Veprat e Apostujve 10
1 Tani, në Cezare ishte një burrë me emrin Kornel, një centurion prej asaj që quhej "Kohorta italike",
2 i përshpirtshëm dhe që kishte frikë Perëndinë, bashkë me të gjithë shtëpinë e vet, dhe që i jepte shumë lëmosha popullit, dhe që i përgjërohej Perëndisë vazhdimisht.
3 Ai pa qartë në vegim, rreth orës së nëntë të ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: "Kornel!".
4 Dhe ai, duke e shikuar ngultas dhe duke qenë i tmerruar, tha: "Çfarë është, o Zot?". Dhe engjëlli i tha: "Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua u ngjitën si kujtim përpara Perëndisë;
5 dhe tani, dërgo në Jopë burra dhe thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër.
6 Ky është mik pranë njëfarë Simoni, lëkurëregjës, shtëpia e të cilit është pranë detit.
7 Dhe si u largua engjëlli që i foli Kornelit, ai thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar të përshpirtshëm, nga ata që rrinin vazhdimisht me të,
8 dhe mbasi ua tregoi atyre të gjitha, i dërgoi në Jopë.
9 Tani, të nesërmen, ndërsa ata udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit mbi tarracë për t'u lutur rreth orës së gjashtë.
10 Dhe e mori uria dhe donte të hante; por ndërsa ata të shtëpisë po përgatisnin ushqimin, kaloi në ekstazë
11 dhe vërejti qiellin të hapur dhe duke zbritur mbi të njëfarë sendi si çarçaf i madh që prej katër cepave ishte lidhur dhe ishte duke u ulur mbi tokë.
12 Në të gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshave të tokës dhe të egërsirave, dhe të zvarranikëve, dhe të shpendëve të qiellit.
13 Dhe i erdhi një zë: "Ngrihu, Pjetër, ther dhe ha!".
14 Por Pjetri tha: "Kurrsesi, o Zot, sepse kurrë nuk kam ngrënë asgjë të ndytë ose të papastër".
15 Dhe, përsëri, një zë i erdhi për së dyti: "Ato që Perëndia i pastroi, ti mos i çmo të ndyta".
16 Dhe kjo ndodhi për tri herë, dhe përsëri sendi u mor lart në qiell.
17 Tani, ndërsa Pjetri ishte tepër i hutuar në vetvete se çfarë donte të thoshte vegimi që pa, ja, burrat që ishin dërguar nga Korneli, duke pyetur për shtëpinë e Simonit, u afruan te porta
18 dhe, duke thirrur, pyesnin nëse ishte mik aty Simoni, që mbiquhet Pjetër.
19 Dhe ndërsa Pjetri mendonte thellë rreth vegimit, Fryma i tha: "Ja, tre burra po të kërkojnë.
20 Por ngrihu, zbrit dhe shko bashkë me ta pa ngurruar, sepse i kam dërguar unë".
21 Dhe si zbriti Pjetri te burrat tha: "Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?".
22 Dhe ata thanë: "Korneli, një centurion, burrë i drejtë dhe që ka frikë Perëndinë, dhe për të cilin jepet dëshmi nga tërë kombi i judenjve, u udhëzua nga një engjëll i shenjtë që të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë fjalë nga ti".
23 Atëherë ai i ftoi brenda dhe i mikpriti. Dhe të nesërmen, si u ngrit, doli bashkë me ta; dhe disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan bashkë me të.
24 Dhe të nesërmen hynë në Cezare. Tani, Korneli po i priste dhe kishte thirrur bashkë farefisin e tij dhe miqtë e ngushtë.
25 Dhe ndodhi që, si hyri Pjetri brenda, Korneli e takoi dhe, duke rënë te këmbët e tij, e adhuroi.
26 Por Pjetri e çoi, duke thënë: "Ngrihu! Edhe unë vetë njeri jam!".
27 Dhe duke bashkëbiseduar me të, hyri dhe gjeti të mbledhur shumë njerëz.
28 Dhe u tha atyre: "Ju e dini sa e palejueshme është që një burrë judé t'i bashkohet ose t'i afrohet një të huaji; por mua Perëndia më tregoi që të mos e quaj asnjë njeri të ndytë ose të papastër.
29 Prandaj edhe erdha pa kundërshtim kur u thirra. Atëherë po ju pyes: për çfarë çështjeje më thirrët?".
30 Dhe Korneli tha: "Para katër ditësh, që i bie në këtë orë, isha duke agjëruar dhe duke u lutur në orën e nëntë në shtëpinë time; dhe ja, një burrë me veshje shkëlqyese qëndroi përpara meje
31 dhe tha: 'Kornel, u dëgjua lutja jote dhe lëmoshat e tua u kujtuan përpara Perëndisë.
32 Prandaj, dërgo njerëz në Jopë dhe thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër; ai është mik në shtëpinë e Simonit, lëkurëregjës, pranë detit, i cili, kur të vijë, do të flasë me ty'.
33 Atëherë dërgova në çast njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani, pra, të gjithë ne jemi këtu përpara Perëndisë për të dëgjuar të gjitha ato që të janë urdhëruar nga Perëndia".
34 Dhe Pjetri, duke hapur gojën, tha: "Me të vërtetë po kuptoj se Perëndia nuk është i anshëm,
35 por në çdo komb, ai që e ka frikë atë dhe bën atë që është e drejtë, është i pranueshëm prej tij.
36 Sa për fjalën që ua dërgoi bijve të Izraelit, duke shpallur si lajm të mirë paqen që është nëpërmjet Jezu Krishtit (ky është Zot i të gjithëve),
37 ju e dini atë që ndodhi nëpër tërë Judenë, duke filluar nga Galileja, mbas pagëzimit që predikoi Gjoni,
38 lidhur me Jezusin nga Nazareti, se si e vajosi Perëndia me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi; i cili kaloi gjithandej duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që shtypeshin nga djalli, sepse Perëndia ishte me të.
39 Dhe ne jemi dëshmitarë të të gjitha atyre që bëri, qoftë në vendin e Judesë dhe qoftë në Jerusalem. Atë edhe e vranë duke e varur në dru,
40 por atë Perëndia e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që ai t'u shfaqej
41 jo të gjithë popullit, por dëshmitarëve që janë parazgjedhur nga Perëndia, domethënë neve, të cilët hëngrëm dhe pimë bashkë me të mbasi ai u ringjall prej të vdekurve.
42 Dhe na urdhëroi që t'i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se vetë ai është ai që është caktuar nga Perëndia si gjykatës i të gjallëve dhe të vdekurve.
43 Për të dëshmojnë të gjithë profetët, që të marrë nëpërmjet emrit të tij falje të mëkateve kushdo që beson në të".
44 Ndërsa Pjetri ende po thoshte këto gjëra, Fryma e Shenjtë ra mbi të gjithë ata që dëgjonin fjalën.
45 Dhe besimtarët që ishin prej rrethprerjes, gjithë sa erdhën bashkë me Pjetrin, u shastisën që dhurimi i Frymës së Shenjtë u derdh edhe mbi kombet,
46 sepse i dëgjonin duke folur në gjuhëra dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë e mori fjalën Pjetri:
47 "Mos vallë mund ta ndalojë ndokush ujin që të mos pagëzohen këta të cilët e morën Frymën e Shenjtë ashtu si edhe ne?".
48 Dhe i urdhëroi që të pagëzoheshin në emrin e Zotit. Atëherë ata i kërkuan që të rrinte disa ditë.
Të gjithë librat
