Veprat e Apostujve 21
1 Tani, ndodhi që, kur ne u nisëm në lundrim, mbasi u ndamë nga ata, duke vijuar drejt udhëtimin, erdhëm në Kos dhe ditën më pas në Rodos, e prej aty në Patara.
2 Dhe si gjetëm një anije që kalonte andej për në Feniki, hipëm dhe u nisëm në lundrim.
3 Dhe mbasi pamë nga larg Qipron, dhe duke e lënë pas në të majtë, vazhduam të lundronim për në Siri dhe zbritëm në Tir, sepse atje ishte anija duke shkarkuar ngarkesën.
4 Dhe si gjetëm disa dishepuj, ndenjëm aty shtatë ditë; dhe ata i thoshin Palit nëpërmjet Frymës që të mos ngjitej në Jerusalem.
5 Dhe ndodhi që, kur ne i plotësuam ditët, dolëm dhe u nisëm të shkonim, duke na përcjellë të gjithë, bashkë me gra dhe fëmijë, deri jashtë qytetit. Dhe si ramë në gjunjë në breg të detit, u lutëm,
6 dhe si përshëndetëm njëri-tjetrin, ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpitë e veta.
7 Tani, mbasi ne përfunduam lundrimin nga Tiri, arritëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, ndenjëm një ditë me ta.
8 Dhe të nesërmen, ne që shoqëronim Palin, dolëm dhe erdhëm në Cezare; dhe si hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që është një prej të shtatëve, ndenjëm tek ai.
9 (Tani, ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.)
10 Dhe ndërsa ne po rrinim më shumë ditë, zbriti nga Judeja një profet me emrin Agab;
11 dhe si erdhi pranë nesh dhe hoqi brezin e Palit, dhe duke lidhur duart dhe këmbët e veta, tha: "Tani, këto gjëra thotë Fryma e Shenjtë: burrin të cilit i përket ky brez, kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë dhe do ta dorëzojnë në duart e kombeve".
12 Dhe kur i dëgjuam këto, nisëm ta përgjëronim Palin, qoftë ne e qoftë vendasit, që ai të mos ngjitej në Jerusalem.
13 Por Pali u përgjigj: "Çfarë po bëni, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm që të lidhem, por edhe që të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezus".
14 Dhe meqë ai nuk bindej, heshtëm, duke thënë: "Të bëhet vullneti i Zotit!".
15 Tani, mbas këtyre ditëve, si mblodhëm plaçkat, nisëm të ngjiteshim në Jerusalem.
16 Dhe erdhën bashkë me ne edhe disa dishepuj nga Cezareja, duke na çuar te Mnasoni, një dishepull i hershëm qipriot, pranë të cilit do të mikpriteshim.
17 Tani, ndërsa ne u ndodhëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me kënaqësi.
18 Dhe ditën pasuese Pali hyri bashkë me ne te Jakobi; dhe aty arritën të gjithë pleqtë.
19 Dhe si i përshëndeti ata, nisi të tregonte një për një ato që Perëndia bëri ndër kombe nëpërmjet shërbimit të tij.
20 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, nisën të lëvdonin Zotin; dhe i thanë atij: "Ti po vëren, o vëlla, sa mijëra janë judenjtë që kanë besuar, dhe të gjithë janë zelltarë të Ligjit.
21 Tani, ata u njoftuan rreth teje se ti u mëson të gjithë judenjve nëpër kombe largim nga Moisiu, duke thënë që ata të mos i rrethpresin fëmijët dhe të mos ecin sipas zakoneve.
22 Çfarë duhet bërë, pra?! Patjetër duhet të mblidhet një morí njerëzish, sepse ata do të dëgjojnë se ti ke ardhur.
23 Bëj, pra, këtë që po të themi: te ne janë katër burra që kanë lidhur një kusht për veten e tyre.
24 Merri këta me vete, dëliru bashkë me ta dhe paguaj shpenzimet për ta, me qëllim që ata të rruajnë kokën dhe të gjithë të kuptojnë se gjërat për të cilat janë njoftuar rreth teje, nuk janë asgjë, porse vijon edhe vetë duke mbajtur Ligjin.
25 Ndërsa në lidhje me kombet që kanë besuar, ne shkruam një letër, duke vendosur që ata të mos mbajnë asgjë të tillë, përveçse që ata të ruhen nga e flijuara idhujve dhe nga gjaku, dhe nga kafshët e mbytura, dhe nga kurvëria".
26 Atëherë Pali, duke marrë me vete burrat, si u dëlir ditën më pas bashkë me ta, hyri në tempull duke shpallur përmbushjen e ditëve të dëlirjes, derisa të ofrohej blata për çdonjërin nga ata.
27 Tani, kur thuajse po përfundonin shtatë ditët, judenjtë nga Azia, duke e vënë re atë në tempull, nisën ta bënin rrëmujë të gjithë turmën dhe e kapën,
28 duke bërtitur: "O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është njeriu që i mëson të gjithë gjithandej kundër popullit dhe Ligjit, dhe këtij vendi; dhe madje futi edhe helenë në tempull, dhe e ka ndyrë këtë vend të shenjtë".
29 (Sepse kishin parë përpara në qytet bashkë me të Trofimin, efesianin, të cilin kujtonin se Pali e futi në tempull.)
30 Dhe tërë qyteti u vu në lëvizje dhe populli u turr bashkërisht; dhe si e kapën Palin, nisën ta tërhiqnin zvarrë jashtë tempullit, dhe menjëherë u mbyllën dyert.
31 Dhe ndërsa kërkonin që ta vrisnin, i shkoi lajmi komandantit të kohortës se tërë Jerusalemi ishte bërë rrëmujë.
32 Ai në çast mori me vete ushtarë dhe centurionë, dhe vrapoi poshtë tek ata. Dhe kur ata panë komandantin dhe ushtarët, reshtën së qëlluari Palin.
33 Atëherë komandanti, si u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi që të lidhej me dy zinxhirë; dhe nisi të pyeste kush ishte dhe çfarë kishte bërë.
34 Por në turmë disa klithnin një gjë, të tjerë diçka tjetër; dhe duke mos mundur të merrte vesh të vërtetën, për shkak të trazirës, urdhëroi që Pali të çohej në garnizon.
35 Dhe kur u gjend mbi shkallare, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, u desh që ai të mbartej nga ushtarët;
36 sepse moria e popullit vinte pas duke bërtitur: "Hiqe qafe!".
37 Dhe kur ishte thuajse për t'u sjellë brenda në garnizon, Pali i thotë komandantit: "A më lejohet që të të them diçka?". Dhe ai tha: "Di greqisht?!
38 Atëherë nuk je ti ai egjiptiani që përpara këtyre ditëve bëri kryengritje dhe u priu jashtë në shkretëtirë katër mijë burrave nga 'Vrasësit'?".
39 Por Pali tha: "Unë jam judé nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti jo të parëndësishëm; dhe të lutem më lejo që t'i flas popullit".
40 Dhe kur ai e lejoi, Pali, duke qëndruar mbi shkallare, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe ndërsa u bë një heshtje e madhe, iu drejtua atyre në të folmen hebraike, duke thënë:
Të gjithë librat
