Veprat e Apostujve 12
1 Tani, rreth asaj kohe, mbreti Herod i kapi disa nga anëtarët e kishës që t'i keqtrajtonte
2 dhe vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit.
3 Dhe, duke parë se kjo ishte e pëlqyer për judenjtë, vijoi edhe me kapjen e Pjetrit (dhe ishin ditët e të Ndormeve).
4 Dhe si e kapi, e futi në burg, duke ua dorëzuar për ta ruajtur katër skuadrave katërshe me ushtarë, ngaqë synonte për ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës.
5 Kështu, Pjetri mbahej në burg, ndërsa nga kisha po bëhej lutje e vazhdueshme drejt Perëndisë për të.
6 Dhe atë natë, kur Herodi ishte gati për ta nxjerrë para popullit, Pjetri ishte duke fjetur midis dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojat para derës ruanin burgun.
7 Dhe ja, një engjëll i Zotit qëndroi afër tij dhe një dritë rrezatoi në qeli; dhe duke e goditur Pjetrin në brinjë, e çoi duke thënë: "Ngrihu shpejt!". Dhe zinxhirët i ranë prej duarve.
8 Dhe engjëlli i tha: "Ngjishu dhe lidhi sandalet!"; dhe ai bëri kështu. Dhe engjëlli i tha: "Mbështillu me mantelin tënd dhe më ndiq!".
9 Dhe si doli, e ndiqte; dhe nuk e dinte se ajo që po ndodhte nëpërmjet engjëllit ishte e vërtetë, por mendonte se po shihte një vegim.
10 Dhe kur kaluan rojën e parë dhe të dytë, erdhën te porta e hekurt, ajo që çonte në qytet, e cila u hap vetvetiu para tyre; dhe kur dolën, vijuan në një rrugicë, dhe menjëherë engjëlli u largua nga ai.
11 Dhe si erdhi në vete, Pjetri tha: "Tani e di vërtet se Zoti dërgoi engjëllin e tij dhe më liroi prej dorës së Herodit dhe prej gjithë asaj që priste populli i judenjve".
12 Dhe si e kuptoi këtë, shkoi te shtëpia e Marisë, nënës së Gjonit, atij që mbiquhej Mark, ku mjaft besimtarë ishin mbledhur bashkë dhe po luteshin.
13 Dhe kur ai trokiti në kanatin e portës, një shërbëtore me emrin Rode erdhi pranë portës për të dëgjuar.
14 Dhe duke njohur zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi portën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri po qëndronte para portës.
15 Por ata i thanë: "Ti je çmendur!". Por ajo këmbëngulte se ishte kështu; ndërsa ata thoshin: "Është engjëlli i tij".
16 Por Pjetri vazhdonte duke trokitur, dhe kur hapën portën, e panë dhe u shastisën.
17 Por ai, duke u bërë shenjë me dorë për të heshtur, u tregoi se si Zoti e priu jashtë prej burgut; dhe tha: "Njoftojani Jakobit dhe vëllezërve këto gjëra". Dhe doli e shkoi në një vend tjetër.
18 Tani, ndërsa u bë ditë, pati një trazirë jo të vogël ndër ushtarët se ç'u bë vallë Pjetri.
19 Dhe Herodi, si e kërkoi dhe nuk e gjeti, mori në pyetje rojat dhe urdhëroi të çoheshin për ekzekutim. Dhe si zbriti nga Judeja në Cezare, rrinte atje.
20 Tani, Herodi ishte tërbuar me tirasit dhe sidonasit; dhe këta, me një mendje, erdhën tek ai. Dhe si bindën Blastin, shambelanin e mbretit, kërkonin paqe, për shkak se vendi i tyre ushqehej nga vendi i mbretit.
21 Dhe në ditën e caktuar, Herodi, si veshi veshjen mbretërore dhe u ul në fronin e gjykimit, nisi të mbante një fjalim drejtuar atyre.
22 Dhe popullata e mbledhur brohoriste: "Zë perëndie dhe jo njeriu!".
23 Dhe përnjëherësh, një engjëll i Zotit goditi Herodin, për shkak se nuk ia dha lavdinë Perëndisë; dhe duke u brejtur nga krimbat, dha shpirt.
24 Por fjala e Perëndisë rritej dhe shumohej.
25 Dhe Barnaba dhe Sauli u kthyen prej Jerusalemit, mbasi përmbushën shërbimin, duke marrë me vete edhe Gjonin, që u mbiquajt Mark.
Të gjithë librat
