Veprat e Apostujve 22
1 "O burra, vëllezër dhe etër, dëgjoni tani mbrojtjen time para jush".
2 (Tani, kur dëgjuan se po u drejtohej atyre në të folmen hebraike, bënë më tepër qetësi.) Dhe Pali tha:
3 "Unë, në të vërtetë, jam një burrë judé, lindur në Tars të Kilikisë, por rritur në këtë qytet, pranë këmbëve të Gamalielit, edukuar sipas përpikërisë së Ligjit të etërve, duke qenë i zellshëm për Perëndinë, ashtu siç jeni të gjithë ju sot.
4 Unë e përndoqa këtë Udhë deri në vdekje, duke lidhur dhe hedhur në burgje qoftë burra e qoftë gra,
5 siç edhe mund të dëshmojnë për mua kryeprifti dhe gjithë pleqësia, nga të cilët edhe mora letra për vëllezërit dhe u nisa të shkoja në Damask, që edhe ata që janë atje, t'i çoja të lidhur në Jerusalem, me qëllim që të ndëshkoheshin.
6 Por më ndodhi që, duke shkuar rrugës dhe duke iu afruar Damaskut rreth mesditës, papritur shkreptiu prej qiellit një dritë e fortë rreth meje
7 dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë duke më thënë: 'Saul, Saul, pse më përndjek?'.
8 Dhe unë u përgjigja: 'Kush je, o Zot?'. Dhe ai më tha: 'Unë jam Jezus nazaretasi, të cilin ti e përndjek'.
9 Tani, ata që ishin bashkë me mua, vërtet e vunë re dritën dhe u tmerruan, por nuk e dëgjuan zërin e atij që fliste me mua.
10 Dhe unë thashë: 'Çfarë të bëj, o Zot?'. Dhe Zoti më tha: 'Ngrihu dhe shko në Damask, dhe atje do të të flitet rreth të gjithave atyre që janë caktuar për ty që t'i bësh'.
11 Dhe ngaqë nuk po shikoja për shkak të shkëlqimit të asaj drite, duke u marrë për dore nga ata që ishin bashkë me mua, shkova në Damask.
12 Tani, njëfarë Anania, burrë i përshpirtshëm sipas Ligjit, për të cilin dëshmohej nga të gjithë judenjtë që banonin atje,
13 si erdhi tek unë dhe duke qëndruar afër meje, më tha: 'O Saul, vëlla, shiko sërish!'. Dhe unë, në po atë çast, pashë sërish drejt tij.
14 Dhe ai tha: 'Perëndia i etërve tanë të caktoi që të njohësh vullnetin e tij dhe të shohësh të Drejtin, dhe të dëgjosh zë prej gojës së tij,
15 sepse do të jesh dëshmitar i tij para gjithë njerëzve për ato që ke parë dhe ke dëgjuar.
16 Dhe tani pse e zgjat?! Ngrihu dhe pagëzohu, dhe lahu nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit'.
17 Tani, më ndodhi që, kur u ktheva në Jerusalem dhe ndërsa unë po lutesha në tempull, kalova në ekstazë
18 dhe e pashë atë duke më thënë: 'Nxito dhe dil me shpejtësi prej Jerusalemit, sepse nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua'.
19 Dhe unë thashë: 'O Zot, vetë ata e dinë se unë isha ai që i burgosja dhe i rrihja nëpër sinagoga ata që besonin në ty.
20 Dhe kur po derdhej gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë vetë isha duke qëndruar aty dhe duke e miratuar vrasjen e tij, si dhe duke ruajtur rrobat e atyre që e vrisnin'.
21 Dhe ai më tha: 'Shko, sepse unë do të të dërgoj larg, te kombet'".
22 Tani, njerëzit po e dëgjonin deri në këtë fjalë dhe pastaj e ngritën zërin e tyre, duke thënë: "Hiqe nga faqja e dheut një njeri të tillë, sepse ai nuk duhet të jetojë!".
23 Dhe ndërsa ata bërtisnin dhe flaknin rrobat, dhe hidhnin pluhur në ajër,
24 komandanti urdhëroi që Pali të çohej në garnizon, duke thënë që ai të merrej në pyetje me kamxhikë, me qëllim që të kuptohej për çfarë arsyeje bërtisnin kështu kundër tij.
25 Por si e shtrinë të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që qëndronte pranë: "A është e lejueshme për ju që të fshikulloni një qytetar romak dhe të padënuar?".
26 Dhe kur centurioni e dëgjoi këtë, erdhi pranë dhe njoftoi komandantin duke thënë: "Ki kujdes çfarë je duke bërë, sepse ky njeri është qytetar romak".
27 Dhe komandanti erdhi pranë Palit dhe i tha: "Më thuaj, a je ti qytetar romak?". Dhe ai tha: "Po!".
28 Dhe komandanti u përgjigj: "Unë e fitova këtë qytetari me një shumë të madhe". Dhe Pali tha: "Kurse unë jam lindur i tillë".
29 Atëherë u larguan menjëherë nga ai ata që ishin gati për ta marrë në pyetje; por edhe komandanti u frikësua, duke kuptuar se ai ishte qytetar romak dhe se vetë e kishte lidhur.
30 Tani, të nesërmen, komandanti, duke dashur që të njihte të vërtetën se pse Pali po paditej nga judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi që të vinin kryepriftërinjtë dhe tërë Sinedri i tyre; dhe si e zbriti Palin, e vendosi para tyre.
Të gjithë librat
