Veprat e Apostujve 14
1 Tani, në Ikon ndodhi e njëjta gjë: që Pali dhe Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në mënyrë të atillë saqë të besonin një morí e madhe, qoftë judenjsh e qoftë helenësh.
2 Por judenjtë që nuk u bindën, i nxitën dhe i acaruan shpirtrat e kombeve kundër vëllezërve.
3 Kështu, ata kaluan mjaft kohë aty, duke folur me guxim në Zotin që dëshmonte për fjalën e hirit të tij duke dhënë që të bëheshin shenja dhe çudira nëpërmjet duarve të tyre.
4 Por popullsia e qytetit u nda dhe disa ishin me judenjtë, disa me apostujt.
5 Por kur u bë një përpjekje, qoftë e kombeve dhe qoftë e judenjve (bashkë me krerët e tyre) për t'i poshtëruar dhe për t'i qëlluar me gurë,
6 Pali dhe Barnaba e kuptuan dhe ikën në qytetet e Likaonisë: Listër dhe Derbë, dhe rrethinat;
7 dhe atje vazhdonin të shpallnin ungjillin.
8 Dhe në Listër po rrinte ulur një burrë, i pafuqishëm nga këmbët, i çalë që prej barkut të nënës, i cili kurrë nuk kishte ecur.
9 Ky dëgjoi duke folur Palin i cili, duke shikuar ngultas drejt burrit dhe duke parë se kishte besim për t'u shpëtuar nga gjendja,
10 tha me zë të lartë: "Ngrihu drejt mbi këmbët e tua!". Dhe ai brofi dhe nisi të ecte.
11 Dhe turmat, kur panë çfarë bëri Pali, ngritën zërin e tyre duke thënë në likaonishte: "Perënditë u bënë të ngjashëm me njerëzit dhe zbritën te ne".
12 Dhe nisën ta thërrisnin Barnabën Zeus dhe Palin Hermes, ngaqë ky ishte folësi kryesor.
13 Dhe prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte në hyrje të qytetit, solli dema dhe kurora te portat e qytetit dhe bashkë me turmat donte të bënte flijim.
14 Por kur e dëgjuan këtë apostujt Barnaba dhe Pali, shqyen rrobat e tyre dhe u turrën jashtë drejt turmës, duke bërtitur
15 dhe duke thënë: "O burra, pse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtin përjetim si ju dhe po ju shpallim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te një Perëndi i gjallë, i cili bëri qiellin dhe tokën, dhe detin, dhe të gjitha ato që gjenden në ta;
16 i cili në brezat që kanë kaluar, i lejoi të gjitha kombet që të shkonin udhëve të tyre,
17 megjithatë nuk e la veten pa dëshmi, duke bërë mirë, duke ju dhënë juve shira nga qielli dhe kohëra frytsjellëse, duke i ngopur me ushqim dhe galdim zemrat tuaja".
18 Dhe duke thënë këto, mezi i përmbajtën turmat që të mos u bënin flijim atyre.
19 Por nga Antiokia dhe Ikoni erdhën disa judenj, dhe si i bindën turmat dhe e qëlluan me gurë Palin, po e tërhiqnin jashtë qytetit, duke kujtuar se ai kishte vdekur.
20 Por ndërsa e rrethuan dishepujt, u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen doli bashkë me Barnabën për në Derbë.
21 Dhe si ungjillëzuan atë qytet dhe si bënë mjaft dishepuj, u kthyen në Listër dhe në Ikon, dhe Antioki,
22 duke përforcuar shpirtrat e dishepujve, duke i nxitur për të vazhduar në besim dhe duke thënë: "Përmes shumë mundimesh na duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë".
23 Dhe si zgjodhën për ta pleq në çdo kishë, duke u lutur me agjërime, i lanë në dorë të Zotit në të cilin kishin besuar.
24 Dhe duke përshkuar Pisidinë, erdhën në Pamfili;
25 dhe si folën në Pergë fjalën, zbritën në Atali
26 dhe prej aty lundruan për në Antioki, prej nga i ishin dorëzuar hirit të Perëndisë për punën të cilën e përmbushën.
27 Dhe kur arritën aty dhe mblodhën kishën, nisën të dëftonin gjithë sa bëri Perëndia me ta dhe se u hapi kombeve një derë besimi.
28 Dhe atje kalonin jo pak kohë bashkë me dishepujt.
Të gjithë librat
