Veprat e Apostujve 26
1 Dhe Agripa i tha Palit: "Të lejohet të flasësh për veten tënde!". Atëherë Pali, duke shtrirë dorën, nisi të mbrohej:
2 "Për të gjitha ato që akuzohem nga judenjtë, o mbret Agripa, e çmoj veten time të lum që do të mbrohem sot para teje,
3 veçanërisht sepse ti je njohës dhe i të gjitha zakonet dhe çështjet që u përkasin judenjve. Prandaj, të përgjërohem që të më dëgjosh me durim.
4 Kështu, mënyrën e të jetuarit tim që prej rinisë sime, atë që kam bërë qysh nga fillimi në kombin tim në Jerusalem, e dinë të gjithë judenjtë,
5 duke qenë se më njohin nga fillimi, po të duan të dëshmojnë, se jetova si farise, sipas sektit më të rreptë të fetarisë sonë.
6 Dhe tani, qëndroj këtu që të gjykohem për arsye të shpresës së premtimit që iu bë etërve nga Perëndia,
7 premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, duke i ofruar shërbesë Perëndisë me ngulm natë e ditë, shpresojnë ta arrijnë. Për këtë shpresë akuzohem nga judenjtë, o mbret Agripa.
8 Pse gjykohet ndër ju si e pabesueshme nëse Perëndia ngjall të vdekurit?
9 Kështu, unë mendova për veten time se duhej të kryeja shumë gjëra armiqësore kundër emrit të Jezusit, nazaretasit,
10 gjë të cilën edhe e bëra në Jerusalem. Duke marrë pushtet nga kryepriftërinjtë, unë mbylla në burgje edhe shumë nga shenjtorët; dhe ndërsa ata vriteshin, unë hidhja votën kundër tyre.
11 Dhe nëpër të gjitha sinagogat, shpeshherë duke i ndëshkuar ata, i detyroja që të blasfemonin; dhe duke qenë tej mase i tërbuar ndaj tyre, i përndiqja deri edhe në qytetet jashtë vendit.
12 Dhe në këto gjëra, duke shkuar drejt Damaskut me pushtet dhe leje nga kryepriftërinjtë,
13 në mes të ditës pashë gjatë rrugës, o mbret, një dritë nga qielli, më të fortë se shkëlqimi i diellit, duke shkëlqyer rreth meje dhe rreth atyre që po udhëtonin bashkë me mua.
14 Dhe ndërsa të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë duke më folur dhe duke thënë në të folmen hebraike: 'Saul, Saul, pse më përndjek? E vështirë është për ty që të shkelmosh kundër hostenëve'.
15 Dhe unë thashë: 'Kush je, o Zot?'. Dhe ai tha: 'Unë jam Jezusi të cilin ti e përndjek.
16 Por ngrihu dhe qëndro në këmbë, sepse t'u shfaqa për këtë: që të të caktoj shërbyes dhe dëshmitar, qoftë të gjërave të cilat pe dhe qoftë të gjërave në të cilat do të të shfaqem;
17 duke të liruar prej popullit judé dhe prej kombeve te të cilat unë po të dërgoj
18 për të hapur sytë e tyre, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që ata të marrin falje të mëkateve dhe hise ndër ata që janë shenjtëruar nëpërmjet besimit që është në mua'.
19 Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk u bëra i pabindur ndaj vegimit qiellor,
20 përkundrazi, atyre në Damask, së pari, dhe në Jerusalem, dhe atyre në gjithë krahinën e Judesë, si dhe kombeve, ua bëj të ditur që të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke praktikuar vepra të denja të pendimit.
21 Për shkak të këtyre gjërave, judenjtë, duke më kapur në tempull, po përpiqeshin të më vrisnin.
22 Prandaj, duke marrë ndihmë nga Perëndia deri në këtë ditë, po qëndroj këtu duke i dëshmuar qoftë të voglit e qoftë të madhit dhe duke mos thënë asgjë tjetër veç atyre që, qoftë Profetët e qoftë Moisiu, thanë se duhet të ndodhin:
23 që Krishti do të jetë vuajtës, që duke qenë i pari prej ringjalljes së të vdekurve, ai do t'u shpallë dritë popullit judé dhe kombeve".
24 Tani, ndërsa ai po mbrohej duke thënë këto, Festi tha me zë të lartë: "Je çmendur, o Pal! Të diturit e shumtë po të çon në çmenduri!".
25 Por ai tha: "Nuk jam çmendur, o fort i nderuar Fest, por po kumtoj thënie të së vërtetës dhe mendjes së shëndoshë.
26 Se mbreti ka dijeni rreth këtyre gjërave dhe unë po i flas atij me guxim, sepse jam i bindur që asnjë gjë nga këto nuk mbetet e padiktuar nga ai, sepse kjo nuk është kryer në një qoshe.
27 A u beson, o mbret Agripa, Profetëve? E di se u beson!".
28 Dhe Agripa i tha Palit: "Me kaq pak gati po më bind që të bëhem i krishterë".
29 Dhe Pali tha: "Do t'i lutesha Perëndisë që, edhe me pak, edhe me shumë, jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot, të bëhen të tillë, siç jam edhe unë, përveç këtyre prangave!".
30 Dhe kur ai tha këto, mbreti dhe qeveritari, dhe Bernika, si dhe ata që rrinin ulur bashkë me ta, u ngritën
31 dhe, duke u larguar, flisnin me njëri-tjetrin duke thënë: "Ky njeri nuk po kryen asgjë që meriton vdekje apo pranga".
32 Dhe Agripa i thoshte Festit: "Ky njeri mund të ishte liruar po të mos i ishte apeluar Cezarit".
Të gjithë librat
