Veprat e Apostujve 17
1 Tani, duke udhëtuar nëpër Amfípoli dhe Apoloni, erdhën në Selanik, ku ishte sinagoga e judenjve.
2 Dhe sipas zakonit të Palit, ai hyri tek ata dhe për tri shabate diskutonte me ta pjesë nga Shkrimet,
3 duke shtjelluar dhe duke parashtruar se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej të vdekurve, dhe duke thënë: "Ky Jezus, të cilin unë jua shpall juve, është Krishti".
4 Dhe disa prej tyre u bindën dhe iu bashkuan Palit dhe Silës, si edhe një morí e madhe e helenëve që adhuronin Perëndinë, dhe jo pak gra të rëndësishme.
5 Por judenjtë që nuk u bindën, duke marrë me vete disa burra të ligj nga ata të tregut, dhe duke bërë një turmë, nisën të bënin rrëmujë qytetin; dhe si iu turrën shtëpisë së Jasonit, kërkonin Palin dhe Silën që t'i sillnin para popullatës së mbledhur.
6 Por duke mos i gjetur ata, tërhoqën Jasonin dhe disa vëllezër para krerëve të qytetit, duke ulëritur: "Këta që e bënë rrëmujë njerëzinë, kanë ardhur edhe këtu
7 dhe Jasoni i ka pritur; dhe këta të gjithë veprojnë përkundër dekreteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi".
8 Dhe trazuan turmën dhe krerët e qytetit, që po i dëgjonin këto gjëra.
9 Dhe krerët, si morën dorëzaninë nga Jasoni dhe të tjerët, i lëshuan.
10 Dhe vëllezërit menjëherë dërguan gjatë natës në Berea Palin dhe Silën, të cilët, kur arritën, nisën të shkonin në sinagogën e judenjve.
11 Tani, këta ishin më fisnikë sesa ata në Selanik, sepse këta e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke shqyrtuar çdo ditë Shkrimet nëse këto gjëra ishin kështu.
12 Atëherë, shumë prej atyre besuan, si edhe jo pak nga gratë fisnike helene dhe nga burrat.
13 Por judenjtë e Selanikut, si morën vesh se edhe në Berea u shpall nga Pali fjala e Perëndisë, shkuan edhe atje, duke lëkundur turmat.
14 Dhe atëherë, menjëherë vëllezërit e dërguan Palin që të shkonte deri në breg të detit, por qoftë Sila e qoftë Timoteu vazhdonin të rrinin në qytet.
15 Tani, ata që e shoqëronin Palin, e çuan deri në Athinë dhe, si morën urdhërim për Silën dhe Timoteun, që sa më shpejt të vinin tek ai, u larguan.
16 Dhe ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i acarohej fryma brenda tij ndërsa vërente qytetin që ishte plot me idhuj.
17 Kështu, ai dialogonte në sinagogë me judenjtë dhe me ata që adhuronin Perëndinë, dhe në sheshin e tregut për çdo ditë me ata që rastisnin aty.
18 Tani, disa nga filozofët epikurianë dhe stoikë bashkëbisedonin me të, dhe disa thoshin: "Çfarë dashka të thotë ky fjalaman?", ndërsa të tjerë thoshin: "Duket se është shpallës hyjnish të huaja" (sepse u shpallte si lajm të mirë Jezusin dhe ringjalljen).
19 Dhe e kapën, dhe e çuan në Areopag, duke thënë: "A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri që flitet nga ti?
20 Sepse ti sjell në veshët tanë disa gjëra që çudisin, prandaj dëshirojmë të dimë çfarë do të thonë këto gjëra".
21 (Tani, të gjithë athinasit dhe të huajt që bunin aty, nuk e kalonin kohën me asgjë tjetër, veçse duke thënë dhe duke dëgjuar diçka më të re.)
22 Dhe Pali, duke qëndruar në mes të Areopagut, tha: "O burra athinas, po vërej se sa shumë besëtytë jeni ju në të gjitha,
23 sepse duke kaluar dhe duke vërejtur me kujdes objektet tuaja të adhurimit, gjeta edhe një altar në të cilin ishte mbishkruar: 'Një perëndie të panjohur'. Çfarë ju, pra, adhuroni duke mos e njohur, këtë po jua shpall unë juve.
24 Perëndia, ai që bëri botën dhe të gjitha ato që janë në të, duke qenë ky Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në shenjtërore të bëra me dorë
25 dhe nuk shërbehet nga duar njerëzish, sikur të kishte nevojë për diçka, sepse ai vetë u jep të gjithëve jetë dhe frymëmarrje në të gjitha.
26 Dhe ai bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi gjithë sipërfaqen e tokës, duke përcaktuar kohëra të saktësuara për ta dhe caqet e banimit të tyre,
27 që të kërkojnë Zotin, nëse, ndoshta, mund ta ndiejnë me të prekur dhe e gjejnë; ndonëse ai nuk është larg nga çdonjëri prej nesh,
28 sepse në atë jetojmë dhe lëvizim, dhe jemi, siç edhe kanë thënë disa nga poetët tuaj: 'Se edhe prejardhje e tij jemi'.
29 Pra, duke qenë prejardhje e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin apo argjendin, apo gurin, një gdhendje mjeshtërie dhe ideje të njeriut.
30 Kështu, Perëndia, duke shpërfillur kohërat e padijes, tani i urdhëron të gjithë njerëzit, gjithandej, që të pendohen,
31 sepse ai vendosi një ditë në të cilën do të gjykojë njerëzimin me drejtësi me anë të një burri të cilin ai e caktoi, duke u paraqitur të gjithëve një provë për këtë, duke e ringjallur atë prej të vdekurve".
32 Tani, si dëgjuan për ringjallje të të vdekurve, disa e përqeshnin, ndërsa të tjerë thanë: "Do të të dëgjojmë përsëri rreth kësaj çështjeje".
33 Dhe kështu, Pali doli nga mesi i tyre.
34 Por disa burra iu bashkuan atij dhe besuan, ndër të cilët edhe Dionis areopagiti dhe një grua me emrin Damaris, si dhe të tjerë bashkë me ta.
Të gjithë librat
