Veprat e Apostujve 11
1 Tani, apostujt dhe vëllezërit që ishin nëpër Judé, dëgjuan se edhe kombet e pranuan fjalën e Perëndisë.
2 Dhe kur u ngjit Pjetri në Jerusalem, ata prej rrethprerjes nisën të haheshin me të,
3 duke thënë: "Ti hyre te burra që janë të parrethprerë dhe hëngre bashkë me ta".
4 Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, vijoi t'u shpjegonte me radhë, duke thënë:
5 "Unë isha në qytetin e Jopës duke u lutur dhe pashë në ekstazë një vegim: duke zbritur njëfarë sendi si çarçaf i madh që prej katër cepave ishte duke u ulur prej qiellit dhe erdhi deri tek unë.
6 Po vëreja duke shikuar ngultas drejt tij dhe pashë katërkëmbëshat e tokës dhe bishat, dhe zvarranikët, dhe shpendët e qiellit.
7 Dhe dëgjova edhe një zë duke më thënë: 'Ngrihu, Pjetër, ther dhe ha!'.
8 Por unë thashë: 'Kurrsesi, o Zot, sepse asgjë e ndytë ose e papastër nuk hyri kurrë në gojën time'.
9 Por një zë m'u drejtua për së dyti prej qiellit: 'Ato që Perëndia i pastroi, ti mos i çmo të ndyta'.
10 Tani, kjo ndodhi për tri herë dhe u tërhoqën përsëri të gjitha në qiell.
11 Dhe ja, në çast, tre burra që ishin dërguar nga Cezareja tek unë, u afruan te shtëpia në të cilën ishim duke ndenjur.
12 Dhe Fryma më tha që të shkoj bashkë me ta pa bërë asnjë dallim; dhe bashkë me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij burri.
13 Dhe ai na kallëzoi se si pa engjëllin në shtëpinë e vet duke qëndruar më këmbë dhe duke thënë: 'Dërgo në Jopë burra dhe thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër,
14 i cili do të të thotë gjëra me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote'.
15 Dhe ndërsa unë fillova të flas, ra Fryma e Shenjtë mbi ta, sikurse edhe mbi ne në fillim.
16 Dhe m'u kujtua thënia e Zotit, si thoshte: 'Gjoni vërtet pagëzoi në ujë, por ju do të pagëzoheni në Frymën e Shenjtë'.
17 Nëse, pra, Perëndia u dha atyre të njëjtin dhurim ashtu si edhe neve, mbas të besuarit në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund të pengoja Perëndinë?".
18 Dhe kur i dëgjuan këto, ata heshtën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: "Atëherë edhe kombeve Perëndia ua dha pendimin për të pasur jetë".
19 Kështu, ata që u shpërndanë nga mundimi që ndodhi me rastin e Stefanit, kaluan gjithandej deri në Feniki dhe Qipro, dhe Antioki, duke mos ia thënë askujt fjalën, përveçse vetëm judenjve.
20 Por ishin disa burra prej tyre, qipriotë dhe kireneas, të cilët, kur erdhën në Antioki, nisën t'u flisnin edhe helenistëve, duke shpallur si lajm të mirë Zotin Jezus.
21 Dhe dora e Zotit ishte me ta, dhe një numër i madh që besoi u kthye te Zoti.
22 Tani, fjala lidhur me ta shkoi në veshët e kishës që ishte në Jerusalem dhe dërguan Barnabën deri në Antioki,
23 i cili, kur mbërriti dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiste të gjithë që t'i rrinë besnikë Zotit me përkushtimin e zemrës,
24 sepse ai ishte burrë i mirë dhe i mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me besim. Dhe një turmë mjaft e madhe iu shtua Zotit.
25 Por Barnaba doli për në Tars që të kërkonte Saulin,
26 dhe si e gjeti, e çoi në Antioki. Dhe ndodhi, gjithashtu, që ata u mblodhën me kishën një vit të tërë dhe mësuan një turmë mjaft të madhe; dhe në Antioki dishepujt u quajtën për herë të parë të krishterë.
27 Tani, në ato ditë zbritën disa profetë nga Jerusalemi në Antioki.
28 Dhe një prej tyre, me emrin Hagab, u ngrit dhe tregoi nëpërmjet Frymës se do të kishte mbi tërë botën e banuar një zi të madhe buke (e cila ndodhi nën Klaudin).
29 Dhe dishepujt, sipas gjendjes që kishte kushdo, caktuan secili prej tyre një shumë për t'ua dërguar si ndihmë vëllezërve që banonin në Judé.
30 Këtë edhe e bënë duke e dërguar ndihmën te pleqtë nëpërmjet duarve të Barnabës dhe Saulit.
Të gjithë librat
