Veprat e Apostujve 2
1 Dhe kur erdhi dita e Rrëshajëve, ishin të gjithë bashkërisht në të njëjtin vend.
2 Dhe papritmas erdhi prej qiellit një ushtimë, si e një ere të furishme që fryn dhe e mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin ulur.
3 Dhe gjuhëra porsi prej zjarri iu dukën atyre duke u përndarë, dhe secila zuri vend mbi çdonjërin prej tyre.
4 Dhe u mbushën të gjithë me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhëra të ndryshme, ashtu si Fryma ua jepte atyre për t'u shprehur.
5 Tani, në Jerusalem banonin disa judenj, burra të devotshëm nga çdo komb që është nën qiell.
6 Dhe ndërsa u bë kjo zhurmë, u mblodh moria e njerëzve dhe u hutua, sepse çdonjëri prej tyre i dëgjonte ata duke folur në të folmen e vet.
7 Dhe të gjithë shastiseshin dhe mrekulloheshin, duke thënë: "Ja, a nuk janë të gjithë këta që flasin galileas?!
8 Dhe si vallë ne i dëgjojmë secili në të folmen tonë në të cilën u lindëm?!
9 Ne, partë dhe medë, dhe elamitë, dhe ata që banojnë në Mesopotami, Judé edhe Kapadoki, Pont dhe Azi,
10 Frigji edhe Pamfili, Egjipt dhe rajonet e Libisë pranë Kirenës, dhe bujtës romakë,
11 qoftë judenj e qoftë prozelitë, kretas dhe arabë, i dëgjojmë duke folur në gjuhët tona për gjërat madhështore të Perëndisë!".
12 Dhe të gjithë shastiseshin dhe ishin tepër të hutuar, duke i thënë njëri-tjetrit: "Çfarë do të thotë kjo?".
13 Por të tjerë, duke i përqeshur, thoshin: "Janë dendur me musht!".
14 Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët, ngriti zërin e tij dhe iu drejtua atyre: "O burra, judenj dhe të gjithë ju që banoni në Jerusalem, le t'ju bëhet e ditur kjo gjë dhe vërjuni veshin thënieve të mia.
15 Se këta nuk janë të dehur, siç ju po hamendësoni, sepse është ora e tretë e ditës,
16 por kjo gjë është ajo që është thënë nëpërmjet profetit Joel:
17 'Dhe do të ndodhë që në ditët e fundit, thotë Perëndia, do të derdh nga Fryma im mbi çdo mish, dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, dhe të rinjtë tuaj vegime do të shikojnë, dhe pleqtë tuaj ëndrra do të shohin.
18 Madje edhe mbi skllevërit e mi dhe mbi skllavet e mia në ato ditë do të derdh nga Fryma im dhe do të profetizojnë.
19 Dhe do të bëj çudira lart në qiell, dhe shenja mbi tokën poshtë, gjak dhe zjarr, dhe avull tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna do të kthehet në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit.
21 Dhe do të ndodhë që, kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet'.
22 O burra izraelitë, dëgjoni këto fjalë: Jezus nazaretasin, burrin që ju është paraqitur juve nga Perëndia me vepra fuqie dhe çudira, dhe shenja të cilat Perëndia i bëri nëpërmjet tij në mesin tuaj, ashtu siç e dini vetë
23 – këtë burrë, të dorëzuar juve sipas qëllimit të përcaktuar dhe paranjohjes së Perëndisë, e vratë duke e gozhduar në kryq nëpërmjet duarve të të paligjshmëve.
24 Atë e ringjalli Perëndia duke e zgjidhur prej dhimbjeve të mëdha të vdekjes, për shkak se nuk ishte e mundur që ai të mbahej nga ajo.
25 Se Davidi thotë për të: 'E shikoja Zotin përpara meje vazhdimisht; se ai është në të djathtën time, që unë të mos lëkundem.
26 Për këtë arsye galdoi zemra ime dhe u ngazëllua gjuha ime, e madje edhe mishi im do të banojë me shpresë;
27 sepse nuk do ta braktisësh shpirtin tim në Hades, dhe nuk do ta lësh të Shenjtin tënd që të shohë kalbje.
28 Më bëre të njohura udhët e jetës, do të më mbushësh me galdim me praninë tënde'.
29 O burra, o vëllezër, më lejohet që t'ju them juve me guxim në lidhje me patriarkun David se ai edhe vdiq, edhe u varros, dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
30 Prandaj, duke qenë profet dhe duke e ditur se Perëndia i bëri be me betim që do të ulte mbi fronin e tij dikë prej frytit të fundbarkut të tij,
31 parashikoi dhe foli rreth ringjalljes së Krishtit, duke thënë se as nuk u braktis në Hades dhe as mishi i tij nuk pa kalbje.
32 Këtë Jezus Perëndia e ringjalli; për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë.
33 Prandaj, si u lartësua në të djathtën e Perëndisë dhe si mori nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi këtë çfarë ju edhe po shihni, edhe po dëgjoni.
34 Sepse Davidi nuk u ngjit në qiej, por ai vetë thotë: 'I tha Zoti Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
35 derisa t'i vë armiqtë e tu nënkëmbëz të këmbëve të tua'.
36 Ta dijë, pra, me siguri gjithë shtëpia e Izraelit se Perëndia e bëri atë edhe Zot, edhe Krisht – këtë Jezus të cilin ju e kryqëzuat".
37 Dhe kur e dëgjuan këtë, ata u therën në zemër dhe i thanë Pjetrit dhe apostujve të tjerë: "Çfarë duhet të bëjmë, o burra, o vëllezër?".
38 Dhe Pjetri u tha atyre: "Pendohuni dhe secili nga ju duhet të pagëzohet në emrin e Jezu Krishtit, për faljen e mëkateve tuaja; dhe do të merrni dhurimin e Frymës së Shenjtë.
39 Se për ju është premtimi dhe për fëmijët tuaj, dhe për të gjithë ata që janë larg, gjithë sa do të thërrasë pranë Zoti, Perëndia ynë".
40 Dhe me shumë fjalë të tjera iu përbetua dhe i nxiste, duke thënë: "Shpëtohuni nga ky brez i shtrembër!".
41 Kështu, ata që e mirëpritën fjalën e tij, u pagëzuan; dhe u shtuan në atë ditë rreth tri mijë shpirtra.
42 Dhe ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve dhe përbashkësisë, thyerjes së bukës dhe lutjeve.
43 Dhe çdo shpirti i hynte frika, dhe shumë çudira dhe shenja bëheshin nëpërmjet apostujve.
44 Dhe të gjithë besimtarët ishin bashkë, dhe i kishin të gjitha të përbashkëta;
45 dhe i shisnin pronat dhe kamjen, dhe ua përndanin ato të gjithëve, sipas nevojës që kishte çdokush.
46 Dhe çdo ditë, duke u përkushtuar me një mendje në tempull dhe duke thyer bukën shtëpi më shtëpi, merrnin ushqim me ngazëllim dhe thjeshtësi zemre,
47 duke lavdëruar Perëndinë dhe duke pasur hir para tërë popullit. Dhe Zoti i shtonte grupit çdo ditë ata që shpëtoheshin.
Të gjithë librat
