit iu bë i ditur fisi i Jozefit.
14 Dhe Jozefi dërgoi e thirri atin e vet, Jakobin, dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë shpirtra.
15 Dhe Jakobi zbriti në Egjipt dhe aty vdiq, ai vetë dhe etërit tanë.
16 Dhe eshtrat u zhvendosën në Sikem dhe u vunë në varrin që bleu Abrahami me çmim argjendi nga bijtë e Emorit, atit të Sikemit.
17 Por, ndërsa po afronte koha e premtimit për të cilin Perëndia i kishte bërë be Abrahamit, populli u rrit dhe u shumua në Egjipt,
18 derisa u ngrit një mbret tjetër, i cili nuk e njihte Jozefin.
19 Ky mbret, duke e shfrytëzuar me mashtrim racën tonë, i keqtrajtoi etërit tanë aq sa për t'i hedhur jashtë foshnjat e tyre, me qëllim që të mos mbeteshin gjallë.
20 Në këtë kohë u lind Moisiu dhe ishte i pashëm në sytë e Perëndisë. Ai u rrit për tre muaj në shtëpinë e të atit,
21 dhe kur ai u hodh jashtë, e mori bija e Faraonit dhe e rriti për vete si bir.
22 Dhe Moisiu u edukua në çdo urtësi të egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë dhe në vepra.
23 Por si mbushi moshën dyzetvjeçare, i erdhi në zemër për të vizituar vëllezërit e tij, bijtë e Izraelit.
24 Dhe kur pa dikë duke iu bërë padrejtësi, e mbrojti dhe u hakmor për atë që po shtypej, duke e goditur për vdekje egjiptianin.
25 Tani, ai kujtonte që vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia po u jepte atyre shpëtim nëpërmjet dorës së tij, por ata nuk e kuptuan.
26 Dhe ditën pasuese iu shfaq atyre ndërsa po ziheshin dhe i shtyu për paqe mes tyre, duke thënë: 'O burra, ju jeni vëllezër, përse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?'.
27 Por ai që i bënte padrejtësi të afërmit, e shtyu Moisiun, duke thënë: 'Kush të caktoi ty kryetar dhe gjyqtar mbi ne?
28 Mos do ti të më vrasësh në atë mënyrë që vrave dje egjiptianin?'.
29 Dhe Moisiu, me të dëgjuar këtë fjalë, iku dhe u bë ardhës në tokën e Madiamit, ku i lindën dy bij.
30 Dhe ndërsa u mbushën dyzet vjet, atij iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai një engjëll i Zotit në flakën e një ferrishte që digjej.
31 Dhe kur Moisiu e pa, u mrekullua me vegimin; dhe ndërsa ai u afrua për të kundruar, erdhi drejt tij zëri i Zotit:
32 'Unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit'. Dhe Moisiu, duke u dridhur, nuk guxonte të kundronte.
33 Por Zoti i tha: 'Zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin po qëndron, është tokë e shenjtë.
34 E pashë patjetër keqtrajtimin e popullit tim që është në Egjipt dhe psherëtimën e tyre e dëgjova, dhe zbrita që t'i liroj. Dhe tani eja, do të të dërgoj në Egjipt'.
35 Këtë Moisi, të cilin e mohuan duke thënë: 'Kush të caktoi ty kryetar dhe gjyqtar?', pikërisht këtë Perëndia e dërgoi si kryetar dhe si shpengimtar, me dorën e engjëllit që iu shfaq në ferrishtë.
36 Ky u priu jashtë atyre, duke bërë çudira dhe shenja në tokën e Egjiptit dhe në Detin e Kuq, dhe në shkretëtirë për dyzet vjet.
37 Ky është ai Moisiu që u tha bijve të Izraelit: 'Zoti, Perëndia juaj, do të ngrejë për ju një profet si unë prej vëllezërve tuaj. Atë duhet ta dëgjoni!'.
38 Ky është ai që qe në bashkësinë në shkretëtirë me engjëllin që i fliste në malin Sinai dhe me etërit tanë, i cili mori thënie të gjalla për të na i dhënë neve.
39 Atij nuk deshën t'i bindeshin etërit tanë, përkundrazi, e hodhën poshtë dhe në zemrat e tyre u kthyen në Egjipt,
40 duke i thënë Aronit: 'Na bëj disa perëndi që do të shkojnë para nesh, sepse këtij Moisiut, i cili na priu jashtë prej tokës së Egjiptit, nuk e dimë çfarë i ka ndodhur'.
41 Dhe bënë një viç në ato ditë, dhe i çuan flijim idhullit, dhe nisën të galdonin me veprat e duarve të tyre.
42 Por Perëndia ktheu shpinën dhe i dorëzoi që t'i ofronin shërbesë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e Profetëve: 'Mos vallë më ofruat therorë dhe flijime për dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpi e Izraelit?
43 Ju edhe mbartët tabernakullin e Molokut dhe yllin e perëndisë tuaj Remfan, figura që i bëtë për t'i adhuruar. Edhe unë do t'ju zhvendos përtej Babilonisë'.
44 Etërit tanë kishin tabernakullin e dëshmisë në shkretëtirë, ashtu siç udhëzoi ai që i foli Moisiut për ta bërë sipas gjedhes që kishte parë,
45 të cilin, kur e morën në dorëzim, etërit tanë edhe e futën me Jozueun në tokën e shpronësuar prej kombeve, të cilat Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë, deri në ditët e Davidit,
46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të gjente një tendë për Perëndinë e Jakobit.
47 Por Solomoni i ndërtoi një shtëpi Perëndisë.
48 Megjithatë, Shumë i Larti nuk banon në shenjtërore të bëra me dorë, ashtu siç thotë profeti:
49 'Qielli është froni im dhe toka nënkëmbëz e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, apo cili është vendi i pushimit tim?
50 A nuk i bëri dora ime këto të gjitha?'
51 O kokëfortë dhe të parrethprerë në zemër dhe veshë! Ju përherë i kundërviheni Frymës së Shenjtë. Ashtu siç bënë etërit tuaj, kështu edhe ju.
52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmëruan rreth ardhjes së të Drejtit, ndaj të cilit ju tani jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;
53 ju të cilët e morët Ligjin me anë urdhrash dhënë nga engjëj dhe nuk e ruajtët".
54 Tani, duke i dëgjuar këto, ata po tërboheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
55 Por Stefani, duke qenë i mbushur me Frymën e Shenjtë, shikoi ngultas drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin duke qëndruar në të djathtë të Perëndisë;
56 dhe tha: "Ja, po vërej qiejt të hapur dhe Birin e Njeriut duke qëndruar në të djathtë të Perëndisë!".
57 Dhe ata, duke bërtitur me zë të lartë, mbyllën veshët dhe u turrën me një mendje mbi të.
58 Dhe si e nxorën jashtë qytetit, nisën ta qëllonin me gurë; dhe dëshmitarët i hodhën rrobat e tyre pranë këmbëve të një të riu që quhej Saul.
59 Dhe vazhdonin ta qëllonin me gurë Stefanin, ndërsa ai thërriste dhe thoshte: "O Zot Jezus, pranoje frymën time!".
60 Dhe duke rënë në gjunjë, thirri me zë të lartë: "O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!". Dhe si tha këtë, fjeti.
Të gjithë librat
