Veprat e Apostujve 13
1 Tani, në kishën që ishte në Antioki, kishte disa profetë dhe mësues, si Barnaba dhe Simeoni, që quhej Niger, dhe Luci, kireneasi, si dhe Manaeni (që ishte rritur bashkë me Herod tetrarkun), dhe Sauli.
2 Dhe ndërsa ata i ofronin shërbesë Zotit dhe agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: "M'i veçoni tani Barnabën dhe Saulin për punën për të cilën i kam thirrur".
3 Atëherë, si agjëruan dhe u lutën, dhe vunë duart mbi ta, i nisën.
4 Kështu, Barnaba dhe Sauli, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro.
5 Dhe si mbërritën në Salaminë, nisën të shpallnin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve (dhe me vete kishin edhe Gjonin si ndihmës).
6 Dhe si përshkuan ishullin deri në Pafos, gjetën njëfarë magjistari, një profet i rremë judé, që e kishte emrin Barjezus,
7 i cili ishte bashkë me prokonsullin Sergj Pali, një burrë i zgjuar. Ky thirri Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë.
8 Por atyre u kundërvihej magjistari Elimas (se kështu përkthehet emri i tij), duke kërkuar që ta shmangte prokonsullin nga besimi.
9 Por Sauli (i njohur edhe si Pali), mbushur me Frymën e Shenjtë dhe duke shikuar ngultas drejt tij,
10 tha: "O njeri i mbushur me çdo dredhi dhe çdo poshtërsi, o bir i djallit, o armik i çdo drejtësie, a nuk do të reshtësh së shtrembëruari udhët e drejta të Zotit?
11 Dhe tani, ja, dora e Zotit është mbi ty dhe do të jesh i verbër, duke mos e parë diellin deri njëfarë kohe". Dhe përnjëherësh ra mbi të mjegullí dhe errësirë; dhe duke shkuar përqark, kërkonte dikë që ta udhëhiqte për dore.
12 Atëherë, kur pa prokonsulli atë që ndodhi, besoi, duke u mahnitur nga mësimi i Zotit.
13 Tani, si u nisën në lundrim nga Pafosi, Pali dhe shokët e tij erdhën në Pergë të Pamfilisë, por Gjoni i la ata dhe u kthye në Jerusalem.
14 Ndërsa ata, duke kaluar nga Perga, arritën në Antiokinë e Pisidisë dhe si hynë në sinagogë ditën e shabatit, u ulën.
15 Dhe mbas leximit të Ligjit dhe të Profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë tek ata, duke thënë: "O burra, vëllezër, nëse ka në zemrën tuaj ndonjë fjalë nxitjeje për popullin, thuajeni".
16 Dhe Pali, si u ngrit dhe bëri shenjë me dorë, tha: "O burra izraelitë dhe ju që keni frikë Perëndinë, dëgjoni!
17 Perëndia i këtij populli të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e lartësoi popullin gjatë qëndrimit si të huaj në tokën e Egjiptit; dhe me krah të ngritur lart, i priu jashtë prej saj.
18 Dhe për një kohë rreth dyzetvjeçare, bëri durim me ta në shkretëtirë.
19 Dhe si përmbysi shtatë kombe në tokën e Kanaanit, ia shpërndau popullit me short tokën e tyre.
20 Dhe mbas këtyre gjërave, për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet u dha gjyqtarë deri te profeti Samuel.
21 Dhe prej kësaj kohe kërkuan një mbret, dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, një burrë prej fisit të Benianimit, për dyzet vjet.
22 Dhe mbasi e largoi, u ngriti atyre si mbret Davidin, për të cilin edhe tha duke dëshmuar: 'Gjeta Davidin, birin e Jeseut, një burrë sipas zemrës sime, i cili do të bëjë të gjithë vullnetin tim'.
23 Nga fara e këtij, sipas premtimit, Perëndia i ngriti Izraelit një shpëtimtar, Jezusin,
24 mbasi Gjoni, përpara ardhjes së tij, i predikoi haptas gjithë popullit të Izraelit një pagëzim pendimi.
25 Dhe ndërsa Gjoni po përmbushte garën, thoshte: 'Kush hamendësoni se jam unë? Nuk jam unë ai; por ja, vjen mbas meje ai të cilit nuk jam i denjë t'i zgjidh sandalet e këmbëve'.
26 O burra, vëllezër, bij të racës së Abrahamit dhe ata ndër ju që kanë frikë Perëndinë, juve iu dërgua fjala e këtij shpëtimi.
27 Sepse ata që banojnë në Jerusalem dhe krerët e tyre, duke mos e njohur këtë Jezus dhe as zërat e profetëve, që lexohen për çdo shabat, i përmbushën ato duke e gjykuar atë.
28 Dhe duke mos gjetur asnjë shkak për vdekje, i kërkuan Pilatit që ai të vritej.
29 Dhe si përfunduan të gjitha ato që ishin shkruar rreth tij, e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.
30 Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve;
31 dhe ai iu shfaq për shumë ditë atyre që u ngjitën bashkë me të nga Galileja në Jerusalem, të cilët janë dëshmitarë të tij pranë popullit.
32 Dhe ne ju shpallim si lajm të mirë premtimin që iu bë etërve:
33 që këtë premtim Perëndia e ka përmbushur për ne, fëmijët e tyre, duke ringjallur Jezusin, siç edhe është shkruar në psalmin e dytë: 'Biri im je ti! Unë sot të kam lindur'.
34 Por që e ringjalli atë prej të vdekurve, për të mos e kthyer më në kalbje, ka thënë kështu: 'Do t'ju jap premtimet e shenjta dhe të besueshme të Davidit'.
35 Prandaj thotë edhe në një tjetër psalm: 'Nuk do ta japësh të Shenjtin tënd që të shohë kalbje'.
36 Sepse, vërtet, Davidi, në brezin e vet, mbasi u vu në shërbim të qëllimit të Perëndisë, fjeti dhe u bashkua me etërit e tij dhe pa kalbje,
37 por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk pa kalbje.
38 Ta dini, pra, o burra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju shpallet falja e mëkateve;
39 dhe nga të gjitha ato që nuk mundët të drejtësoheshit në Ligjin e Moisiut, drejtësohet në të kushdo që beson.
40 Kini kujdes, pra, që të mos vijë mbi ju ajo që është thënë në Profetët:
41 'Shikoni, o përçmues, dhe mrekullohuni dhe zhdukuni! Se unë po bëj një punë në ditët tuaja, një punë që kurrë nuk do ta besoni po t'jua tregojë ndokush'".
42 Tani, ndërsa Pali dhe Barnaba po largoheshin prej sinagogës së judenjve, ata nga kombet i përgjëronin që t'u flisnin për këto gjëra në shabatin pasues.
43 Dhe si u shpërnda mbledhja e sinagogës, shumë nga judenjtë dhe prozelitët që adhuronin Perëndinë, ndoqën Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindnin që të vazhdonin në hirin e Perëndisë.
44 Tani, shabatin vijues, thuajse i gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.
45 Por kur judenjtë panë turmat, u mbushën me xhelozi dhe, duke kundërshtuar e duke blasfemuar, nisën të kundërshtonin ato që thuheshin nga Pali.
46 Tani, Pali dhe Barnaba, duke folur me guxim, thanë: "Juve ishte e nevojshme së pari, që t'ju flitej fjala e Perëndisë; por ngaqë po e hidhni poshtë dhe nuk e gjykoni veten tuaj të denjë për jetën e përjetshme, ja, po u kthehemi kombeve.
47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: 'Të kam vënë si dritë të kombeve, që ti të jesh për shpëtim deri në skajin e tokës'".
48 Dhe kur e dëgjuan këtë kombet, nisën të gëzoheshin dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe besuan gjithë sa ishin caktuar për jetë të përjetshme.
49 Dhe fjala e Zotit mbartej nëpër tërë krahinën.
50 Por judenjtë ngucën gratë që adhuronin Perëndinë dhe ato fisnike, si dhe të parët e qytetit, dhe nxitën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabës, dhe i dëbuan nga kufijtë e tyre.
51 Dhe këta, pasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër atyre, erdhën në Ikon.
52 Dhe dishepujt mbusheshin me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.
Të gjithë librat
