Veprat e Apostujve 8
1 Dhe Sauli po miratonte vrasjen e tij. SAULI PËRNDJEK KISHËN Tani, në atë ditë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës në Jerusalem dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, përveç apostujve.
2 Dhe disa burra të devotshëm e varrosën Stefanin dhe gjëmë të madhe për të.
3 Por Sauli përpiqej ta shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi, dhe duke tërhequr zvarrë qoftë burra e qoftë gra, i fuste në burg.
4 Kështu, ata që u shpërndanë, kaluan gjithandej duke shpallur si lajm të mirë fjalën.
5 Dhe Filipi zbriti në një qytet të Samarisë, dhe nisi t'u predikonte atyre Krishtin.
6 Dhe turmat, me një mendje të vetme, u kushtonin vëmendje gjërave që thuheshin nga Filipi, ndërsa dëgjonin dhe shihnin shenjat që bënte.
7 Se shumë frymëra dilnin nga ata që kishin frymëra të ndyra, duke klithur me zë të lartë; dhe shumë veta që kishin qenë të paralizuar dhe të çalë, u shëruan.
8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
9 Tani, në qytet ishte duke ushtruar më përpara magjinë dhe duke shastisur popullin e Samarisë një burrë me emrin Simon, që thoshte për veten e vet se ishte dikush i madh,
10 të cilit të gjithë i kushtonin vëmendje, nga më i vogli deri te më i madhi, duke thënë: "Ky është fuqia e madhe e Perëndisë".
11 Dhe ata i kushtonin vëmendje atij për shkak se prej mjaft kohësh i kishte shastisur me magjitë e veta.
12 Por kur i besuan Filipit, që shpallte si lajm të mirë gjërat rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe emrit të Jezu Krishtit, nisën të pagëzoheshin qoftë burra e qoftë gra.
13 Madje edhe vetë Simoni besoi, dhe si u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe duke vërejtur vepra fuqie dhe shenja që bëheshin, shastisej.
14 Tani, kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan tek ata Pjetrin dhe Gjonin,
15 të cilët zbritën dhe u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë.
16 (Sepse Fryma e Shenjtë ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin prej tyre, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezus.)
17 Atëherë Pjetri dhe Gjoni vinin duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë.
18 Tani, kur Simoni pa se nëpërmjet vënies sipër të duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre pará,
19 duke thënë: "Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që cilitdo t'i vë sipër duart, të marrë Frymën e Shenjtë".
20 Por Pjetri i tha atij: "U shkatërroftë argjendi yt bashkë me ty, sepse kujtove se mund të fitosh dhurimin e Perëndisë nëpërmjet parave.
21 Ti nuk ke as pjesë dhe as short në këtë çështje, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë.
22 Pendohu, pra, nga kjo ligësi e jotja dhe përgjëroju Perëndisë që, nëse është e mundur, të të falet synimi i zemrës sate.
23 Sepse të shikoj që je në vrer hidhësie dhe në pranga padrejtësie".
24 Dhe Simoni u përgjigj dhe tha: "Përgjërojuni ju Perëndisë për mua, që asgjë nga këto që keni thënë, të mos vijë mbi mua".
25 Ata, pra, si dëshmuan dhe folën fjalën e Zotit, u kthyen në Jerusalem dhe ungjillëzuan shumë fshatra të samaritanëve.
26 Tani, një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke thënë: "Ngrihu dhe shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gaza" (kjo rrugë është e shkretë).
27 Dhe ai u ngrit e shkoi. Dhe ja, një burrë, një eunuk etiopas, ofiqar i Kandakes, mbretëreshës së etiopasve, që ishte përgjegjës mbi gjithë thesarin e saj, i cili kishte ardhur që të adhuronte në Jerusalem
28 dhe po kthehej e po rrinte ulur në karrocën e tij, dhe po lexonte profetin Isaia.
29 Dhe Fryma i tha Filipit: "Afroju dhe bashkoju kësaj karroce!".
30 Dhe Filipi vrapoi drejt saj dhe e dëgjoi atë duke lexuar profetin Isaia, dhe tha: "A i kupton vërtet ato që po lexon?".
31 Dhe ai tha: "Po si mundem, po të mos më udhëzojë dikush?". Dhe e luti Filipin që të hipte dhe të ulej bashkë me të.
32 Tani, pjesa e Shkrimit që po lexonte ishte kjo: "Si një dele ai u çua për therje dhe si një qengj i pazë përballë qethësit të vet, kështu ai nuk e hapi gojën e vet.
33 Në uljen që iu bë, iu mohua drejtësia. Dhe kush do ta tregojë brezin e tij? Sepse u hoq nga toka jeta e tij".
34 Dhe eunuku, duke iu drejtuar Filipit, tha: "Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për vetveten apo për dikë tjetër?".
35 Dhe Filipi, duke hapur gojën dhe duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli lajmin e mirë për Jezusin.
36 Dhe ndërsa shkonin përgjatë rrugës, erdhën te njëfarë vendi me ujë; dhe eunuku tha: "Ja, ujë! Çfarë më pengon për t'u pagëzuar?".
37 Dhe Filipi tha: "Nëse beson me tërë zemrën, është e lejueshme". Dhe duke u përgjigjur, ai tha: "Besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë".
38 Dhe ai urdhëroi që të ndalej karroca, dhe të dy zbritën në ujë, si Filipi dhe eunuku, dhe Filipi e pagëzoi.
39 Dhe kur dolën prej ujit, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin, dhe eunuku nuk e pa më, por vazhdoi rrugën e tij me gëzim.
40 Por Filipi e gjeti veten në Azot dhe duke kaluar gjithandej, ungjillëzonte të gjitha qytetet, derisa ai arriti në Cezare.
Të gjithë librat
