Veprat e Apostujve 9
1 Tani, Sauli, duke shfryrë ende kërcënime dhe vrasje kundër dishepujve të Zotit, erdhi te kryeprifti
2 dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat në Damask, me qëllim që, po të gjente ndonjë nga të Udhës, qoftë burra e qoftë gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem.
3 Por ndërsa po shkonte rrugës, ndodhi që ai po i afrohej Damaskut dhe papritur shkreptiu rreth tij një dritë nga qielli.
4 Dhe kur u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë duke i thënë: "Saul, Saul, pse më përndjek?".
5 Dhe Sauli tha: "Kush je, o Zot?". Dhe Zoti tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.
6 Por ngrihu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet se çfarë ti duhet të bësh".
7 (Tani, burrat që udhëtonin bashkë me të, mbetën pa fjalë, sepse, nga njëra anë, e dëgjonin zërin, por, nga ana tjetër, nuk vinin re askënd.)
8 Dhe Sauli u çua nga toka, dhe ndonëse i kishte sytë hapur, nuk shihte askënd; dhe duke e kapur për dore, e futën në Damask.
9 Dhe për tri ditë nuk shihte, dhe as nuk hëngri dhe as nuk piu.
10 Tani, në Damask ishte një dishepull me emrin Anania, dhe Zoti i tha në vegim: "Anania!". Dhe ai tha: "Ja ku jam, o Zot".
11 Dhe Zoti i tha: "Ngrihu dhe shko në rrugicën që quhet 'E drejtë' dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi; sepse, ja, ai po lutet
12 dhe pa në vegim një burrë me emrin Anania duke hyrë dhe duke vënë dorën sipër tij, me qëllim që të shikojë sërish".
13 Por Anania u përgjigj: "O Zot, kam dëgjuar nga shumë njerëz rreth këtij burri se sa të këqija u bëri shenjtorëve të tu në Jerusalem;
14 dhe këtu ka pushtet nga kryepriftërinjtë për të lidhur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd".
15 Por Zoti i tha: "Shko, sepse ai është një mjet i zgjedhur për mua, që të mbartë emrin tim përpara kombeve dhe mbretërve, dhe bijve të Izraelit.
16 Sepse unë do t'i tregoj atij gjithë sa i duhet që të vuajë për emrin tim".
17 Dhe Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe duke vënë duart mbi Saulin, tha: "Saul, vëlla, Zoti Jezus më ka dërguar, ai që t'u shfaq në rrugën nëpër të cilën po vije, me qëllim që të shikosh sërish dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë".
18 Dhe menjëherë ranë nga sytë e tij ca porsi luspa dhe ai shikoi sërish; dhe u ngrit e u pagëzua,
19 dhe si mori ushqim, u forcua. SAULI FILLON TË PREDIKOJË JEZUSIN Tani, Sauli u bë disa ditë me dishepujt që ishin në Damask,
20 dhe menjëherë nisi të predikonte Jezusin nëpër sinagoga, duke thënë: "Ky është Biri i Perëndisë".
21 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, shastiseshin dhe thoshin: "A nuk është ky ai që zhduku në Jerusalem ata që thërrisnin këtë emër dhe që ka ardhur këtu për këtë qëllim: që t'i çojë ata të lidhur para kryepriftërinjve?".
22 Por Sauli fuqizohej edhe më tepër dhe i hutonte judenjtë që banonin në Damask, duke vërtetuar se Jezusi është Krishti.
23 Tani, si po kalonin mjaft ditë, judenjtë u këshilluan bashkë për ta vrarë,
24 por komploti i tyre iu bë i ditur Saulit. Dhe ata vëzhgonin portat e qytetit, qoftë ditën e qoftë natën, me qëllim që ta vrisnin,
25 por dishepujt e morën natën dhe e ulën përgjatë murit, duke e lëshuar në një kosh.
26 Tani, kur erdhi Sauli në Jerusalem, përpiqej t'u bashkohej dishepujve, por të gjithë i frikësoheshin, duke mos besuar se ishte dishepull.
27 Por Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai pa Zotin gjatë rrugës dhe që i foli, dhe si ai foli me guxim në Damask në emrin e Jezusit.
28 Dhe Sauli ishte me ta, duke hyrë e duke dalë në Jerusalem dhe duke folur me guxim në emrin e Zotit Jezus.
29 Dhe fliste e rragatej me helenistët, por ata orvateshin për ta vrarë.
30 Dhe kur e morën vesh vëllezërit, e zbritën në Cezare dhe e dërguan në Tars.
31 Kështu, kishat, nëpër tërë Judenë dhe Galilenë, dhe Samarinë, kishin paqe dhe, si rrjedhim, ndërtoheshin; dhe duke ecur në frikën e Zotit dhe në zemërdhënien e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.
32 Tani, ndodhi që, ndërsa Pjetri po kalonte nëpër të gjitha vendet, zbriti edhe te shenjtorët që banonin në Lidë.
33 Dhe atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili prej tetë vitesh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.
34 Dhe Pjetri i tha: "Enea, Jezusi, Krishti, të shëron. Ngrihu dhe shtroje vetë shtratin!". Dhe ai menjëherë u ngrit.
35 Dhe e panë atë të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit, të cilët u kthyen te Zoti.
36 Tani, në Jopë ishte një dishepulle me emrin Tabita (që e përkthyer do të thotë Gazelë). Ajo ishte plot me vepra të mira dhe me lëmosha që jepte vazhdimisht.
37 Por ndodhi që, në ato ditë, ajo u sëmur dhe vdiq. Dhe si e lanë me ujë, e vunë në dhomën e sipërme.
38 Dhe ngaqë Lida ishte afër Jopës, kur dishepujt dëgjuan se Pjetri ishte atje, dërguan dy burra tek ai duke e përgjëruar që të mos vononte për të shkuar deri tek ata.
39 Dhe Pjetri u ngrit dhe shkoi bashkë me ta. Kur ai arriti, e çuan lart në dhomën e sipërme dhe të gjitha vejushat qëndruan pranë tij, duke qarë dhe duke i treguar tunika dhe rroba, gjithë sa bënte Gazela kur ishte me to.
40 Por Pjetri, si i nxori jashtë të gjithë, duke rënë në gjunjë, u lut; dhe duke iu kthyer trupit, tha: "Tabita, ngrihu!". Dhe ajo hapi sytë, dhe kur pa Pjetrin, u çua ndenjur.
41 Dhe duke i dhënë dorën asaj, e ngriti; dhe si thirri shenjtorët dhe vejushat, ua paraqiti atë të gjallë.
42 Dhe kjo gjë u bë e njohur nëpër tërë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin.
43 Dhe ndodhi që ai ndenji mjaft ditë në Jopë, te njëfarë Simoni, lëkurëregjës.
Të gjithë librat
