Veprat e Apostujve 27
1 Tani, si u vendos që ne të lundronim për në Itali, vijuan me dorëzimin, qoftë të Palit e qoftë të disa të burgosurve të tjerë, te një centurion me emrin Jul, i Kohortës Auguste.
2 Dhe mbasi hipëm në një anije nga Adraminti, që ishte gati për të lundruar drejt vendeve që janë përgjatë brigjeve të Azisë, u nisëm në lundrim, ndërsa bashkë me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku.
3 Dhe ditën tjetër zbritëm në Sidon; dhe Juli, duke u sjellë me njeridashje ndaj Palit, lejoi që ai të shkonte te miqtë dhe të merrte përkujdesje.
4 Dhe si u nisëm prej aty, lundruam poshtë Qipros, për shkak se erërat ishin të kundërta.
5 Dhe mbasi lundruam përmes detit të hapur, përgjatë brigjeve të Kilikisë dhe Pamfilisë, zbarkuam në Mirë të Likisë.
6 Dhe atje, si gjeti centurioni një anije nga Aleksandria, që lundronte për në Itali, na futi në të.
7 Tani, duke lundruar ngadalë për disa ditë dhe me vështirësi, si arritëm përballë Knidës, ngaqë era nuk po na lejonte vijimin e udhëtimit, lundruam poshtë Kretës, përballë Salmonit.
8 Dhe duke lundruar përbri saj me vështirësi, erdhëm në njëfarë vendi që quhej Limanet e Mira, afër të cilit ishte qyteti i Laseas.
9 Tani, ndërsa kaloi mjaft kohë dhe lundrimi ishte tashmë i rrezikshëm, për shkak se edhe agjërimi kishte kaluar tashmë, Pali nisi t'i këshillonte,
10 duke u thënë: "O burra, po vë re se lundrimi ka për të qenë me dëm dhe me shumë humbje, jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për jetët tona".
11 Por centurioni dëgjonte më tepër timonierin dhe kapitenin sesa ato që thuheshin nga Pali.
12 Dhe ngaqë limani ishte i papërshtatshëm për dimërim, më të shumtët morën vendim për t'u nisur prej aty, në mundshin disi që, duke arritur në Fenikë, një liman i Kretës që sheh drejt jugperëndimit dhe drejt veriperëndimit, të dimëronin aty.
13 Dhe ndërsa fryu lehtë një jugë, duke menduar se ia arritën qëllimit, ngritën spirancën dhe nisën të lundronin afër brigjeve, përbri Kretës.
14 Por mbas jo shumë kohe, shpërtheu kundër ishullit një erë tufani, që quhej Eurakilon.
15 Dhe ndërsa anija u mbërthye prej saj, dhe duke mos mundur ta përballonte erën, iu dorëzuam asaj dhe çoheshim andej-këndej.
16 Dhe duke kaluar nxitimthi poshtë njëfarë ishulli të vogël që quhej Kauda, mezi mundëm ta mbanim nën kontroll sandallin.
17 Mbasi detarët e ngritën në kuvertë, nisën të përdornin litarë ndihmës që ta lidhnin nga poshtë anijen; dhe duke pasur frikë se mos ngecnin në cekëtinë në Sirtë, lëshuan mjetin dhe kështu çoheshin andej-këndej.
18 Por ndërsa ne hidheshim furishëm nga stuhia, ditën më pas nisën të hidhnin jashtë ngarkesën
19 dhe ditën e tretë flakën me duart e veta në det pajimet e anijes.
20 Dhe meqenëse për shumë ditë nuk po shfaqeshin as dielli, as yjet dhe një stuhi jo e vogël vazhdonte të shfrynte, së fundi po humbiste çdo shpresë që ne të shpëtonim.
21 Dhe mbasi shumë ishin pa dëshirë për të ngrënë, atëherë Pali, duke qëndruar në mes tyre, tha: "Pikërisht, o burra, duhej që, duke ma vënë veshin, të mos ishim nisur në lundrim nga Kreta, që kështu të mos kishim qoftë këtë dëm e qoftë humbjen.
22 Dhe tani ju këshilloj që të merrni zemër, sepse nuk do të ketë asnjë humbje jete prej jush, përveç anijes.
23 Se mbrëmë më qëndroi pranë një engjëll i Perëndisë të cilit i përkas dhe të cilit i ofroj shërbesë,
24 duke më thënë: 'Mos u frikëso, o Pal! Ti duhet të qëndrosh para Cezarit dhe, ja, Perëndia t'i ka falur ty të gjithë ata që lundrojnë me ty'.
25 Prandaj, merrni zemër, o burra, sepse besoj në Perëndinë se kështu do të jetë, ashtu siç më është thënë.
26 Por ne duhet të ngecim në njëfarë ishulli".
27 Por kur u bë nata e katërmbëdhjetë, ndërsa ne mbarteshim andej-këndej në Adriatik, gjatë mesit të natës detarët nisën të hamendësonin që po i afroheshin ndonjë toke.
28 Dhe kur hodhën plumbçin, panë që ishte njëzet pashë thellësi; dhe si kaluan pak më tej dhe përsëri hodhën plumbçin, panë që ishte pesëmbëdhjetë pashë thellësi.
29 Dhe duke pasur frikë se mos ngecnim diku nëpër vende shkëmbore, flakën katër spiranca prej kiçit dhe po luteshin që të bëhej ditë.
30 Por ndërsa detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe lëshuan sandallin në det, gjoja se do të shtrinin spirancat prej bashit,
31 Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: "Po të mos rrinë këta në anije, ju nuk mund të shpëtoni".
32 Atëherë ushtarët prenë litarët e sandallit dhe e lanë të binte në det.
33 Tani, deri në kohën që ishte gati për t'u bërë ditë, Pali po i nxiste të gjithë që të merrnin ushqim, duke thënë: "Sot është dita e katërmbëdhjetë duke pritur dhe vazhdoni të pangrënë, duke mos marrë asgjë.
34 Prandaj po ju nxis që të merrni ushqim, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse asnjë fije floku nga koka juaj nuk do të humbasë".
35 Dhe mbasi tha këto dhe mori bukë, falënderoi Perëndinë përpara të gjithëve; dhe si e theu, filloi të hante.
36 Dhe të gjithë morën zemër, dhe edhe vetë morën ushqim.
37 (Dhe në anije ishim të gjithë bashkë, dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë shpirtra.)
38 Dhe si u ngopën me ushqim, nisën të lehtësonin anijen, duke hedhur grurin në det.
39 Tani, kur u bë ditë, ata nuk e njihnin tokën, por po vinin re një gji që kishte breg dhe po vendosnin nëse mund ta nxirrnin në atë breg anijen.
40 Dhe si i shkëputën spirancat, i lanë të binin në det, duke zgjidhur njëkohësisht litarët e timonëve; dhe si ngritën velën ballore ndaj erës që frynte, po mbanin kursin drejt bregut.
41 Por duke ndeshur në një vend nga të dyja anët me det, e ngecën anijen në cekëtinë dhe, nga njëra anë, bashi ngeli dhe mbeti i palëvizshëm, nga ana tjetër, kiçi nisi të shkallmohej nga furia e dallgëve.
42 Tani, nga ushtarët u mor vendim që t'i vrisnin të burgosurit, se mos ndokush prej tyre ikte duke u larguar me not.
43 Por centurioni, duke dashur që ta shpëtonte Palin, i pengoi ata në qëllimin e tyre dhe urdhëroi ata që ishin në gjendje për të notuar, që të hidheshin të parët për t'u larguar në tokë,
44 kurse të tjerët të largoheshin disa mbi dërrasa, disa mbi diçka tjetër nga anija. Dhe kështu ndodhi që të gjithë shpëtuan në tokë.
Të gjithë librat
