Veprat e Apostujve 24
1 Tani, mbas pesë ditësh zbriti në Cezare kryeprifti Hanania me disa nga pleqtë dhe me një avokat, njëfarë Tertuli, të cilët i paraqitën qeveritarit padinë kundër Palit.
2 Dhe kur Pali u thirr, Tertuli filloi të bëjë padinë, duke thënë: "Duke gëzuar shumë paqe nëpërmjet teje, dhe ndërsa bëhen reforma për këtë komb nëpërmjet largpamësisë sate,
3 gjithqysh dhe gjithandej, ne i mirëpresim, o fort i nderuar Feliks, me plot falënderim.
4 Por që mos të të mbaj shumë gjatë, të lutem që, me mirësinë tënde, ti të na dëgjosh shkurtimisht.
5 Sepse gjetëm këtë burrë se është një murtajë dhe një që shkakton kryengritje ndër të gjithë judenjtë që janë nëpër botën e banuar, dhe është kryetar i sektit të Nazaretasve.
6 Ai edhe tempullin provoi ta përdhosë dhe e kapëm [dhe deshëm ta gjykonim sipas Ligjit tonë.
7 Por erdhi Lisia, komandanti, dhe me shumë dhunë e mori nga duart tona,
8 duke urdhëruar paditësit e tij që të vijnë te ti.] Nga ai ti do të mundesh vetë që, duke hetuar rreth të gjithave këtyre, të njohësh saktë ato për të cilat ne e paditim".
9 Dhe u bashkuan në sulmin me fjalë edhe judenjtë, duke pohuar se këto gjëra ishin kështu.
10 Dhe ndërsa qeveritari i bëri shenjë, Pali u përgjigj duke thënë: "Duke e ditur se prej shumë vitesh ti je gjykatës për këtë komb, me kënaqësi po mbrohem për gjërat që kanë të bëjnë me veten time,
11 sepse ti mund ta vërtetësosh që ka jo më shumë se dymbëdhjetë ditë që kur u ngjita për të adhuruar në Jerusalem.
12 Dhe nuk më gjetën duke biseduar me ndokënd apo duke shkaktuar nxitje turme, as në tempull, as në sinagoga, as nëpër qytet.
13 Dhe as nuk janë në gjendje për të të paraqitur prova rreth gjërave që tani më paditin.
14 Por po të rrëfej këtë, se sipas Udhës të cilën këta e quajnë sekt, unë i ofroj kështu shërbesë Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjithave atyre që janë sipas Ligjit dhe atyre që janë shkruar në Profetët,
15 duke pasur shpresë në Perëndinë, shpresë të cilën edhe vetë këta e presin, se do të ketë një ringjallje, qoftë të të drejtëve e qoftë të të padrejtëve.
16 Për këtë arsye edhe vetë ushtrohem që të kem vazhdimisht një ndërgjegje të pacenuar kundrejt Perëndisë dhe njerëzve.
17 Tani, mbas shumë vitesh, unë erdha për të sjellë lëmosha për kombin tim dhe blata,
18 me të cilat ata më gjetën në tempull duke qenë i dëlirë dhe jo me një turmë, dhe as me trazirë.
19 Por qenë disa judenj nga Azia, të cilët duhej të ishin këtu para teje dhe të bënin padi, në paçin diçka kundër meje.
20 Ose vetë këta të thonë se çfarë krimi gjetën ndërsa unë qëndrova para Sinedrit,
21 përveçse për këtë fjali të vetme, të cilën e thashë me zë të lartë, duke qëndruar në mes tyre: 'Për ringjalljen e të vdekurve unë po gjykohem sot para jush'".
22 Por Feliksi, duke i ditur më saktësisht gjërat lidhur me Udhën, e shtyu çështjen e tyre, duke thënë: "Kur të zbresë nga Jerusalemi komandanti Lisia, do të marr vendim për çështjet tuaja".
23 Pastaj urdhëroi centurionin që Pali të ruhej dhe të kishte lehtësim, si dhe të mos pengohej asnjë nga të vetët që t'i shërbente.
24 Por mbas disa ditësh, kur erdhi Feliksi bashkë me Drusilën, gruan e vet, që ishte judease, thirri Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Krishtin Jezus.
25 Por ndërsa Pali po diskutonte për drejtësi dhe vetëpërmbajtje, si dhe për gjykimin që vjen, Feliksi, duke e kapur tmerri, u përgjigj: "Tani për tani shko, dhe kur të gjej kohë, do të të thërras".
26 Në të njëjtën kohë ai ishte edhe duke shpresuar se do t'i jepeshin pará nga Pali, prandaj dhe, duke e thirrur më shpesh, fliste me të.
27 Por ndërsa u mbushën dy vjet, Feliksi pati si pasues Porc Festin; dhe duke dashur që t'u bënte një nder judenjve, Feliksi e la Palin të burgosur.
Të gjithë librat
