Veprat e Apostujve 28
1 Dhe si shpëtuan, morën vesh atëherë se ishulli quhej Maltë.
2 Dhe vendasit po na ofronin një njerëzi të jashtëzakonshme, sepse ndezën një zjarr dhe na morën pranë të gjithëve, për shkak të shiut që binte dhe për shkak të të ftohtit.
3 Por ndërsa Pali mblodhi një krah shkarpa dhe i vuri mbi zjarr, prej të nxehtit doli një nepërkë dhe iu ngjit dorës së tij.
4 Dhe si e panë vendasit kafshën duke iu varur prej dorës, thoshin me njëri-tjetrin: "Patjetër është vrasës ky njeri i cili, megjithëse u shpëtua nga deti, Drejtësia nuk e lejoi të jetojë".
5 Atëherë ai e shkundi kafshën në zjarr dhe nuk pësoi asgjë të keqe,
6 ndërsa ata prisnin që ai do të ënjtej, ose do të binte papritmas përtokë i vdekur. Por ndërsa ata pritën për shumë kohë dhe nuk vërejtën që t'i ndodhte asgjë e pazakontë, ndryshuan mendim dhe nisën të thoshin se ai është perëndi.
7 Tani, në zonat rreth atij vendi gjendeshin trojet e të parit të ishullit, me emrin Publius, i cili na mori dhe na mikpriti miqësisht tri ditë.
8 Dhe ndodhi që i ati i Publiusit dergjej duke vuajtur me ethe dhe dizenteri. Mbasi Pali hyri tek ai dhe u lut, duke vënë duart sipër tij, e shëroi.
9 Atëherë, si ndodhi kjo, edhe të tjerë në ishull që kishin lëngata, vinin tek ai dhe shëroheshin.
10 Ata, madje, na nderuan me shumë nderime dhe, kur do të niseshim në lundrim, vunë në bord gjërat për të cilat kishim nevojë.
11 Tani, mbas tre muajsh u nisëm në lundrim në një anije nga Aleksandria, me stemën e Binjakëve, që kishte dimëruar në ishull.
12 Dhe si zbritëm në Sirakuzë, ndenjëm aty tri ditë.
13 Prej aty, mbasi shkuam përreth, arritëm në Regjio dhe mbas një dite, kur fryu jugë, erdhëm ditën e dytë në Pocuoli,
14 ku gjetëm vëllezër dhe u përgjëruam prej tyre që të rrinim tek ata shtatë ditë. Dhe kështu erdhëm në Romë.
15 Dhe vëllezërit, kur dëgjuan gjërat që kishin të bënin me ne, dolën prej aty deri te Forumi i Apit dhe te Tri Tavernat për të na takuar. Kur Pali i pa ata, falënderoi Perëndinë dhe mori kurajë.
16 Dhe kur erdhëm në Romë, centurioni ia dorëzoi të burgosurit komandantit të kampit, por Palit iu lejua që të rrinte më vete bashkë me ushtarin që e ruante.
17 Tani, mbas tri ditësh ndodhi që Pali thirri bashkë ata që ishin të parët e judenjve; dhe mbasi ata u bënë bashkë, nisi t'u thoshte atyre: "O burra, vëllezër, unë ndonëse nuk bëra asgjë kundër popullit apo zakoneve të etërve, më dorëzuan të burgosur prej Jerusalemit në duart e romakëve,
18 të cilët, mbasi më hetuan, donin të më lironin, për shkak se në mua nuk kishte asnjë arsye që të meritonte vdekje.
19 Por ngaqë judenjtë kundërshtonin, u detyrova që t'i apelohesha Cezarit – jo se kam diçka për ta paditur kombin tim.
20 Për këtë arsye, pra, ju thirra që t'ju shoh dhe të flas me ju, sepse për shkak të shpresës së Izraelit qarkohem nga ky zinxhir".
21 Dhe ata i thanë: "Ne as kemi marrë letër për ty nga Judeja, as nuk erdhi ndokush nga vëllezërit dhe njoftoi apo foli gjë të ligë rreth teje.
22 Por ne e çmojmë me vend që të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse rreth këtij sekti na është bërë e njohur se gjithandej kundërshtohet".
23 Dhe mbasi i caktuan një ditë, erdhën tek ai në vendin ku banonte më të shumtë në numër; atyre u shpjegonte, duke dëshmuar Mbretërinë e Perëndisë dhe duke u përpjekur t'i bindte për gjërat lidhur me Jezusin, qoftë nga Ligji i Moisiut e qoftë nga Profetët, nga mëngjesi e deri në mbrëmje.
24 Dhe disa bindeshin prej atyre që thuheshin, ndërsa të tjerë nuk besonin.
25 Dhe duke qenë në mospajtim me njëri-tjetrin, nisën të largoheshin mbasi Pali tha një thënie: "Mirë u foli Fryma e Shenjtë nëpërmjet profetit Isaia etërve tanë,
26 duke thënë: 'Shko te ky popull dhe thuaji: me vëmendje do të dëgjoni, e aspak nuk do të kuptoni; dhe duke parë, do të shihni, e aspak nuk do të shikoni.
27 Sepse zemra e këtij populli u trash dhe me veshët e tyre dëgjuan me vështirësi, dhe sytë e tyre i mbyllën, që të mos shikojnë me sy dhe me veshë të mos dëgjojnë, dhe me zemër të mos kuptojnë, dhe të mos kthehen, dhe të mos i shëroj'.
28 Ta dini, pra, se shpëtimi i Perëndisë iu dërgua kombeve; ata edhe do të dëgjojnë!".
29 Dhe mbasi ai i tha këto gjëra, judenjtë u larguan duke pasur shumë rragatje ndër vete.
30 Dhe Pali ndenji plot dy vjet në banesën e vet me qira, dhe mirëpriste të gjithë ata që hynin tek ai,
31 duke predikuar Mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat në lidhje me Zotin Jezu Krisht me shumë guxim, pa pengesë.
Të gjithë librat
