Veprat e Apostujve 6
1 Tani, në ato ditë, ndërsa dishepujt shumoheshin në numër, u bë një murmuritje nga ana e helenistëve kundër hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm ushqimor.
2 Dhe të dymbëdhjetët, si thirrën morinë e dishepujve, thanë: "Nuk është e pëlqyeshme që ne, duke lënë mënjanë fjalën e Perëndisë, të shërbejmë në tryeza.
3 Prandaj, vëllezër, përzgjidhni prej mesit tuaj shtatë burra që kanë dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilët do t'i caktojmë për këtë nevojë.
4 Ndërsa ne do t'i përkushtohemi lutjes dhe shërbimit të fjalës".
5 Dhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë morisë së dishepujve, dhe zgjodhën Stefanin, një burrë të mbushur me besim dhe me Frymën e Shenjtë, dhe Filipin, dhe Prokorin, dhe Nikanorin, dhe Timonin, dhe Parmenin, dhe Nikollën, një prozelit antiokas,
6 të cilët i vunë përpara apostujve; dhe këta, si u lutën, vunë duart sipër tyre.
7 Dhe fjala e Perëndisë rritej, dhe numri i dishepujve shumohej jashtëzakonisht në Jerusalem; dhe një turmë e madhe judenjsh po i bindeshin besimit.
8 Tani, Stefani, i mbushur me besim dhe fuqi, bënte çudira dhe shenja të mëdha në popull.
9 Por disa nga ata që ishin prej sinagogës që quhej "e Libertinëve", dhe të kireneasve, dhe të aleksandrinëve, dhe prej atyre nga Kilikia dhe Azia, u ngritën duke u rragatur me Stefanin.
10 Por ata nuk ishin në gjendje t'i kundërviheshin urtësisë dhe Frymës me të cilin fliste.
11 Atëherë nxitën fshehurazi disa burra që thanë: "E kemi dëgjuar ndërsa fliste fjalë blasfemuese kundër Moisiut dhe Perëndisë".
12 Dhe ngacmuan popullin dhe pleqtë, dhe skribët; dhe u afruan, e kapën me forcë dhe e çuan te Sinedri.
13 Dhe vunë para dëshmitarë të rremë, që thanë: "Ky njeri nuk resht duke folur fjalë blasfemuese kundër vendit të shenjtë dhe kundër Ligjit.
14 Njëmend, e kemi dëgjuar duke thënë se ky Jezus, nazaretasi, do ta shembë këtë vend dhe do të ndryshojë zakonet që na i la trashëgim Moisiu".
15 Dhe të gjithë ata që rrinin ulur në Sinedër, duke shikuar ngultas drejt tij, panë fytyrën e tij porsi një fytyrë engjëlli.
Të gjithë librat
