Veprat e Apostujve 15
1 Dhe disa burra zbritën nga Judeja dhe nisën t'i mësonin vëllezërit: "Po të mos rrethpriteni sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni".
2 Atëherë, si u bë një sherr dhe rragatje jo e vogël nga ana e Palit dhe e Barnabës me ta, vëllezërit caktuan Palin dhe Barnabën, dhe disa të tjerë prej tyre, që të ngjiteshin tek apostujt dhe pleqtë në Jerusalem për këtë mosmarrëveshje.
3 Kështu, ata, si u përcollën nga kisha, përshkuan Fenikinë dhe Samarinë, duke treguar hollësisht kthimin e kombeve; dhe u sillnin gëzim të madh të gjithë vëllezërve.
4 Dhe kur arritën në Jerusalem, u mirëpritën nga kisha dhe apostujt, dhe pleqtë; dhe dëftuan gjithë sa Perëndia bëri me ta dhe se u hapi kombeve një derë besimi.
5 Por u ngritën disa nga ata të sektit të farisenjve, që kishin besuar, duke thënë: "Duhet të rrethpriten ata dhe të urdhërohen që të mbajnë Ligjin e Moisiut".
6 Tani, apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta parë këtë çështje.
7 Dhe ndërsa u bë shumë rragatje, Pjetri u ngrit dhe u tha atyre: "O burra, vëllezër, ju e dini se kohë më parë Perëndia zgjodhi ndër ne që nëpërmjet gojës sime ta dëgjonin kombet fjalën e ungjillit dhe të besonin.
8 Dhe Perëndia zemërnjohës u dëshmoi atyre duke u dhënë Frymën e Shenjtë, ashtu si edhe neve,
9 dhe nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
10 Tani, pra, pse e sprovoni Perëndinë, duke vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë të cilën as etërit tanë, as ne nuk mundëm ta mbanim?
11 Përkundrazi, ne besojmë se shpëtohemi nëpërmjet hirit të Zotit Jezus, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe ata".
12 Dhe gjithë moria e të pranishmëve heshti, dhe po dëgjonte Barnabën dhe Palin duke treguar gjithë sa bëri Perëndia shenja dhe çudira ndër kombet nëpërmjet tyre.
13 Dhe mbasi ata përfunduan së foluri, e mori fjalën Jakobi, duke thënë: "O burra, vëllezër, më dëgjoni!
14 Simeoni tregoi se si Perëndia së pari u përkujdes që të merrte prej kombeve një popull për emrin e vet.
15 Dhe me këtë përkojnë fjalët e profetëve, ashtu siç është shkruar:
16 'Mbas këtyre gjërave do të kthehem dhe do të rindërtoj tendën e rrëzuar të Davidit, dhe do të rindërtoj rrënojat e saj, dhe do ta ngre sërish,
17 me qëllim që të kërkojë Zotin pjesa tjetër e njerëzve, dhe të gjitha kombet mbi të cilat thirret emri im, thotë Zoti, ai që i bën këto të gjitha.
18 Të njohura nga përjetësia janë për Perëndinë të gjitha veprat e tij'.
19 Prandaj, unë gjykoj që të mos bezdisen ata nga kombet që kthehen te Perëndia,
20 por t'u shkruhet atyre një letër, që të rrinë larg nga ndotjet e idhujve dhe nga kurvëria, dhe nga kafshët e mbytura, dhe nga gjaku.
21 Sepse prej brezave të kahershëm, Moisiu ka në çdo qytet ata që e predikojnë, ngaqë lexohet për çdo shabat në sinagoga".
22 Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve, bashkë me tërë kishën, që, duke zgjedhur disa burra prej tyre, të dërgonin në Antioki, bashkë me Palin dhe Barnabën, Judën, që mbiquhej Barsaba, dhe Silën, burra udhëheqës ndër vëllezërit,
23 duke shkruar me dorën e tyre këto: "Apostujt dhe pleqtë, dhe vëllezërit, vëllezërve që janë prej kombeve nëpër Antioki dhe Siri, dhe Kiliki, tungjatjeta!
24 Meqenëse dëgjuam se disa njerëz që dolën prej nesh, të cilëve nuk u kishim dhënë porosi, ju trazuan me fjalë, duke pështjelluar shpirtrat tuaja, duke thënë që të rrethpriteni dhe të mbani Ligjin,
25 na u duk e mirë, mbasi u bëmë një mendje, të zgjedhim disa burra për t'i dërguar te ju bashkë me të dashurit tanë, Barnabën dhe Palin,
26 njerëz që kanë rrezikuar jetët e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht.
27 Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën, të cilët edhe vetë do t'ju njoftojnë të njëjtat gjëra me të folur.
28 Se iu duk e mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë më shumë, përveç këtyre të nevojshmeve:
29 të rrini larg nga flijime idhujsh dhe nga gjaku, dhe nga kafshë të mbytura, dhe nga kurvëria; prej të cilave, nëse e ruani veten, do të veproni mirë. Qofshi mirë!".
30 Kështu, ata, si u nisën, erdhën në Antioki dhe, si mblodhën morinë e dishepujve, dorëzuan letrën.
31 Dhe kur ata e lexuan, u gëzuan nga zemërdhënia që morën.
32 Qoftë Juda e qoftë Sila, duke qenë edhe vetë profetë, përmes një fjale të gjatë u dhanë zemër vëllezërve dhe i përforcuan.
33 Dhe si kaluan ca kohë aty, u nisën me paqe nga vëllezërit për tek apostujt.
34 Por Silës iu duk e mirë që të rrinte aty.
35 Por Pali dhe Barnaba ndenjën në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur si lajm të mirë (edhe me shumë të tjerë) fjalën e Zotit.
36 Tani, mbas disa ditësh Pali i tha Barnabës: "Le të kthehemi tani dhe të vizitojmë vëllezërit tanë në çdo qytet në të cilin shpallëm fjalën e Zotit, për të parë si janë".
37 Dhe Barnaba vendosi të merrte me vete Gjonin, që mbiquhej Mark,
38 por Pali e çmonte me vend që të mos e merrnin me vete atë që u largua nga ata që nga Pamfilia dhe që nuk shkoi bashkë me ta në punën e Zotit.
39 Atëherë lindi një acarim saqë ata të ndaheshin nga njëri-tjetri dhe Barnaba të lundronte për në Qipro, duke marrë me vete Markun.
40 Por Pali zgjodhi Silën dhe doli, duke iu dorëzuar hirit të Perëndisë nga vëllezërit.
41 Dhe ai përshkonte Sirinë dhe Kilikinë, duke përforcuar kishat.
Të gjithë librat
