Veprat e Apostujve 25
1 Festi, pra, si vuri këmbë në provincë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezareja në Jerusalem.
2 Dhe kryeprifti dhe të parët e judenjve i paraqitën atij padinë kundër Palit dhe e lutnin,
3 duke i kërkuar një nder kundër Palit, që ai ta bënte të vinte në Jerusalem (sepse kishin ngritur një pritë për ta vrarë gjatë rrugës).
4 Atëherë Festi u përgjigj se Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të dilte së shpejti për atje.
5 "Prandaj, ata ndër ju që janë të pushtetshëm", tha ai, "të zbresin bashkë me mua, nëse ka diçka në këtë burrë, dhe ta paditin".
6 Dhe mbasi ndenji ndër ta më shumë se dhjetë ditë, si zbriti në Cezare, të nesërmen u ul mbi fronin e gjykimit dhe urdhëroi që të sillej Pali.
7 Dhe kur arriti Pali, e rrethuan judenjtë që kishin zbritur nga Jerusalemi, duke ngritur kundër Palit akuza të shumta dhe të rënda, të cilat nuk ishin në gjendje për t'i provuar;
8 ndërsa ai mbrohej duke thënë: "As ndaj Ligjit të judenjve, as ndaj tempullit, as ndaj Cezarit nuk mëkatova gjë".
9 Por Festi, duke dashur që t'u bënte një nder judenjve, iu përgjigj Palit dhe tha: "A dëshiron të ngjitesh në Jerusalem dhe atje të gjykohesh rreth këtyre gjërave para meje?".
10 Por Pali tha: "Unë jam duke qëndruar para fronit të gjykimit të Cezarit, aty ku unë duhet të gjykohem. Judenjve nuk u bëra asnjë padrejtësi, siç edhe ti e di shumë mirë.
11 Sepse, nëse kam bërë padrejtësi dhe kam kryer diçka që meriton vdekje, nuk po përpiqem të shmang vdekjen, por nëse nuk ka asgjë të vërtetë në ato që këta më paditin, asnjë nuk mund të më dorëzojë tek ata. I apelohem Cezarit!".
12 Atëherë Festi, mbasi bashkëbisedoi me këshillin, u përgjigj: "Cezarit i je apeluar, para Cezarit do të shkosh".
13 Tani, mbasi kaluan disa ditë, mbreti Agripa dhe Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin.
14 Dhe ndërsa po kalonin atje mjaft ditë, Festi i parashtroi mbretit gjërat lidhur me Palin, duke thënë: "Nga Feliksi është lënë pas i burgosur një burrë
15 rreth të cilit, ndërsa unë ndodhesha në Jerusalem, paraqitën akuzë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve, duke kërkuar ndëshkim kundër tij.
16 Atyre iu përgjigja se nuk është zakon i romakëve që të dorëzojnë ndonjë njeri për vdekje përpara se i padituri t'i ketë ballë për ballë paditësit dhe t'i jepet mundësi mbrojtjeje lidhur me akuzën.
17 Atëherë, mbasi ata erdhën bashkë këtu, pa bërë asnjë shtyrje të çështjes, u ula ditën më pas mbi fronin e gjykimit dhe urdhërova që ai burrë të sillej para meje.
18 Kur u ngritën paditësit, nuk po sillnin rreth tij asnjë akuzë për gjërat që unë hamendësoja,
19 por kishin kundër tij disa çështje rreth fesë së tyre dhe rreth njëfarë Jezusi që ka vdekur, për të cilin Pali pohonte se jeton.
20 Dhe unë, duke qenë në mëdyshje për hetimin rreth kësaj gjëje, i thosha nëse dëshironte të shkonte në Jerusalem dhe atje të gjykohej rreth këtyre gjërave.
21 Por ndërsa Pali u apelua që të mbahej në ruajtje për vendimin e Augustit, urdhërova që ai të ruhet derisa ta dërgoj te Cezari".
22 Dhe Agripa i tha Festit: "Do të dëshiroja edhe vetë që ta dëgjoja këtë njeri". Dhe ai tha: "Nesër do ta dëgjosh".
23 Atëherë, të nesërmen, kur Agripa dhe Bernika erdhën me shumë madhështi dhe hynë në sallën e audiencës, bashkë me komandantët dhe burrat që ishin të shquar në qytet, dhe kur Festi dha urdhër, u soll aty Pali.
24 Dhe Festi tha: "O mbret Agripa dhe të gjithë ju burrat e pranishëm bashkë me ne, ju po e vëreni këtë njeri, për të cilin ndërhynë tek unë e gjithë moria e judenjve, qoftë në Jerusalem e qoftë këtu, duke klithur se ai nuk duhet të jetojë më.
25 Por unë duke kuptuar se ai nuk ka kryer asgjë që meriton vdekje, dhe meqenëse edhe vetë ky iu apelua Augustit, vendosa ta dërgoj.
26 Por rreth tij nuk kam asgjë të sigurt për t'i shkruar zotërisë tim; prandaj e nxora para jush dhe veçanërisht para teje, o mbret Agripa, në mënyrë që, mbasi të bëhet ky hetim, të kem çfarë të shkruaj.
27 Sepse mua më duket e paarsyeshme që, duke dërguar një të burgosur, të mos shënoj edhe akuzat kundër tij".
Të gjithë librat
