Veprat e Apostujve 19
1 Tani, ndodhi që, ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali, si përshkoi rajonet e sipërme, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj,
2 u tha atyre: "A e morët Frymën e Shenjtë kur besuat?". Dhe ata i thanë atij: "Po ne as edhe nuk kemi dëgjuar nëse ka Frymë të Shenjtë".
3 Dhe ai u tha atyre: "Në çfarë, pra, u pagëzuat?". Dhe ata thanë: "Në pagëzimin e Gjonit".
4 Dhe Pali tha: "Gjoni pagëzoi me pagëzim pendimi, duke i thënë popullit që të besojë në atë që do të vinte mbas tij, domethënë në Krishtin Jezus".
5 Dhe kur e dëgjuan këtë, u pagëzuan në emrin e Zotit Jezus.
6 Dhe kur Pali vuri duart sipër tyre, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta dhe nisën të flisnin në gjuhëra dhe të profetizonin.
7 Tani, ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra.
8 Dhe Pali hyri në sinagogë dhe vazhdoi të fliste me guxim për tre muaj, duke dialoguar dhe duke i bindur të pranishmit për gjërat rreth Mbretërisë së Perëndisë.
9 Por kur disa po ngurtësoheshin dhe nuk bindeshin, duke folur keq për Udhën përpara morisë së të pranishmëve, u largua nga ata dhe i veçoi dishepujt, duke dialoguar çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.
10 Dhe kjo vazhdoi për dy vjet, kështu që të gjithë banorët e Azisë e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus, qoftë judenj e qoftë helenë.
11 Dhe Perëndia bënte vepra fuqie të jashtëzakonshme nëpërmjet duarve të Palit,
12 aq sa edhe të sillnin mbi ata që lëngonin riza ose përparëse që kishin prekur trupin e tij dhe sëmundjet të largoheshin nga ata, dhe frymërat e liga të dilnin prej tyre.
13 Por disa nga yshtësit judenj shëtitës u orvatën që të thërrisnin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: "Ju përbetojmë për Jezusin të cilin Pali e predikon".
14 (Tani, ata që e bënë këtë ishin disa burra, shtatë bijtë e Skevit, një kryeprifti judé.)
15 Por duke u përgjigjur, fryma e ligë tha: "Jezusin e njoh dhe Palin e di kush është, po ju cilët jeni?".
16 Dhe njeriu në të cilin ishte fryma e ligë, duke u hedhur mbi ata dhe duke i vënë poshtë ata, i mundi, aq sa t'ia mbathnin të zhveshur dhe të plagosur prej asaj shtëpie.
17 Dhe kjo iu bë e njohur të gjithëve, qoftë judenjve e qoftë helenëve që banonin në Efes, dhe një frikë pllakosi mbi të gjithë ata, dhe emri i Zotit Jezus madhërohej.
18 Dhe shumë nga ata që kishin besuar, vinin duke rrëfyer dhe duke dëftuar veprimtaritë e tyre.
19 Dhe mjaft nga ata që praktikuan punë magjie, si i grumbulluan librat e tyre, nisën t'i digjnin krejt përpara të gjithëve; dhe llogaritën çmimin e tyre, dhe gjetën se kushtonin pesëdhjetë mijë monedha argjendi.
20 Kështu, fjala e Zotit rritej dhe forcohej me pushtet.
21 Tani, si u kryen këto gjëra, Pali vendosi në Frymën që të shkonte në Jerusalem, duke përshkuar Maqedoninë dhe Akainë; dhe tha: "Mbasi unë të ndodhem atje, më duhet të shoh edhe Romën".
22 Dhe si dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, vetë qëndroi për një kohë në Azi.
23 Tani, gjatë asaj kohe ndodhi një trazirë jo e vogël në lidhje me Udhën,
24 sepse njëri me emrin Dhimitër, argjendar, që bënte shenjtërore të argjendta të Artemisës, u sillte jo pak fitim zejtarëve.
25 Ai, si i mblodhi bashkë këta dhe punëtorët që merreshin me të tilla punë, tha: "O burra, ju e dini se prej kësaj pune vjen mirëqenia jonë.
26 Dhe ju po vëreni dhe dëgjoni se jo vetëm në Efes, por thuajse në gjithë Azinë, ky Pali ka bindur dhe ka larguar një turmë mjaft të madhe, duke thënë se nuk janë perëndi ata që bëhen nëpërmjet duarve.
27 Tani, jo vetëm përbën rrezik për ne që kjo lloj pune të shkojë në zhvlerësim, por edhe që tempulli i së madhes perëndeshë Artemisë të çmohet për asgjë dhe madje që të arrijë në pikën sa të hidhet poshtë madhështia e asaj të cilën tërë Azia dhe njerëzia e adhuron".
28 Tani, kur e dëgjuan këtë dhe si u mbushën me mllef, nisën të bërtisnin, duke thënë: "E madhe është Artemisa e efesianëve!".
29 Dhe tërë qyteti u mbush me rrëmujë, dhe njerëzit u turrën me një mendje në teatër, duke kapur me forcë Gajin dhe Aristarkun, maqedonas, bashkudhëtarë të Palit.
30 Dhe ndërsa Pali donte të hynte në popullatën e mbledhur, dishepujt nuk e lejonin.
31 Por edhe disa nga aziarkët, duke qenë miq të tij, dërguan njerëz tek ai dhe e përgjëronin që të mos dilte vetë në teatër.
32 Kështu, disa bërtisnin një gjë, të tjerë diçka tjetër, sepse kuvendi ishte hutuar dhe më të shumtët nuk e dinin për çfarë shkaku ishin mbledhur.
33 Dhe disa nga turma shtynë para Aleksandrin, sepse atë e kishin nxjerrë përpara judenjtë. Dhe Aleksandri, duke bërë shenjë me dorë, donte të mbrohej para popullatës së mbledhur,
34 por kur ata e kuptuan se ishte judé, u ngritën të gjithë njëzëri, duke bërtitur për rreth dy orë: "E madhe është Artemisa e efesianëve!".
35 Tani, sekretari i qytetit, si qetësoi turmën, tha: "O burra efesianë! Njëmend, kush është ai njeri i cili nuk e di se qyteti i efesianëve është mbrojtës i shenjtërores të së madhes perëndeshë Artemisë dhe i shtatores së saj të rënë nga Zeusi?!
36 Prandaj, duke qenë të pakundërshtueshme këto gjëra, duhet që ju të mbani qetësinë dhe të mos bëni asgjë të nxituar.
37 Sepse ju sollët këtu këta burra, që nuk janë as plaçkitës tempujsh, as blasfemues të perëndeshës suaj.
38 Kështu, nëse Dhimitri dhe zejtarët bashkë me të kanë një çështje kundër ndokujt, zhvillohen seanca gjyqësore dhe ka prokonsuj; le të akuzojnë njëri-tjetrin.
39 Por nëse kërkoni diçka për gjëra të tjera, kjo do të shkoqitet në kuvendin e ligjshëm.
40 Sepse edhe rrezikojmë që të akuzohemi për kryengritje lidhur me ngjarjen e sotme, meqenëse nuk kemi asnjë shpjegim për të cilin do të mund të japim arsyen e këtij grumbullimi".
41 Dhe si tha këto, e shpërndau kuvendin.
Të gjithë librat
