Veprat e Apostujve 3
1 Tani, Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin në tempull në orën e lutjes, atë të së nëntës,
2 dhe aty po mbartej një burrë që ishte i çalë që prej barkut të nënës, të cilin e vinin çdo ditë te dera e tempullit, ajo që quhej "E bukura", për të lypur lëmoshë nga ata që hynin në tempull.
3 Kur ai pa Pjetrin dhe Gjonin teksa hynin në tempull, u kërkonte për të marrë lëmoshë.
4 Dhe Pjetri, bashkë me Gjonin, duke shikuar ngultas drejt tij, tha: "Na shih!".
5 Dhe ai shikonte me vëmendje drejt tyre, duke pritur për të marrë ndonjë gjë nga ata.
6 Por Pjetri tha: "Argjend dhe ar nuk kam, por çfarë kam, këtë po ta jap: në emrin e Jezu Krishtit, nazaretasit, ec!".
7 Dhe duke e kapur nga dora e djathtë, e çoi; dhe përnjëherësh iu forcuan këmbët dhe kyçet e këmbëve.
8 Dhe duke brofur, qëndroi në këmbë dhe nisi të ecte; dhe hyri bashkë me ta në tempull, duke ecur dhe duke kërcyer, dhe duke lavdëruar Perëndinë.
9 Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë;
10 dhe e njihnin mirë, se ky ishte ai që rrinte ulur për lëmoshë te Porta e Bukur e tempullit, dhe u mahnitën e u shastisën për atë që i kishte ngjarë.
11 Dhe ndërsa ai po kapej pas Pjetrit dhe Gjonit, gjithë populli, i mrekulluar krejt, vrapoi tok drejt tyre te portiku që quhej "i Solomonit".
12 Dhe kur e pa këtë, Pjetri iu drejtua popullit: "O burra izraelitë, pse mrekulloheni për këtë? Ose pse na shikoni ngultas sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë apo përshpirtërinë tonë?
13 Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi shërbëtorin e tij Jezus, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat përballë Pilatit, kur ai vendosi për ta liruar.
14 Por ju mohuat të Shenjtin dhe të Drejtin, dhe kërkuat që t'ju falej një burrë që ishte vrasës;
15 ndërsa Filluesin e jetës e vratë, atë që Perëndia e ngjalli prej të vdekurve; për këtë ne jemi dëshmitarë.
16 Dhe falë besimit në emrin e Jezusit, këtë njeri të cilin e vëreni dhe e njihni, e forcoi emri i tij; dhe besimi që është nëpërmjet tij, i dha këtë shëndet të plotë përballë ju të gjithëve.
17 Dhe tani, vëllezër, unë e di se vepruat nga padija, sikurse edhe krerët tuaj,
18 por Perëndia e përmbushi kështu atë që paralajmëroi nëpërmjet gojës së të gjithë profetëve: që Krishti i tij do të vuante.
19 Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që mëkatet tuaja të fshihen,
20 me qëllim që të vijnë kohëra freskie nga prania e Zotit dhe ai të dërgojë Krishtin që ka qenë caktuar për ju, domethënë Jezusin,
21 të cilin qielli duhet ta pranojë deri në kohërat e përtëritjes së të gjithave, për të cilat foli Perëndia nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë, që nga lashtësia.
22 Pikërisht Moisiu tha: 'Zoti, Perëndia ynë, do të ngrejë për ju një profet si unë prej vëllezërve tuaj; atë do ta dëgjoni në të gjitha sa do t'ju flasë juve.
23 Dhe do të ndodhë që çdo shpirt, cilido që të mos e dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej mesit të popullit'.
24 Por edhe të gjithë profetët, gjithë sa folën që nga Samueli dhe ata që pasuan, gjithashtu i shpallën këto ditë.
25 Ju jeni bijtë e profetëve dhe të besëlidhjes të cilën e lidhi Perëndia me etërit tuaj, duke i thënë Abrahamit: 'Dhe në pasardhjen tënde do të bekohen të gjitha familjet e tokës'.
26 Kur Perëndia e ringjalli shërbëtorin e tij, jua dërgoi atë juve së pari, që t'ju bekonte me largimin e secilit prej jush nga ligësitë tuaja".
Të gjithë librat
