Veprat e Apostujve 18
1 Dhe mbas këtyre gjërave, Pali u largua prej Athinës dhe shkoi në Korint.
2 Dhe si gjeti një judé me emrin Akuil, me prejardhje nga Ponti, dhe Priskilën, gruan e tij, që kishin ardhur së fundi nga Italia, për shkak se Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë judenjtë të largoheshin prej Romës, shkoi tek ata.
3 Dhe për shkak se kishte të njëjtën mjeshtëri, rrinte dhe punonte me ta, sepse nga mjeshtëria ishin bërës tendash.
4 Dhe për çdo shabat dialogonte në sinagogë dhe përpiqej të bindte qoftë judenj e qoftë helenë.
5 Tani, kur zbritën nga Maqedonia Sila dhe Timoteu, Pali shtyhej nga Fryma për t'u dëshmuar judenjve se Jezusi është Krishti.
6 Por ndërsa ata kundërviheshin dhe blasfemonin, ai shkundi rrobat dhe u tha atyre: "Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj! Unë jam i pastër! Që tani e tutje do të shkoj te kombet".
7 Dhe si u largua prej aty, shkoi në shtëpinë e njërit me emrin Just, adhurues i Perëndisë, shtëpia e të cilit ishte ngjitur me sinagogën.
8 Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me tërë shtëpinë e vet; edhe shumë nga korintasit, duke dëgjuar Palin, besonin dhe pagëzoheshin.
9 Dhe Zoti i tha Palit nëpërmjet një vegimi gjatë natës: "Mos u frikëso, por fol dhe mos hesht,
10 sepse unë jam me ty dhe asnjë nuk do të të vërsulet për të të keqtrajtuar, sepse ka një popull të madh për mua në këtë qytet".
11 Dhe ai ndenji aty një vit e gjashtë muaj, duke dhënë mësim ndër ta fjalën e Perëndisë.
12 Tani, ndërsa Galioni ishte prokonsull i Akaisë, u ngritën judenjtë me një mendje kundër Palit dhe e çuan para fronit të gjykimit,
13 duke thënë: "Në kundërshtim me ligjin, ky po u mbush mendjen njerëzve që të adhurojnë Perëndinë".
14 Por ndërsa Pali ishte gati për të hapur gojën, Galioni u tha judenjve: "Sikur, vërtet, pra, të ishte ndonjë krim apo poshtërsi e ligë, o judenj, do t'ju dëgjoja me durim, siç është e arsyeshme.
15 Por nëse është një çështje për fjalë dhe emra, dhe për ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë, sepse unë gjykatës i këtyre gjërave nuk dëshiroj të jem".
16 Dhe i përzuri ata nga froni i gjykimit.
17 Por të gjithë helenët, si e kapën Sostenin, kreun e sinagogës, nisën ta qëllonin përpara fronit të gjykimit. Megjithatë, asgjë nga këto nuk e merakoste Galionin.
18 Dhe Pali, mbasi ndenji aty ende për mjaft ditë, u përshëndet me vëllezërit dhe lundroi për në Siri; dhe bashkë me të ishin Priskila dhe Akuili. Në Kenkrea qethi kokën, sepse kishte lidhur një kusht.
19 Dhe arriti në Efes dhe ai i la ata aty, por vetë hyri në sinagogë dhe dialogoi me judenjtë.
20 Dhe ndërsa ata e lutën që të rrinte me ta për më shumë kohë, nuk pranoi,
21 por u përshëndet me ta duke thënë: "Më duhet patjetër që ta bëj festën e ardhshme në Jerusalem, por përsëri do të kthehem te ju, në dashtë Perëndia". Dhe u nis në lundrim nga Efesi.
22 Dhe kur zbarkoi në Cezare, si u ngjit dhe përshëndeti kishën, zbriti në Antioki.
23 Dhe si shpenzoi njëfarë kohe, doli duke përshkuar radhazi krahinën e Galatisë dhe Frigjinë, duke përforcuar të gjithë dishepujt.
24 Tani, një judé me emrin Apol, me prejardhje nga Aleksandria, burrë fjalëtar, që ishte i fuqishëm në Shkrimet, arriti në Efes.
25 Ky ishte mësuar në udhën e Zotit dhe, duke qenë i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte saktësisht gjërat që kishin të bënin me Zotin, ndonëse njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.
26 Dhe ky filloi të flasë me guxim në sinagogë, por kur e dëgjuan Akuili dhe Priskila, e morën pranë dhe ia shpjeguan më saktësisht udhën e Perëndisë.
27 Dhe kur ai deshi që të kalonte në Akaí, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta mirëprisnin. Kur ai arriti, i ndihmoi shumë ata që kishin besuar nëpërmjet hirit,
28 sepse i kundërshtonte publikisht me forcë judenjtë, duke treguar nëpërmjet Shkrimeve se Jezusi është Krishti.
Të gjithë librat
