Veprat e Apostujve 14
1 Tani, në Ikon ndodhi e njëjta gjë: që Pali dhe Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në mënyrë të atillë saqë të besonin një morí e madhe, qoftë judenjsh e qoftë helenësh.
2 Por judenjtë që nuk u bindën, i nxitën dhe i acaruan shpirtrat e atyre nga kombet kundër vëllezërve.
3 Kështu, ata kaluan mjaft kohë aty, duke folur me guxim në Zotin që dëshmonte për fjalën e hirit të tij jepte që të bëheshin shenja dhe çudira nëpërmjet duarve të tyre.
4 Por popullsia e qytetit u nda dhe disa ishin me judenjtë, disa me apostujt.
5 Por kur u bë një përpjekje, qoftë e kombeve dhe qoftë e judenjve (bashkë me krerët e tyre) për t'i poshtëruar dhe për t'i qëlluar me gurë,
6 Pali dhe Barnaba e kuptuan dhe ikën në qytetet e Likaonisë: Listër dhe Derbë, dhe rrethinat;
7 dhe atje vazhdonin të shpallnin ungjillin.
8 Dhe në Listër po rrinte ulur një burrë, i pafuqishëm nga këmbët, që ishte i çalë që prej barkut të nënës, i cili kurrë nuk kishte ecur.
9 Ky dëgjoi duke folur Palin i cili, duke shikuar ngultas drejt burrit dhe duke parë se kishte besim për t'u shpëtuar nga gjendja,
10 tha me zë të lartë: "Ngrihu drejt mbi këmbët e tua!". Dhe ai brofi dhe nisi të ecte.
11 Dhe turmat, kur panë çfarë bëri Pali, ngritën zërin e tyre duke thënë në likaonishte: "Perënditë u bënë të ngjashëm me njerëzit dhe zbritën te ne".
12 Dhe nisën t'i thërrisnin, nga njëra anë Barnabën Zeus dhe, nga ana tjetër, Palin Hermes, ngaqë ky ishte folësi kryesor.
13 Dhe prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte në hyrje të qytetit të tyre, solli dema dhe kurora te portat e qytetit dhe bashkë me turmat donte të bënte flijim.
14 Por kur e dëgjuan këtë apostujt Barnaba dhe Pali, shqyen rrobat e tyre dhe u turrën brenda në turmë, duke bërtitur
15 dhe duke thënë: "O burra, pse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtin përjetim si ju dhe po ju shpallim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, i cili bëri qiellin dhe tokën, dhe detin, dhe të gjitha ato që gjenden në ta;
16 i cili në brezat që kanë kaluar, i lejoi të gjitha kombet që të shkonin udhëve të tyre,
17 megjithatë nuk e la vetveten pa dëshmi, duke bërë mirë, duke ju dhënë juve shira nga qielli dhe kohëra frytsjellëse, duke i ngopur me ushqim dhe galdim zemrat tuaja".
18 Dhe duke thënë këto, mezi i përmbajtën turmat që të mos u bënin flijim atyre.
19 Por nga Antiokia dhe Ikoni erdhën disa judenj, dhe si i bindën turmat dhe e qëlluan me gurë Palin, e tërhoqën jashtë qytetit, duke kujtuar se ai kishte vdekur.
20 Por ndërsa e rrethuan dishepujt, u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen doli bashkë me Barnabën për në Derbë.
21 Dhe si ungjillëzuan atë qytet dhe si bënë mjaft dishepuj, u kthyen në Listër dhe Ikon, dhe Antioki,
22 duke përforcuar shpirtrat e dishepujve, duke i nxitur për të vazhduar në besim dhe duke thënë: "Përmes shumë mundimesh na duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë".
23 Dhe si zgjodhën për ta pleq në çdo kishë dhe duke u lutur me agjërime, i lanë në dorë të Zotit në të cilin kishin besuar.
24 Dhe duke përshkuar Pisidinë, erdhën në Pamfili;
25 dhe si folën në Pergë fjalën, zbritën në Atali
26 dhe prej aty lundruan për në Antioki, prej nga i ishin dorëzuar hirit të Perëndisë për punën të cilën e përmbushën.
27 Dhe kur arritën aty dhe mblodhën kishën, dëftuan gjithë sa bëri Perëndia me ta dhe se u hapi kombeve një derë besimi.
28 Dhe atje kalonin jo pak kohë bashkë me dishepujt.
Të gjithë librat
