Veprat e Apostujve 16
1 Tani, Pali arriti edhe në Derbë dhe në Listër. Dhe ja, atje ishte një dishepull me emrin Timote, bir i një gruaje judease besimtare, por me baba helen,
2 për të cilin jepej dëshmi nga vëllezërit në Listër dhe Ikon.
3 Ky ishte ai që Pali deshi që të dilte bashkë me të; dhe si e mori, e rrethpreu për shkak të judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte helen.
4 Dhe ndërsa kalonin nëpër qytete, u përcillnin atyre për të mbajtur dekretet që ishin vendosur nga apostujt dhe pleqtë që ishin në Jerusalem.
5 Kështu, kishat forcoheshin në besim dhe mbushullonin në numër çdo ditë.
6 Dhe ata përshkuan krahinën e Frigjisë dhe të Galatisë, duke u penguar nga Fryma e Shenjtë që të flisnin fjalën në Azi.
7 Dhe kur erdhën drejt Misisë, provuan të shkonin në Bitini, por nuk i lejoi Fryma e Jezusit;
8 dhe duke kaluar nëpër Misi, zbritën në Troadë.
9 Dhe gjatë natës Palit iu shfaq një vegim: një burrë maqedonas ishte duke qëndruar para tij dhe duke iu përgjëruar, dhe duke thënë: "Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!".
10 Dhe si e pa vegimin, ne menjëherë kërkuam të dilnim në Maqedoni, duke arritur në përfundimin se Perëndia na kishte thirrur për t'ua shpallur ungjillin atyre.
11 Tani, si u nisëm në lundrim nga Troada, u drejtuam për në Samotrakë dhe ditën pasuese për në Nea Polis,
12 dhe prej aty në Filipi, që është një qytet kryesor i pjesës së Maqedonisë dhe koloni romake; dhe në këtë qytet po kalonim disa ditë.
13 Dhe ditën e shabatit dolëm jashtë portës së qytetit, pranë lumit, aty ku mendonim se ishte një vend lutjeje; dhe si u ulëm, nisëm t'u flisnim grave që u mblodhën aty.
14 Dhe një grua me emrin Lidia, tregtare të purpurtash nga qyteti i Tiatirës, adhuruese e Perëndisë, po dëgjonte. Zoti hapi zemrën e saj për t'u kushtuar vëmendje gjërave që fliteshin nga Pali.
15 Dhe si u pagëzua ajo dhe shtëpia e saj, na luti duke thënë: "Nëse më keni vlerësuar se jam besimtare në Zotin, hyni në shtëpinë time dhe rrini". Dhe na detyroi të pranojmë.
16 Tani, ndodhi që, ndërsa ne po shkonim në vendin e lutjes, na doli para një shërbëtore që kishte një frymë piton, e cila u sillte shumë fitim të zotëve të saj, duke u treguar fatin njerëzve.
17 Duke ndjekur nga pas Palin dhe ne, kjo thërriste duke thënë: "Këta njerëz janë skllevër të Perëndisë, të Shumë të Lartit, të cilët ju shpallin një udhë shpëtimi".
18 Dhe këtë vazhdonte ta bënte për shumë ditë, por Pali, duke u mërzitur shumë dhe duke iu kthyer frymës, tha: "Të urdhëroj, në emër të Jezu Krishtit, të dalësh nga ajo". Dhe fryma doli në atë çast.
19 Por kur të zotët e saj panë se iku shpresa e fitimit të tyre, kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën zvarrë në sheshin e tregut, para krerëve.
20 Dhe si i sollën para magjistratëve, thanë: "Këta njerëz, duke qenë judenj, trazojnë qytetin tonë
21 dhe shpallin zakone të cilat, për ne, duke qenë romakë, nuk është e lejueshme që t'i pranojmë dhe as t'i bëjmë".
22 Dhe turma u ngrit bashkë me ta kundër tyre, dhe magjistratët, si shqyen rrobat e Palit dhe të Silës, vijuan të urdhëronin për t'i rrahur me shkopinj.
23 Dhe mbasi u shkaktuan atyre shumë plagë, i hodhën në burg, duke e urdhëruar gardianin që t'i ruante ata me kujdes.
24 Ky, si mori një urdhër të tillë, i hodhi në qelinë më të thellë dhe këmbët ua lidhi në dru.
25 Tani, aty nga mesnata, Pali dhe Sila, duke u lutur, i himnizonin Perëndisë; dhe të burgosurit e tjerë po i dëgjonin.
26 Dhe papritmas ra një tërmet i madh, aq sa u lëkundën themelet e burgut; dhe përnjëherësh u hapën të gjitha dyert dhe prangat e të gjithëve u zgjidhën.
27 Dhe si u zgjua gardiani nga gjumi dhe pa dyert e burgut që ishin hapur, nxori shpatën dhe ishte gati për të vrarë veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.
28 Por Pali thirri me zë të lartë, duke thënë: "Mos i bëj vetes asnjë të keqe, sepse të gjithë jemi këtu".
29 Dhe duke lypur për drita, u turr brenda dhe, duke u dridhur i tëri, ra përmbys para Palit dhe Silës.
30 Dhe si u parapriu jashtë, tha: "Zotërinj, çfarë më duhet të bëj që të shpëtohem?".
31 Dhe ata thanë: "Beso në Zotin Jezus e do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote".
32 Dhe i folën fjalën e Zotit atij, bashkë me të gjithë ata që ishin në shtëpinë e tij.
33 Dhe ai i mori me vete në atë orë të natës dhe u lau plagët; dhe u pagëzua ai vetë dhe të gjithë të tijtë, përnjëherësh.
34 Dhe si i çoi lart në shtëpi, u shtroi tryezën dhe u ngazëllua me të gjithë shtëpinë, sepse kishte besuar në Perëndinë.
35 Tani, si u bë ditë, magjistratët dërguan te gardiani liktorët, duke thënë: "Liroji ata njerëz".
36 Dhe gardiani ia njoftoi fjalët Palit: "Magjistratët kanë dërguar urdhër që të liroheni. Prandaj, dilni tani dhe shkoni në paqe".
37 Por Pali u tha atyre: "Na rrahën publikisht pa u dënuar, ndonëse jemi qytetarë romakë, dhe na hodhën në burg, dhe tani na nxjerrin fshehtas?! Jo, kurrsesi! Por të vijnë vetë dhe të na shoqërojnë jashtë".
38 Dhe liktorët ua njoftuan magjistratëve këto fjalë. Dhe ata u frikësuan, kur dëgjuan se janë romakë,
39 dhe erdhën e i lutën; dhe si i shoqëruan jashtë, u kërkonin që të largoheshin nga qyteti.
40 Dhe mbasi dolën nga burgu, hynë te shtëpia e Lidias; dhe kur panë vëllezërit, u dhanë zemër dhe dolën.
Të gjithë librat
