Veprat e Apostujve 20
1 Tani, mbasi pushoi trazira, si thirri Pali dishepujt dhe u dha zemër, u përshëndet dhe doli për të shkuar në Maqedoni.
2 Dhe si përshkoi ato rajone dhe u dha zemër atyre me shumë fjalë, erdhi në Greqi.
3 Dhe si bëri aty tre muaj, meqenëse u bë një komplot kundër tij nga judenjtë kur ishte gati të nisej në lundrim për në Siri, e ndau mendjen që të kthehej përmes Maqedonisë.
4 Dhe atë e shoqëronin Sopatri, biri i Pirros, bereas; ndërsa nga selanikasit Aristarku dhe Sekundi, dhe Gaji, derbas, dhe Timoteu; ndërsa aziatikë ishin Tikiku dhe Trofimi.
5 Tani, këta erdhën dhe po rrinin me ne në Troadë.
6 Dhe mbas ditëve të të Ndormeve, ne lundruam nga Filipia dhe brenda pesë ditëve erdhëm tek ata në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.
7 Dhe në ditën e parë të javës, ndërsa ne ishim mbledhur për të thyer bukë, Pali, meqenëse synonte të largohej të nesërmen, nisi të diskutonte me ta dhe po e zgjaste fjalën deri në mesnatë.
8 (Tani, kishte mjaft bishtukë në dhomën e sipërme ku ishim mbledhur.)
9 Dhe një të ri me emrin Eutik, duke ndenjur ulur në dritare, po e zinte një gjumë i thellë. Ndërsa Pali po diskutonte shumë gjatë, të riun e zuri gjumi dhe ra nga kati i tretë poshtë, dhe e ngritën të vdekur.
10 Por si zbriti, Pali ra sipër tij dhe duke e rrokur, tha: "Mos bëni rrëmujë, sepse shpirti i tij është në të".
11 Dhe Pali, si u ngjit lart dhe theu bukën, dhe hëngri, si dhe mbasi foli për një kohë të gjatë deri në agim, atëherë doli.
12 Ndërsa djaloshin e çuan në shtëpi të gjallë dhe u ngushëlluan pa masë.
13 Ndërsa ne, duke shkuar përpara në anije, u nisëm në lundrim drejt Asosit, prej ku synonim të merrnim në bord Palin, sepse kështu kishte udhëzuar, duke synuar që vetë të shkonte në këmbë deri atje.
14 Dhe kur na takoi në Asos, e morëm në bord dhe erdhëm në Mitilenë.
15 Dhe prej aty, duke lundruar, arritëm ditën pasuese kundruall Kiosit dhe ditën tjetër u bregëzuam në Samos, ndërsa ditën më pas erdhëm në Milet.
16 Se Pali kishte vendosur që ta shmangte Efesin gjatë lundrimit, me qëllim që të mos i duhej për të shpenzuar kohë në Azi, sepse shpejtonte, në rast se ishte e mundur për të, që të ndodhej në Jerusalem për ditën e Rrëshajëve.
17 Tani, nga Mileti, duke dërguar fjalë në Efes, Pali thirri pleqtë e kishës.
18 Dhe si arritën tek ai, u tha atyre: "Ju e dini, që nga dita e parë që kur vura këmbë në Azi, se si kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës,
19 duke i shërbyer Zotit me çdo përulësi dhe me lot, dhe me sprova që më ngjanë nga komplotet e judenjve,
20 se si nuk u zmbrapsa që të mos ju kumtoja të gjitha ato që janë të dobishme, dhe që t'ju mësoja publikisht dhe shtëpi më shtëpi;
21 duke u dëshmuar qoftë judenjve e qoftë helenëve pendimin në Perëndinë dhe besimin në Zotin tonë Jezus.
22 Dhe tani, ja, duke qenë i lidhur prej Frymës, unë po shkoj në Jerusalem, duke mos i ditur ato që do të më ngjasin në të,
23 përveç asaj që Fryma e Shenjtë më paralajmëron në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime.
24 Por për asnjë arsye nuk e mbaj si të çmuar për mua jetën time, me qëllim që ta përfundoj garën time dhe shërbimin të cilin e mora nga Zoti Jezus, që të dëshmoj ungjillin e hirit të Perëndisë.
25 Dhe tani, ja, unë e di se ju të gjithë, ndër të cilët kalova duke predikuar Mbretërinë, nuk do ta shikoni më fytyrën time.
26 Prandaj, po ju dëshmoj në ditën e sotme se jam i pastër nga gjaku i të gjithëve,
27 sepse nuk u zmbrapsa që të mos ju kumtoja të gjithë këshillën e Perëndisë.
28 Bëni kujdes për veten tuaj dhe për të gjithë grigjën në të cilën Fryma e Shenjtë ju vuri mbikëqyrës, që të baritoni kishën e Perëndisë, të cilën e fitoi nëpërmjet gjakut të vet.
29 Unë e di se mbas nisjes sime do të hyjnë te ju ujq të egër, duke mos e kursyer grigjën;
30 dhe prej mesit tuaj do të ngrihen burra, duke folur gjëra të çoroditura, për të tërhequr dishepujt mbas vetes së tyre.
31 Prandaj, rrini zgjuar, duke kujtuar se për tre vjet, natë e ditë, nuk reshta duke i hequr vërejtje me lot çdonjërit.
32 Dhe tani, po ju lë në dorë të Perëndisë dhe të fjalës së hirit të tij, asaj që është në gjendje të ndërtojë dhe të japë trashëgiminë ndër të gjithë ata që janë shenjtëruar.
33 Nga asnjëri nuk dëshirova argjend ose ar, ose petk.
34 Vetë e dini se këto duar shërbyen për nevojat e mia dhe të atyre që janë me mua.
35 Me të gjitha ju tregova se, duke u lodhur kështu, duhet të ndihmohen ata që janë të dobët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus që vetë tha: 'Lumni është më tepër të japësh sesa të marrësh'".
36 Dhe mbasi tha këto, duke rënë në gjunjë, u lut bashkë me të gjithë ata.
37 Dhe të gjithë qanë me të madhe; dhe duke iu hedhur në qafë Palit, e puthnin,
38 duke qenë në ankth veçanërisht për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta vërenin më fytyrën e tij. Dhe po e përcillnin në anije.
Të gjithë librat
