Veprat e Apostujve 4
1 Tani, ndërsa ata po i flisnin popullit, iu afruan priftërinjtë dhe komandanti i tempullit, dhe saducenjtë,
2 duke qenë shumë të mërzitur për shkak se Pjetri dhe Gjoni e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen prej të vdekurve.
3 Dhe i kapën e i futën në burg deri të nesërmen, sepse tashmë ishte mbrëmje.
4 Por shumë nga ata që e dëgjuan fjalën, besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.
5 Tani, ndodhi që të nesërmen u mblodhën në Jerusalem krerët e tyre dhe pleqtë, dhe skribët,
6 dhe Hanai, kryeprifti, dhe Kajafa, dhe Gjoni, dhe Aleksandri, dhe të gjithë sa ishin prej fisi kryepriftëror.
7 Dhe si i vunë ata në mes, nisën t'i pyesnin: "Në çfarë fuqie apo në cilin emër e bëtë ju këtë?".
8 Atëherë Pjetri, mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: "O krerë të popullit dhe ju pleq!
9 Nëse ne po hetohemi sot për një bamirësi ndaj një njeriu të lënguar, se në çfarë mënyre ky është shpëtuar,
10 le të jetë e njohur për të gjithë ju dhe për të gjithë popullin e Izraelit se në emrin e Jezu Krishtit, nazaretasit, të cilin ju e kryqëzuat, por që Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, në këtë emër ky njeri qëndron këtu përpara jush i shëndetësuar.
11 Ky është guri, ai që u përbuz nga ju ndërtuesit, ai që u bë gur këndi.
12 Dhe në asnjë tjetër nuk është shpëtimi, sepse nuk ka as edhe një emër tjetër nën qiell, që është dhënë ndër njerëz, në të cilin ne duhet të shpëtohemi".
13 Tani, duke vërejtur guximin e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke e përkapur se ishin njerëz analfabetë dhe të pamësuar, po habiteshin dhe po kuptonin se këta njerëz kishin qenë bashkë me Jezusin.
14 Dhe kur panë njeriun që ishte shëruar, duke qëndruar bashkë me ta, nuk kishin asgjë për të thënë kundër tyre.
15 Por si i urdhëruan të dalin jashtë Sinedrit, nisën të bashkëbisedonin me njëri-tjetrin,
16 duke thënë: "Çfarë t'u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse që një shenjë e dukshme është bërë përmes tyre, kjo është e njohur për të gjithë ata që banojnë në Jerusalem dhe ne nuk mund ta mohojmë;
17 por me qëllim që të mos përhapet edhe më shumë në popull, t'i kërcënojmë ata që të mos i flasin më asnjë njeriu lidhur me këtë emër".
18 Dhe si i thirrën, i urdhëruan që të mos flasin fare dhe as të mësojnë lidhur me emrin e Jezusit.
19 Por Pjetri dhe Gjoni, duke u përgjigjur, u thanë atyre: "Nëse është e drejtë përpara Perëndisë për t'ju dëgjuar ju më tepër sesa Perëndinë, gjykojeni ju;
20 sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që pamë dhe dëgjuam".
21 Dhe ata, si i kërcënuan përsëri, duke mos gjetur asnjë mënyrë se si t'i ndëshkonin, i liruan për shkak të popullit, sepse të gjithë lëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.
22 Se njeriu mbi të cilin ishte bërë kjo shenjë shërimi, ishte më shumë se dyzet vjeç.
23 Tani, kur u liruan, erdhën te të vetët dhe njoftuan gjithë sa u thanë atyre kryepriftërinjtë dhe pleqtë.
24 Dhe ata, kur i dëgjuan këto, me një mendje e ngritën zërin drejt Perëndisë dhe thanë: "O Sundimtar, ti je ai që bëri qiellin dhe tokën, dhe detin, dhe të gjitha gjërat që janë në ta;
25 ai që nëpërmjet Frymës së Shenjtë, përmes gojës së atit tonë David, shërbëtorit tënd, tha: 'Përse turfulluan kombet dhe popujt përsiatën gjëra të kota?
26 Mbretërit e tokës u rreshtuan dhe krerët bashkë u mblodhën kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij'.
27 Se me të vërtetë u mblodhën në këtë qytet kundër shërbëtorit tënd të shenjtë Jezus, të cilin ti e vajose, qoftë Herodi e qoftë Ponc Pilati, bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit,
28 për të bërë gjithë sa paracaktoi që të ndodhte dora jote dhe qëllimi yt.
29 Dhe tani, o Zot, vështro kërcënimet e tyre dhe jepu skllevërve të tu që ta flasin me plot guxim fjalën tënde,
30 duke e shtrirë ti dorën tënde për shërim dhe që të bëhen shenja dhe çudira nëpërmjet emrit të shërbëtorit tënd të shenjtë, Jezusit".
31 Dhe ndërsa ata u lutën me përgjërim, u tund vendi në të cilin ishin mbledhur dhe u mbushën të gjithë me Frymën e Shenjtë, dhe nisën ta flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.
32 Tani, moria e atyre që besuan ishte me një zemër dhe një shpirt; dhe as edhe njëri nuk thoshte se ndonjë gjë nga ato që i përkisnin ishte e vetja, por për ta ishin të gjitha të përbashkëta.
33 Dhe me fuqi të madhe, apostujt jepnin dëshminë e ringjalljes së Zotit Jezus; dhe ishte hir i madh mbi të gjithë ata.
34 Se as edhe një nevojtar nuk kishte ndër ta, sepse gjithë sa ishin pronarë trojesh apo shtëpish, i shisnin ato dhe i sillnin fitimet nga gjërat e shitura
35 dhe i vinin pranë këmbëve të apostujve; dhe ato i përndaheshin secilit sipas nevojës që kishte çdokush.
36 Tani, Jozefi, ai që u mbiquajt nga apostujt Barnabë (që përkthyer domethënë "Bir i zemërdhënies"), levit me prejardhje qipriote,
37 duke pasur një arë, e shiti dhe solli paranë dhe e vuri pranë këmbëve të apostujve.
Të gjithë librat
