Veprat e Apostujve 23
1 Dhe Pali, duke shikuar ngultas Sinedrin, tha: "O burra, vëllezër, unë kam jetuar si qytetar për Perëndinë me ndërgjegje krejt të mirë deri këtë ditë".
2 Por kryeprifti Hanania u dha urdhër atyre që qëndronin pranë Palit për ta goditur në gojë.
3 Atëherë Pali i tha atij: "Perëndia do të të godasë ty, o mur i gëlqerosur! Dhe ti ulesh që të më gjykosh sipas Ligjit, por, duke shkelur Ligjin, urdhëron që të më godasin?!".
4 Por ata që qëndronin pranë tij, thanë: "Kryepriftin e Perëndisë shan ti?!".
5 Dhe Pali tha: "Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: 'Për kreun e popullit tënd nuk do të flasësh keq'".
6 Tani, duke e ditur Pali se njëra palë ishte nga saducenjtë dhe tjetra nga farisenjtë, nisi të thërriste në Sinedër: "O burra, vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem për shpresën dhe ringjalljen e të vdekurve".
7 Dhe ndërsa ai tha këtë, u bë një sherr mes farisenjve dhe saducenjve, dhe moria e të pranishmëve u përça
8 (sepse, nga njëra anë, saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje dhe as engjëll, dhe as frymë; nga ana tjetër, farisenjtë i pohojnë të tria).
9 Por u bë një zhurmë e madhe dhe, si u ngritën disa nga skribët e palës së farisenjve, nisën të ziheshin duke thënë: "Asgjë të keqe nuk gjejmë në këtë njeri. Po nëse i foli atij një frymë apo një engjëll?".
10 Dhe ndërsa po bëhej sherr i madh, komandanti, duke u frikësuar se mos Pali shqyhej copash prej tyre, e urdhëroi trupën e ushtarëve të zbriste dhe ta merrte me forcë prej mesit të tyre dhe ta çonte në garnizon.
11 Por në po atë natë, duke qëndruar afër tij, Zoti i tha: "Kurajë! Sepse ashtu siç dëshmove në Jerusalem gjërat që kanë të bëjnë me mua, kështu ti duhet të dëshmosh edhe në Romë".
12 Tani, ndërsa u bë ditë, judenjtë bënë një komplot dhe vunë veten e tyre nën mallkim, duke thënë se as do të hanin dhe as do të pinin derisa ta vrisnin Palin.
13 Dhe ata që e bënë këtë përbetim ishin më shumë se dyzet veta.
14 Ata erdhën te kryepriftërinjtë dhe pleqtë, dhe thanë: "E kemi lidhur me mallkim veten tonë që të mos vëmë asgjë në gojë derisa ta vrasim Palin.
15 Tani, pra, ju, bashkë me Sinedrin, i paraqitni një kërkesë komandantit që ta zbresë te ju, sikur gjoja do t'i hetoni më me saktësi gjërat që kanë të bëjnë me të; ndërsa ne jemi gati që ta vrasim përpara se të afrohet".
16 Por kur djali i motrës së Palit dëgjoi për pritën, shkoi dhe hyri në garnizon, dhe njoftoi Palin.
17 Dhe Pali, si thirri pranë një nga centurionët, tha: "Këtë të riun çoje te komandanti, sepse ka diçka për t'ia njoftuar atij".
18 Kështu, duke e marrë me vete, ai e çoi te komandanti dhe tha: "Pali, i burgosuri, më thirri pranë dhe kërkoi që këtë të riun ta sjell te ti, sepse ka diçka për të folur me ty".
19 Dhe komandanti, duke e kapur për dore dhe duke e larguar veçmas, nisi ta pyeste: "Çfarë është ajo që ke për të më njoftuar?".
20 Dhe ai tha: "Judenjtë u bënë një mendje për të të kërkuar që nesër ta zbresësh Palin në Sinedër, sikur gjoja do të pyesin diçka më me saktësi rreth tij.
21 Prandaj, ti të mos bindesh nga ata, sepse atij po i ngrenë pritë më shumë se dyzet burra prej tyre, të cilët e vunë veten nën mallkim që as të mos hanë dhe as të mos pinë derisa ta vrasin; dhe tani janë gati, duke pritur nga ti miratimin".
22 Atëherë, komandanti e la të lirë djaloshin, duke e porositur: "Askujt të mos i thuash që këto gjëra m'i zbulove mua".
23 Dhe si thirri pranë dy nga centurionët, tha: "Bëni gati dyqind ushtarë dhe shtatëdhjetë kalorës, dhe dyqind shtizëmbajtës, me qëllim që të shkojnë deri në Cezare nga ora e tretë e natës.
24 Dhe siguroni kafshë shale, që të hipni Palin dhe ta çoni shëndoshë e mirë te Feliksi, qeveritari".
25 Dhe shkroi një letër që kishte këtë përmbajtje:
26 "Klaud Lisia, fort të nderuarit qeveritarit Feliks: tungjatjeta!
27 Këtë burrë që u kap nga judenjtë dhe që gati po vritej nga ata, kur mbërrita bashkë me trupën e ushtarëve, e nxora nga mesi i tyre, ngaqë mësova se është qytetar romak.
28 Dhe duke dashur që të njoh saktë arsyen për të cilën e akuzonin, zbrita në Sinedrin e tyre;
29 dhe gjeta që ai akuzohej në lidhje me çështje të Ligjit të tyre, por nuk kishte asnjë akuzë që meriton vdekje apo pranga.
30 Dhe ndërsa m'u njoftua se do të bëhej një komplot ndaj këtij burri, në çast e dërgova te ti, duke i porositur edhe paditësit që të flasin kundër tij para teje".
31 Kështu, ushtarët, sipas asaj që u ishte urdhëruar, e morën Palin dhe e çuan gjatë natës në Antipatridë.
32 Dhe të nesërmen, pasi i lanë kalorësit të shkojnë bashkë me të, u kthyen në garnizon.
33 Kur këta hynë në Cezare dhe i dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.
34 Dhe kur qeveritari e lexoi letrën dhe pyeti se prej cilës provincë ishte, dhe si mori vesh se ishte nga Kilikia,
35 tha: "Do të të dëgjoj kur të mbërrijnë edhe paditësit e tu.", duke urdhëruar që ai të ruhej në pretoriumin e Herodit.
Të gjithë librat
