Veprat e Apostujve 5
1 Tani, një burrë me emrin Hanania, bashkë me gruan e tij, Sapfirën, shiti një pronë
2 dhe mbajti për vete një pjesë nga fitimi, me dijeni të plotë edhe të gruas, dhe një pjesë tjetër e çoi dhe e vuri pranë këmbëve të apostujve.
3 Por Pjetri tha: "O Hanania, përse e mbushi Satani zemrën tënde që ti të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash për vete një pjesë nga fitimi i truallit?
4 Duke mbetur i pashitur, a nuk të mbetej ty? Dhe kur u shit, a nuk ishte në pushtetin tënd? Përse vendose në zemrën tënde këtë veprim? Ti nuk gënjeve njerëz, por Perëndinë!".
5 Dhe duke dëgjuar këto fjalë, Hanania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe u hyri të gjithëve atyre që dëgjonin.
6 Dhe të rinjtë u ngritën dhe e mbështollën; dhe si e nxorën jashtë, e varrosën.
7 Tani, kaluan ndërkohë rreth tri orë dhe hyri gruaja e tij, duke mos e ditur atë që kishte ndodhur.
8 Dhe Pjetri iu drejtua asaj: "Më thuaj, a e shitët truallin për kaq?". Dhe ajo tha: "Po, për kaq".
9 Dhe Pjetri i tha asaj: "Përse ju ratë në ujdi për ta sprovuar Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që varrosën burrin tënd janë te dera dhe do të të nxjerrin jashtë edhe ty!".
10 Dhe ajo ra përnjëherësh te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe kur hynë të rinjtë, e gjetën të vdekur; dhe si e nxorën jashtë, e varrosën pranë burrit të saj.
11 Dhe një frikë e madhe i hyri tërë kishës dhe të gjithëve atyre që i dëgjonin këto gjëra.
12 Tani, nëpërmjet duarve të apostujve bëheshin shumë shenja dhe çudira në popull. Dhe të gjithë ishin me një mendje te Portiku i Solomonit.
13 Ndërsa nga të tjerët, asnjë nuk guxonte t'u bashkohej atyre; por populli i vlerësonte tej mase.
14 Dhe gjithnjë e më tepër shtoheshin besimtarë në Zotin, një morí, qoftë burrash dhe qoftë grash,
15 aq sa t'i nxirrnin të lënguarit edhe në rrugët e gjera dhe t'i vinin mbi vigje dhe shtroja, që ndërsa kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.
16 Por mblidhej aty edhe moria e njerëzve nga qytetet përreth Jerusalemit, duke sjellë të lënguar dhe të trazuar nga frymëra të ndyra, të cilët shëroheshin të gjithë.
17 Tani, si u ngrit kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin bashkë me të (domethënë sekti i saducenjve), u mbushën me xhelozi
18 dhe i kapën apostujt e i futën në burgun publik.
19 Por një engjëll i Zotit, gjatë natës, hapi dyert e burgut dhe duke u prirë jashtë atyre, tha:
20 "Shkoni e qëndroni në tempull dhe i flisni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete".
21 Dhe si e dëgjuan këtë, hynë në tempull aty nga agimi dhe nisën të jepnin mësim. Tani, kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin bashkë me të, thirrën bashkë Sinedrin (domethënë gjithë pleqësinë e bijve të Izraelit) dhe dërguan roja në burg për të sjellë apostujt.
22 Por kur arritën rojat, nuk i gjetën ata në burg; dhe u kthyen e njoftuan,
23 duke thënë: "Burgun e gjetëm të mbyllur me çdo siguri dhe rojat duke qëndruar te dyert, por kur i hapëm, nuk gjetëm brenda asnjeri".
24 Dhe si i dëgjuan këto fjalë, qoftë komandanti i tempullit e qoftë kryepriftërinjtë, ishin tepër të hutuar rreth këtyre fjalëve se si do të bëhej kjo punë.
25 Por erdhi dikush dhe i njoftoi: "Ja, burrat që i futët në burg, janë duke qëndruar në tempull dhe duke mësuar popullin".
26 Atëherë shkoi komandanti bashkë me rojat dhe i solli, jo me dhunë, sepse i frikësoheshin popullit se mos vriteshin me gurë.
27 Tani, kur i sollën, i vunë para Sinedrit dhe kryeprifti i pyeti,
28 duke thënë: "Ne ju urdhëruam rreptësisht që të mos mësoni lidhur me këtë emër; dhe ja, keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni të sillni mbi ne gjakun e këtij njeriu".
29 Por duke u përgjigjur, Pjetri dhe apostujt thanë: "Duhet t'i bindemi Perëndisë më tepër sesa njerëzve.
30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e varur në dru.
31 Atë e lartësoi Perëndia në të djathtën e vet si Prijës dhe Shpëtimtar, për t'i dhënë pendim Izraelit dhe falje të mëkateve.
32 Dhe ne jemi dëshmitarë të këtyre gjërave, edhe Fryma e Shenjtë, të cilin Perëndia ua dha atyre që i binden".
33 Tani, kur ata i dëgjuan këto, po tërboheshin dhe donin që t'i vrisnin.
34 Por u ngrit në Sinedër një farise me emrin Gamaliel, mësues i Ligjit, i nderuar nga gjithë populli, dhe urdhëroi për t'i nxjerrë për pak kohë njerëzit jashtë.
35 Dhe u tha atyre të Sinedrit: "O burra izraelitë, bëni kujdes për veten tuaj se çfarë keni ndër mend të bëni ndaj këtyre njerëzve.
36 Se para këtyre ditëve u ngrit Teuda, duke thënë për veten se ishte dikushi, të cilit iu bashkua një numër prej rreth katërqind burrash. Ai u vra dhe të gjithë sa i bindeshin atij, u shpërndanë dhe u asgjësuan.
37 Mbas tij, në ditët e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda, galileasi, dhe tërhoqi mbas vetes mjaft popull. Edhe ai humbi, dhe të gjithë sa i bindeshin atij u shpërndanë.
38 Po për rastin e tanishëm po ju them: rrini larg nga këta njerëz dhe lërini ata të qetë, sepse po të jetë prej njerëzve, ky qëllim ose kjo vepër do të rrëzohet,
39 por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i rrëzoni ata; që të mos them se do të gjendeshit edhe në luftë kundër Perëndisë". Dhe ata u bindën prej tij,
40 dhe si i thirrën apostujt, i rrahën dhe i urdhëruan të mos flasin lidhur me emrin e Jezusit; dhe i lëshuan.
41 Kështu, ata u larguan nga prania e Sinedrit duke u gëzuar, sepse u çmuan të denjë për t'u çnderuar për hir të Emrit.
42 Dhe çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, nuk reshtnin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.
Të gjithë librat
